4 perditesime

Vetëm ligji e procedura nuk sundon në Kosovë, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Në emisionin Desku në KTV, Miftaraj ka thënë se kjo mund të konkludohet nga shumë raporte të deritashme që analizojnë punën e gjyqësorit në rastet e korrupsionit.

21:16

Hodaj: Duhet të kemi hetim më të thellë për ABZH-në

Hetimet në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë duhet të thellohen edhe më shumë, për të shikuar edhe keqpërdorimet në të kaluarën, ka thënë avokati Taulant Hodaj.

Hodaj ndër të tjera ka thënë se e mërkura ka qenë ditë e mirë për faktin që janë arrestuar njerëz që kanë keqpërdorur buxhetin e shtetit, në sektorin më të nevojshëm për qytetarët e Kosovës, atë të bujqësisë.

“Duhet të ketë hetim më të thellë edhe për rastet në të kaluarën me pa se çfarë është bërë më herët. Dje u duk një ditë e mirë, pasi u arrestuan ata që kanë keqpërdor buxhetin e Kosovës, dhe e kanë shfrytëzuar sektorin e bujqësisë, aty ku kemi nevojë më së shumti për subvencione, pasi ne nuk mund të prodhojmë helikopterë. Kjo është përfolur që moti. Gjithë fermerët që kanë dashur të përfitojnë, është dashur që një pjesë të atyre t’i ndajnë me njerëzit që ishin në ABZH”, ka thënë ai.

Hodaj kritikoi veprimin e Prokurorisë, të cilët dolën në konferencë për shtyp, duke paralajmëruar edhe arrestime të tjera.

“Dalja në konferencë për shtyp ishte e gabueshme. Kjo e prish komplet procesin. Ata duhet të kenë një strategji të hetimit që të ketë sa më shumë rezultat. Do duhej ta kishin një strategji“, vazhdoi Hodaj.

Nga aksioni i së mërkurës janë të arrestuar 12 persona, nga të cilët 11 janë dërguar në paraburgim. Të enjten u ndaluan edhe nëntë fermerë që pranuan të bashkëpunojnë. Ata janë liruar.


Hodaj: Lista Serbe e shfrytëzoi zbrazëtirën ligjore me votat e romëve

Avokati Taulant Hodaj ka thënë se Lista Serbe e ka shfrytëzuar zbrazëtirën ligjore në Kosovë që përmes votave të komuniteteve të tjera të përvetësoj më shumë ulëse në Kuvend.

“Është oportunizëm dhe e kanë shfrytëzuar zbrazëtirën ligjore por është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës që u garanton vendet e caktuara komuniteteve”, tha ai në Desku të KTV-së.

Përmes mekanizmave të drejtësisë në Kosovë, Hodaj thotë se do të vërtetohet nëse ka pasur keqpërdorim me votat.

“Kjo do të jetë rast për trajtim nga mekanizmat shtetëror, nga PZAP, Gjykata Supreme dhe Kushtetuese. Gjatë këtyre filtrave do vërtetohet që ka pasë keqpërdorim dhe nuk kanë qenë në frymë të Kushtetutës”, tha Hodaj.

Hodaj tha se ka ende kohë që të intervenohet për këtë çështje.

“Me rastin e aplikim të Adriana Hoxhiqit pranë KQZ-së shihet se nënshkrimet i ka marrë prej serbëve ndërsa po i përfaqëson boshnjakët. Ka pasë mënyra për ta parandaluar këtë. Por, ende mekanizmat e shtetit mund të intervenojnë dhe të vendosin rend”, tha ai.

21:02

Miftaraj: Duhen dy vjet hetime për rastin e Thesarit

Juristi Ehat Miftaraj ka thënë se në rastin e Thesarit “duhet t’i besojmë plotësisht hetimeve, pasi është një rast më kompleks sesa duket”.

Miftaraj në Deskun e KOHËS ka shtuar se personat që kanë kryer vjedhjen e 2.1 milionë eurove i kanë dërguar paratë jashtë shtetit, gjë që e bën të vështirë hetimin, i cili sipas tij, nuk mund të përfundojë para së paku dy vjetëve.

“Në rastin e Thesarit duhet t’i besojmë prokurorit, pasi është një rast më shumë kompleks. Personat që i kanë vjedhur 2.1 milionë euro i kanë dërguar në xhirollogari jashtë shtetit. Ky rast tashmë është në mëshirën e shteteve ku janë transferuar paratë. Hetimit i duhen së dy vjet për të hetuar këtë rast, pasi nuk është në dorën e tyre. Disa shtete ku janë transferuar paratë e bëjnë të vështirë hetimin, pasi nuk duan që ato para të dalin jashtë territorit të tyre”, ka thënë ai.

Ai tregoi se 70% e këtyre mjeteve nuk pritet të kthehen në buxhetin e Kosovës, përveç nëse ka aktvendim dënues.

“Më shumë se 70% e këtyre mjeteve nuk do të kthehen në buxhet të Kosovës, përveç nëse kemi aktvendim dënues. Këto janë probleme sistematike që e karakterizojnë Kosovën. Shkalla e përgjegjësisë duhet të shkojë te personat kompetent, pasi është shqetësuese sesi askush nuk e kuptoi se 2.1 milionë nuk janë në Thesarin e shtetit”, ka shtuar Miftaraj.

20:56

Miftaraj: Informimi i publikut se po ndodhin aksione policore është i gabuar, prish hetimet

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se rastet e hetimit në Kosovë, të tilla si aksionet policore që ndodhën në Karaçevë pak kohë më parë dhe ai i së mërkurës në lidhje me subvencionet, bëhen vetëm në kohë zgjedhjesh e që më pas përfundojnë me disa dënime minimale.

