3 perditesime
20:53

Osmani: Sulmi ndaj djalit të Rashiqit është në vazhdën e ndërhyrjeve të Serbisë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmit ndaj djalit të politikanit Nenad Rashiq duke e cilësuar si akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit.

Ajo ka bërë thirrje që autoret e këtij sulmi të dalin para drejtësisë.

“Ftoj organet e rendit që sa më shpejtë t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, ka theksuar Osmani në reagimin e saj.

Osmani gjithashtu poashtu ka bërë thirrje që të hetohet rasti i djegies së veturës së deputetit Mefail Bajqinovci.

“Shteti ynë do ta bëjë të pamundshmen që secili qytetar i tij të ndihet i lirë për të vepruar politikisht dhe për të shprehur qëndrimet e veta politike”, theksoi ajo.

20:35

Lista Serbe dënon sulmin ndaj djalit të Rashiqit, kërkon të mos i jepet ngjyrim politik

Lista Serbe ka dënuar sulmin fizik ndaj djalit të politikanit nga Graçanica, Nenad Rashiq, Nikolës.

Ky subjekt politik përmes një komunikate në Facebook, ka ftuar organet e kompetente që të hetojnë dhe të dënojnë ata që kryen këtë vepër.

Sipas njoftimit të babait të viktimës, Nenadit, djali i tij u sulmua sot në mesditë nga rreth 30 persona afër shkollës në Llapnasellë me mjete të forta. Policia ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se ka arrestuar tetë të dyshuar për këtë sulm.

“Lista Serbe dënon në mënyrën më të ashpër sulmin ndaj Nikola Rashiqit në Graçanicë. Ftojmë organet kompetente që në mënyrë sa më të shpejtë të kryejnë hetimet dhe përgjegjësve t’ua japin dënimin meritor. Dënimi i përgjegjësve është obligim i të gjitha strukturave të Policisë dhe të gjyqësisë në Graçanicë, pa marrë parasysh se kush janë sulmuesit. Lista Serbe fton të gjithë që të përmbahen nga konotacionet politike të këtij incidenti derisa organet kompetente të mos kryejnë hetimet”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Pak orë pas incidentit, zyrtari i lart i kësaj liste, Dalibor Jevtiq, përmes një postimi në Twitter e ka akuzuar dhe fyer politikanin Nenad Rashiq, duke e quajtur “bixhozçi që u bën lajka shqiptarëve dhe u kërkon atyre ta votojnë për të shkatërruar Listën Serbe”.

Lista Serbe që nga themelimi ka pranuar se asnjë vendim nuk e merr pas konsultim me Beogradin zyrtar. Pas zgjedhjeve të fundit, është akuzuar se edhe e ka shtrembëruar vullnetin e pakicave tjera në Kosovë.

Rashiq, një politikan i moderuar serb, edhe më herët ishte ankuar se ka presione e kërcënime me jetë nga serbët, që sipas tij, dirigjohen nga Beogradi.

19:38

Abbott: Ata që e rrahën djalin e Rashiqit të dalin para drejtësisë

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott e ka dënuar sulmin fizik ndaj djalit të Nenad Rashiqit.

Ai ka thënë se dhuna e tillë është e papranueshme. Abott ka kërkuar që fajtorët të dalin para drejtësisë.

“Dhuna e tillë qoftë fizike apo verbale, është e papranueshme ndaj gjithësecilit, por është veçanërisht tronditëse ndaj një personi të ri. Unë kërkoj që Policia e Kosovës të hetojë shpejt këtë rast dhe të gjejë ata që nxitën dhe morën pjesë në këtë incident”, ka shkruar ai.

Ndërkohë rastn e ka dënuar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

"Unë e dënoj fuqishëm sulmin kundër djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq. Inkurajoj policinë të hetojë këtë rast dhe të arrestojë ata që janë përgjegjës për këtë akt", ka shkruar Hoxhaj.

19:34

Kurti: Ata që ia sulmuan djalin, nuk munden ta nënshtrojnë Rashiqin

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se djali i Nenad Rashiqit është rrahur nga disa persona,

Ai ka thënë se ky krim ka të bëjë me mosnënshtrimin e babait të tij.

“Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë. Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”, ka thënë ai.

Kurti ka shkruar se në qeverinë e tij të re do të punojnë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt.

“Kërkoj që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë, ndërkaq Nikollës i uroj shërim të plotë e të shpejtë”, ka shkruar ai.