3 perditesime

Ish-deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, thotë se deputetët e kësaj partie duhet ta votojnë Vjosa Osmanin si presidente të Kosovës. Shton se LDK-ja ka votuar më herët kundërshtarët më të mëdhenj të saj politik, e se tash Osmanin duhet ta votoj gjithsesi sepse ka qenë pjesë e tyre.

21:03

Rexhepi: Duhet të thyhet monopoli në udhëheqësi të LDK-së

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Fatmir Rexhepi, ka pranuar se ekziston një monopol në udhëheqësi të LDK-së dhe se ky monopol duhet të thyhet, nëse dëshirohet që LDK-ja të ecë para.

“Monopoli ekziston nuk ka dilemë aty. Diku në vitin 2011 apo 2012, para zgjedhjeve ishim në takim nëpër degë. Në një prej takimeve që u mbajt në Gjilan, e ku mori pjesë edhe kryetari, profesori Isa Mustafa e dhash propozim që në statutin e LDK-së, që të mos ndodhë monopol, të kemi detyrat e ndara. Nuk duhet kryetari i degës partisë, i cili ka edhe kryetar komune edhe degëve tjera, tash të bëhet nënkryetar partisë. Nuk ka mundësi, fizikisht nuk ka mundësi. Është një lloj monopoli. Ka mundur të vendoset rregull, ata që zgjidhen në kryesi të partisë, të lënë vendet tjera të mos kemi duplifikime, sot i ke 30 e kusur anëtarë kryetarë të degëve, që janë anëtarë të kryesisë. Ku është elita e LDK-së, akademikët, profesorët universitarë tjerë, ku janë njerëzit e kuadrot e ndryshëm. Ky ishte monopoli që e ka shkatërruar atë besimin e ka keqpërdorur pozitën duke pasur favore të jashtëzakonshme”, ka thënë Rexhepi në DESKUN e KOHËS.

20:54

Rexhepi: Alternativa më e mirë për LDK-në është ndryshimi i statutit të saj

Fatmir Rexhepi thotë se statuti i LDK-së duhet të ndryshojë dhe shton se kjo është zgjidhja më e drejtë që t’i rikthehet elektorati.

Ai pret që ky statut të ndryshohet dhe për udhëheqjen e Kuvendit të LDK-së të pranohen më shumë kandidatura.

Për Rexhepin, alternativa më e mirë për partinë pas zgjedhjeve të fundit që treguan rezultat të dobët për partinë, është ndryshimi i statutit.

“Nëse Këshilli merr vendim, është organi që e ndërron statutin. Brenda një ditë ndërrohet statuti. Nëse nuk e shohim tani se ku jemi, në çfarë pusi kemi rënë dhe kërkojmë ende t’ia mbyllim derën vetes, atëherë këtu zgjidhje nuk ka. Alternativa më e mirë është kjo sepse pastaj e përshtatin mundësinë e monopolit në menaxhimin e kuvendit në pjesëmarrjen e kuadrove që kanë performancë të mirë”, tha ai.

Me formulën e njëjtë, Rexhepi thotë se LDK-ja nuk do ta rikthejë elektoratin.

“Nëse mendojmë me njerëz të njëjtë, formula të njëjta, me pikën e statutit të njëjtë, atëherë përgjigjen e ka dhënë elektorati. Elektorati i LDK-së e ka dënuar. LDK-së i duhet hapja që të kemi kandidatë më shumë që do marrin pjesë për tu zgjedhë në Kuvendin e LDK-së. Kjo udhëheqje e LDK-së nuk e ka pasë dhe nuk e ka këtë vullnet”, tha Rexhepi.

 

20:41

Rexhepi: Kryetari dhe Kryesia duhej të jepnin dorëheqje para Këshillit të Përgjithshëm

Fatmir Rexhepi i LDK-së ka thënë se kryetari Isa Mustafa dhe Kryesia e partisë është dashur të japin dorëheqje para Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe se ata që janë fajtorë për rënien e partisë nuk duhet ta organizojnë Kuvendin e kësaj partie.