Sipas tij, dhënia e informatës se po ndërmerren aksione policore në vende ku janë kryer krime e vështirëson punën e organeve të drejtësisë për ta vënë drejtësinë në vend. Ai sqaron se dalja në konferenca duke treguar se po kryhen aksione në lokacione të ndryshme u jep shans të përfshirëve në skema kriminale të fshehin ato.

“Kemi vërejtur se kur kemi zgjedhje, ndryshime pushtetesh janë disa nga këto aksione që në publik janë spekuluare por me kalimin e kohës veniten dhe përfundojnë me dënime me gjobë. Fillojmë me rastin e Karaçevës, kujtojmë se shkuam me kamera, policia e prokurorë që thanë se po shkatërrohet një grup i krimit të organizuar dhe të nesërmen doli se është konfiskuar katër lopë, dy keca, e u shkatërruan baraka por në realitet u shkatërrua një rrjet që merrej me bixhoz”, tha ai.

Ofendim të inteligjencës i quan konfiskimet që ishin bërë nga aksioni në Karaçevë të kafshëve. Miftaraj thotë se në aksione të tilla, është dashur të sekuestrohen mjete financiare ilegale.

“Çdo shtet, kur kemi të bëjmë me vepra penale të krimit të organizuar, bixhozit e prostitucionit në ato hapësira ka mijëra materiale që shkojnë me qindra mijëra miliona euro. Kur kemi bixhoz, prostitucion, trafikime nuk e kap logjika që të dalim në konferencë të themi kemi konfiskuar katër lopë. Është ofendim i inteligjencës për profesionistë dhe qytetarë”.

Rastin e subvencioneve e quan më skandaloz. Bërjen publike të aksionit policor Miftaraj e sheh të gabueshme. Sipas tij, nuk mund të ketë hetim penal kur informohet mbi aksionin.

“Njëjtë ishte edhe rasti i djeshëm që është më skandaloz. E mira që ndodhi dje është se patëm sekuestrim të mijëra eurove që duket se ishte më shumë rastësi se sa planifikim. Dje ka qenë ditë e mirë për sundimin e ligjit në Kosovë. Gjithçka u shkatërrua në 9 të mëngjesit, një orë më pas. Kjo sepse një prokuror apo polic që bëjnë planin për operacion kaq të gjerë, e para është befasia, ruajtja e sekretit që të mos ketë komunikim që të mos shkojë informata. Në 9 e ka marrë vesh prokurori dhe i njëjti thërret në telefon mediat të shkojnë. Aksioni ka vazhduar sot, del Lumezi në konferencë, nuk vjen prokurori i rastit e as policët e rastit sepse ata kanë qenë ende duke u marrë me aksionin. Lumezi thotë se aksioni vazhdon edhe dy ditë, ky është mesazh për të përfshirët në raste që fshihni kuferat e provat sepse jemi gjuajtur pas juve. Nuk ka logjikë që në një hetim penal që t’i informojnë për rastin”, tha Miftaraj.

20:31

Hodaj: Ka shumë të drejta themelore të njeriut që nuk mbrohen nga shteti

Avokati Taulant Hodaj ka thënë se liria e shprehjes në Kosovë është shumë e promovuar dhe e proklamuar, por shteti ka dështuar ta mbrojë këtë të drejtë. Sipas tij, në çdo fushë ka mungesë efikasiteti në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

“Liria e shprehjes në Kosovë është shumë e promovuar dhe e proklamuar edhe në Kushtetutë. Në aspektin normativ e kemi super të rregulluar, kur vjen puna për ta mbrojtur, është më e vështirë. Ka shumë liri dhe të drejta themelore të njeriut, që nuk mbrohen nga shteti. Në çdo fushë ka mungesë efikasiteti në mbrojtjen e këtyre të drejtave”, ka thënë Hodaj.

Lidhur me sulmin e fundit ndaj gazetarit Visar Duriqi, Hodaj theksoi se mediat duhet të kenë një vetë-rregullim, pasi ka ankesa të shpeshta edhe për ta.

“Mediat duhet të kenë një vetë-rregullim më efikas, ku ankesat të shqyrtohen nga një trup i caktuar, pasi ka ankesa të shpeshta edhe ndaj mediave“, vijoi Hodaj.

Ai ka thënë se këto sulme po ndodhin për shkak që ndëshkimi ligjor është i vogël.

“Ndëshkimi ligjor në Kosovë është shumë i ulët. Kemi zyrtarë të lartë që dënohen me kusht ose me para, prandaj kjo ndikon te njerëzit që të marrin vet drejtësinë në dorë dhe thonë se do të shpëtojnë nga ligji”, ka shtuar Hodaj.

20:27

Miftaraj: Në Kosovë nuk sundon vetëm ligji

Vetëm ligji e procedura nuk sundon në Kosovë, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Në emisionin Desku në KTV, Miftaraj ka thënë se kjo mund të konkludohet nga shumë raporte të deritashme që analizojnë punën e gjyqësorit në rastet e korrupsionit.

Sipas tij, autoritetet s’kanë guxim të hetojnë nivelin e lartë, ndërsa ata që dënohen, vetëm gjobiten apo marrin dënime me kusht.

Duke komentuar sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi, Miftaraj ka thënë se deri tash shteti ka dështuar t’u ofrojë siguri gazetarëve në praktikë. Kjo ka thënë se si faktor i parë vjen për shkak të mungesës së efikasitetit të sistemit të drejtësisë, pasi sulmuesit dënohen vetëm me gjoba.

Ai ka kujtuar se në kuadër të Sistemit Prokurorial është edhe një zyrë për koordinim lidhur me rastet e kërcënimit ndaj gazetarëve, e që më 2020 është paguar me 54 mijë euro.