3 perditesime
12:10

Qeveria Hoti ndan miliona euro për kategori të ndryshme

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur për ndarjen e miliona eurove për kategori të ndryshme që nuk kanë qenë të përfshira në pakot e mëhershme por që sipas ekzekutivit i janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të pandemisë. 3 milionë euro janë ndarë për punëtorët e arsimit, 700 mijë për zyrtarët policor, 180 mijë për zjarrfikësit, 100 mijë euro për sektorin shëndetësor dhe 78 mijë për punëtorët social. Qeveria ka bërë të ditur se janë ndarë edhe 160 mijë euro për punëtorët teknik të sektorit privat.

Ministria në detyrë e financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se i gjithë personeli i angazhuar në arsimin primar dhe sekondar do të marrë shtesën në muajin shkurt.

“Ndahen 3 milionë euro nga 5 milionëshi të cilin e kemi ndarë nga Fondi për rimëkëmbje Ekonomike tek Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor, këto janë mjete të cilat ndahen për shtesën e parë e cila do të paguhet në muajin shkurt, kjo përfshinë të gjithë personelin i cili është i angazhuar me arsimin primar dhe sekondar, në këtë pikë ndahen 3 milionë euro. Në pikën e dytë për sektorin e sigurisë përkatësisht zyrtarët policor ndahen mjete financiare shtesë në shumë prej 700 mijë euro, është fjala për 350 zyrtarë të cilët nuk kanë qenë të trajtuar me vendimin paraprak”, ka thënë ajo.

Bajrami ka bërë të ditur se zjarrfikësit do të marrin 100 euro shtesë në pagën në muajin shkurt dhe mars.

Ndërsa për punëtorët aktiv social në qendrat për punë sociale, ajo tha se do të paguhen shtesat për muajin shkurt dhe mars të këtij viti.

“Për sektorin shëndetësor në pikën 5 të këtij vendimi kemi ndarë shumën prej 100 mijë euro për pagën shtesë për profesionistët shëndetësor të cilën kryejnë shërbime shëndetësore në sektorin publik, bazuar në marrëveshjen kontraktuale, bëhet fjalë këtu për stafin i cili paguhet nga Caritasi. Ndërsa në pikën tjetër ndahen 160 mijë euro për pagesën e shtesave për punëtorët teknik të sektorit privat, bëhet fjalë për shërbimin e pastrimit dhe gjithashtu shërbimin e sigurimit të cilët punojnë në institucionet publike shëndetësore, kjo shtesë është e paraparë të paguhet për muajin shkurt dhe muajin mars”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka bërë të ditur se të gjitha mjetet merren nga programi për rimëkëmbje ekonomike, nga kategoria shpenzimeve dhe subvencioneve, përveç atyre për sektorin e arsimit që janë mjete nga 5 milionë euro të ndara paraprakisht për këtë sektor.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 mijë euro për organizimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbahet më 5,6 dhe 7 mars. Për këtë, ekzekutivi ka formuar edhe këshillin organizativ.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është diskutuar edhe miratuar edhe draft-platforma vjetore e politikës së inteligjencës dhe politikës së sigurisë.

Lidhur me këtë ka folur ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në listën e organizatave terroriste të fusë edhe “Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata “FETO”.

“Këtu nuk përmenden organizatat terroriste që janë të njohura edhe botërisht, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata terroriste FETO. Këta mund ta dëmtojnë rëndë edhe vendin tonë Kosovën, duhet ta kemi parasysh, sidomos PPK në listat e BE-së dhe ShBA-së. Patjetër që na nevojitet rritja e bashkëpunimit me Turqinë kundër këtyre organizatave. Unë mendoj që këtu patjetër duhet të ekzistojë edhe PPK dhe organizata terroriste Feto të cilat veç bëjnë krime në tërë botën por mendojnë që dëmtojnë edhe Kosovën”, ka thënë ai.