“Humbja ka emër, ata që ishin vendimmarrës e jo të gjithë. Është dashur të thirret Këshilli i Përgjithshëm aty të ofrohet dorëheqje a kryetarit dhe e kryesisë. Është dashur të jepet llogari aty. Me këto mashtrime, devijime e formula, nuk mund me u përgatit Kuvendi si duhet. Prodhime të tilla kanë dhënë rezultat jo të mirë në të kaluarën. Nëse shkohet në Kuvend si në vitin 2015, e të bëhen marifete si atëherë, se ky mund të kandidojë e ky jo, atëherë nuk është rruga e arsyeshme dhe e drejtë e strategjisë, për të cilën elektorati pret. Unë e them këtu publikisht, duhet të thirret Këshilli i Përgjithshëm para Kuvendt, e aty të jepen dorëheqjet. E Këshilli i Përgjithshëm ta marrë organizimin e Kuvendit, e jo kryetari e kryesia që kanë dhënë dorëheqje. Ata të cilët e mbajnë përgjegjësinë për humbje nuk duhet të organizojnë Kuvendin”, ka thënë Rexhepi në DESKUN e KOHËS.

20:24

Rexhepi: LDK-ja duhet ta votojë Osmanin sepse në të kaluarën i kemi votuar kundërshtarët më të mëdhenj

Ish-deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, thotë se deputetët e kësaj partie duhet ta votojnë Vjosa Osmanin si presidente të Kosovës. Shton se LDK-ja ka votuar më herët kundërshtarët më të mëdhenj të saj politik, e se tash Osmanin duhet ta votoj gjithsesi sepse ka qenë pjesë e tyre.

“Çdo deputet apo pjesa dërrmuese e LDK-së duhet ta votojnë Osmanin sepse ne kemi votuar edhe kandidatë tjerë që pastaj janë kthyer i kanë kritikuar dhe kanë thënë gjithçka në emisione e parlament. Ne kemi zgjedhë kundërshtarët edhe më të mëdhenj politikë, kryetarë të kuvendit, e të mos e zgjedhim një kolege që i kemi ndërruar dy fjalë e nuk është nami”, tha ai në KTV.

Osmanin e quan mbretëreshë të fitores historike. Rexhepi beson se ajo do të marrë votat për të qenë e para e vendit.

“Mund ta quaj mbretëreshë e fitores historike, Vjosa Osmanin. Iu ka dhënë përgjigje të gjithëve, kuadër i përgatitur politik. Ishte vullnet i të rinjve të LDK-së, VV-së e të tjerë e votuan atë për presidente prandaj shpresoj se shumë shpejt të votohet edhe në Kuvend. Besoj se të gjithë deputetët dhe pjesa dërrmuese e LDK do ta votoj Vjosën dhe do t’i japin funksionalitet institucioneve të Kosovës”, tha ai.


Ish-deputeti i LDK-së: Partia e mori teposhtën në 2014-n 

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, vlerëson se kjo parti pësoi humbjen e madhe në vitin 2014 kur pranoi koalicionin me PDK-në, gjë që sipas tij, ishin zotuar të mos e bënin.

Në DESKU të KTV-së, Rexhepi përgjegjës për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e fundit bën lidershipin e partisë.

“Asnjë bashkëveprimtar i LDK-së brenda dhe jashtë Kosovës nuk e ka dëshiruar këtë rezultat dhe këtë debakël politik por ky rezultat e ka emrin e vet dhe nuk duhet shumë hulumtime pse erdhi deri këtu. Emri i kësaj humbje, debakli, e ka lidershipi dhe udhëheqja e ngushtë e LDK-së e cila që nga viti 2014 e deri tash i ka bë disa veprime politike e vendime politike jashtë vullnetit të elektoratit të LDK, duke filluar nga mashtrimi politik i 2014 që thonim se nuk do bënim koalicion me PAN-in e më pas u mashtruam. Aty është thyer kurrizi i LDK-së dhe aty e ka marrë teposhtën”.

Përveç kësaj, ai përmend edhe vitin 2019 kur LDK-ja bëri koalicion me Vetëvendosjes por që shumë shpejt kontribuoi në prishjen dhe rrëzimin e qeverisë në të cilën ishin bërë pjesë edhe vetë.

“Në 2019 ishte të kemi koalicion për ndryshim. Ekipi i LDK-së e mori besimin e qytetarëve dhe krijoi besim te elektorati se do vazhdoj ndryshimin por në koalicion me VV-në. Por, nuk vazhdoi koalicioni dhe ishte hakmarrje e plotë politike e anëtarëve të LDK-së ndaj vendimeve të lidershipit pse ndodhi kjo”, tha Rexhepi.