Draft-platforma u miratua për përfshirë këto kërkesa, ndërsa, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se të njëjtat do t’i dërgohen AKI-së.

“Politika jonë e inteligjencës së sigurisë koordinohet me partnerët tanë ndërkombëtar, është në linjë me politikë ne tyre, me këtë koment të cilin kërkoj nga sekretariati që t’i bartët AKI-së, e nxjerr në votim”, ka thënë Hoti.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, janë miratuar ndaras edhe marrëveshja në mes të Kosovës dhe Kuvajtit në fushën e mbrojtjes, koncept-dokumenti për Policinë Ushtarake dhe Strategjia e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

10:45

Ndahen 3 milionë euro shtesa për punëtorët e arsimit për muajt shkurt dhe mars

Qeveria në detyrë ka ndarë sot 3 milionë euro për Ministrinë e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor gjatë pandemisë.

Ministrja në detyrë e Financave Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se këto 3 milionë euro janë nga 5 milionëshi që është ndarë nga fondi për rimëkëmbje ekonomike tek Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor.

“Ju paraqes propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve për disa organizata buxhetore për të ndarë shtesa për muajin shkurt dhe mars për disa kategori që nuk kanë qenë të përfshira në vendimet paraprake por që janë drejtpërdrejtë të ekspozuara rrezikut në menaxhimin me pandeminë. Ndahen 3 milionë euro nga 5 milionëshi që e kemi ndarë nga fondi për rimëkëmbjen ekonomike tek Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor, kjo është shtesa e parë e cila do të paguhet në muajin shkurt. Kjo përfshinë të gjithë personelin që janë të angazhuar në arsimin primar dhe sekondar”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka bërë të ditur po ashtu se për muajt shkurt dhe mars edhe për zyrtarët policorë do të ndahen 700 mijë euro, për zjarrfikësitë 180 mijë euro, për punëtorët në qendra sociale 78 mijë euro, për profesionistët shëndetësorë 100 mijë euro, për punëtorët teknikë për shërbimin e pastrimit dhe sigurimin e institucioneve shëndetësore 160 mijë euro.

Sipas saj, kategoritë e tjera që janë të angazhuar ne menaxhimin e pandemisë e që nuk janë pjesë e këtij vendimi do të trajtohen me vendime të veçanta.

Vendimet e plota:

Strategjia e Sigurisë së Kosovës ka qenë dokumenti i parë që ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky dokument përcakton drejtimet strategjike të politikave të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të vendit tonë përmes të cilave do të sigurohet mbrojtja dhe partneriteti strategjik i sigurisë me miqtë tanë. Dokumenti është në frymën e promovimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe siguron mbrojtjen e interesave të vendit tonë dhe bashkëpunimin me partnerët strategjik të Kosovës.

Edhe Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe sigurisë për vitin 2021 ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Dokumenti bazohet në ligjin për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Ky dokument i dërgohet për informim edhe Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencionit Kosovar të Inteligjencës në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria në takimin e sotëm e ka themeluar Komisionin Organizativ për shënimin e “Epopesë së UÇK-së” në përbërje:

Z. Anton Çuni, Ministër i Mbrojtjes, Kryesues;

Z. Bekim Jashari, Kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtar;

Znj. Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, anëtare;

Znj. Meliza Haradinaj-Stublla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtare dhe

Agim Veliu, Ministër i Punëve të Brendshme, anëtar.

Zyra e Presidentit;

Kuvendi i Kosovës;

Komuna e Prishtinës;

Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së;

10. Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe

11. Organizatat e Shoqërisë Civile.

Kabineti qeveritar ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit për statusin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në shtetin e Kuvajtit. Republika e Kosovës deri tash ka 15 marrëveshje të këtilla dhe në këtë frymë është vendosur që të nënshkruhet edhe marrëveshje me shtetin e Kuvajtit.

Qeveria ka miratuar edhe Koncept dokumentin për fushën e Policisë Ushtarake, i cili në bazë të analizës së ofruar i hap rrugë rregullimit ligjor të Policisë Ushtarake në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të jetë një vlerë e shtuar për këtë institucion.

Edhe Strategjia e Mbrojtjes së Sigurisë ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës me të cilën përcakton rregullimin konceptual dhe organizativ të mbrojtjes në Republikën e Kosovës. Strategjia riafirmon synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe bashkëpunimin me faktorët e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë shtetërore të Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të Kufirit 2020-2025 dhe Planin e veprimit për menaxhimin e integruar të kufirit 2020-2023. Ky dokument është obligim ligjor dhe ka për qëllim të menaxhojë sigurimin, ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të vendit.

Qeveria ka miratuar një vendim për ndarje të mjeteve financiare për pagesën shtesë në pagë për institucione dhe sektorë të ndryshëm që kanë pasur angazhim të shtuar në përballje me pandeminë COVID-19 si në vijim:

Për sektorin e arsimit ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 3,000,000 € (tre milionë euro) për pagesën e shtesës së parë për mësimdhënësit dhe personelin teknik/administrativ në sistemin para universitar;

Për sektorin e sigurisë, përkatësisht zyrtarët policorë, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 700,000 € (shtatëqind mijë euro);

Për sektorin e emergjencave, përkatësisht Zjarrfikësit, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë totale prej 180,000 € (njëqindetetëdhjetë mijë euro);

Për sektorin social, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë 78,000 € (shtatëdhjetetetë mijë euro), për pagesën e shtesave në pagë për punëtorët aktiv social në Qendrat për Punë Sociale;

Për sektorin shëndetësor (në të gjitha nivelet) ndahen mjetet financiare si në vijim:

a). Shuma prej 100,000 € (njëqind mijë euro) për pagesën e shtesave në pagë për profesionistët shëndetësorë që kryejnë shërbime shëndetësore në sektorin publik bazuar në marrëveshjet kontraktuale që kanë me organizatat buxhetore në nivel lokal.

b). Shuma prej 160,000 € (njëqindegjashtëdhjetë mije euro) për pagesën e shtesave në pagë për punëtorët teknik të sektorit privat (pastrimi dhe sigurimi fizik) që kryejnë shërbime të kontraktuara për institucionet publike shëndetësore, për dy muaj shkurt dhe mars 2021;

Kategoritë tjera të sektorit publik që janë të angazhuar në menaxhim të pandemisë dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga COVID-19, që nuk janë pjesë e këtij vendimi apo vendimeve paraprake për shtesa të tilla, do të mund të trajtohen me vendime të veçanta të bazuar në vlerësimet profesionale të nivelit të ekspozimit ndaj rrezikut dhe mundësitë buxhetore, duke filluar nga muaji mars 2021 e tutje.

10:33

Qeveria në detyrë ndan 40 mijë euro për organizimin e Epopesë së UÇK-së

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë sot 40 mijë euro për organizimin e Epopesë së UÇK-së.

Po ashtu gjatë mbledhjes së sotme është formuar edhe Këshilli organizues për këtë ngjarje.

Kryesues i këtij Këshilli do të jetë ministri në detyrë i Mbrojtjes Anton Quni, kryetrari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, ministrja në detyrë e Kulturës Vlora Dumoshi, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj dhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

08:16

Sot mblidhet Qeveria në detyrë

Qeveria në detyrë do të mbajë sot mbledhjen e radhës. Siç njoftohet, mbledhja do të mbahet nga ora 10:00, ndërkaq nuk është bërë e ditur se cilat do të jenë pikat që do të shqyrtohen.

Kabineti i Qeverisë Hoti i cili është në detyrë, do të mblidhet për herë të parë pas përfundimit të procesit zgjedhor, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës u rëndit e dyta, Lidhja Demokratike e treta dhe AAK-ja e katërta.