3 perditesime

Florent Spahija nga KDI ka thënë se Prokuroria e Shtetit është aktivizuar dhe se po lufton korrupsionin në vend me rastin e subvencioneve.

23:34

Spahija: Kushtetuta nuk përcakton asgjë në lidhje se kush mund të jetë kryeministër

Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh asgjë në lidhje se kush mund të jetë kryeministër, përveç kritereve siç është mosha, ka thënë Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës. Spahija në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se asnjë prej subjekteve tjera politike nuk do t’i konvenonte që ta dërgonin rastin në Kushtetuese, nëse i pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bëhet kryeministër.

“Kushtetuta jonë nuk përcakton asgjë në lidhje se kush do të jetë kryeministër, përveç kritereve, siç është mosha. Mund të jetë dikush i jashtëm, si në këtë rast Albin Kurti. A do ta dërgojë atë dikush në Kushtetuese? Ajo është në dorën e subjekteve politike, të cilave nuk do t’iu konvenonte t’i ndalonin vullnetin e popullit për një kryeministër legjitim siç e treguan zgjedhjet”, ka thënë Spahija.

Ai nuk pret vonesa në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje nuk u lejua të kandidonte për deputet pasi ishte i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. Ai megjithatë ka qenë kandidati për kryeministër me të cilin VV-ja kërkonte votën e qytetarëve në zgjedhjen e 14 shkurtit. VV-ja në këto zgjedhje doli e para me mbi 47 për qind të votave, teksa ende s’janë numëruar votat me kusht dhe ato nga jashtë.

23:25

Spahija: Prokuroria të hetojë në veri të Kosovës për manipulime të votave

Florent Spahija nga KDI thotë se hetimi për votat e ardhura nga diaspora është i ligjshëm, ndërsa shton se Prokuroria Speciale duhet të hetojë edhe veriun e Kosovës për manipulim të votave, për shkak të shpërputhjes me numrin e madh të atyre që kanë dalë në votim.

“Nëse prokuroria ka indicie për manipulim të votave është i ligjshëm hetimi. Ajo duhet të hetojë pjesën e veriut të Kosovës ku ka pasur raportime pas ditës së zgjedhjeve se ka manipulime me vota dhe nëse shihet dalja e madhe që ka shpërputhje mund të konsiderojmë se ka pasur lëvizje më shumë se që realisht mund të dalin të votojnë në Kosovë”, tha ai në Interaktiv.

Spahija tha se veprimet e Prokurorisë duhet të jenë të shpejta ndaj njerëzve që kanë manipuluar me vota nëse një gjë e tillë vërtetohet.

Vlerëson se demokracia e vendit nuk rrezikohet me këtë, porse vendet e rezervuara për komunitetet po.

“Nuk është se rrezikohet demokracia e vendit, por rrezikohen vendet e rezervuara të komuniteteve në Kuvend. Demokracia e vendit matet me 100 vendet e rezervuara për pjesën tjetër. Jam kundër ndikimit që ka ushtruar një komunitet mbi një komunitet tjetër”, tha ai.

Ndërsa flet për votat e romëve që dyshohet të jenë manipuluar nga Lista Serbe, thotë se nuk duhet të quhen të paligjshme por të llogariten të përgjithshme tek 100 vendet që janë në Kuvend të rezervuara për shumicën.

“Gjykata Supreme dhe PZAP-ja duhet të vendosë drejt në këtë çështje dhe të mos i quajmë votat të paligjshme këto që janë marrë nga një subjekt që pretendon se përfaqëson një komunitet, por ato vota të llogariten si të përgjithshme tek 100 vendet e përgjithshme që janë dhe nëse kalojnë pragun atëherë mund të fitojnë vendin në Kuvend”, tha Spahija.

Nga komuniteti boshnjak dhe egjiptian kanë akuzuar Listën Serbe se ka manipuluar me vota duke detyruar serbët të votojnë parti të caktuara të komuniteteve tjera për të shtuar ndikimin e saj në Kuvend, pos 10 ulëseve që i ka siguruar për vete. 

23:16

Spahija pret që rasti “Subvencioni 2021” të bëjë jehonë ndërkombëtare

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se afera ”Subvencioni 2021”, duhet të ketë jehonë të madhe në arenën ndërkombëtare, si shenjë që Kosova ka filluar luftën kundër korrupsionit.

“Ky është i viti i dytë që Kosova nuk ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, në vitin 2019 kemi pas regres. Rasti i fundit në arenën ndërkombëtare nuk do të kalojë pa u vërejtur, qoftë nga ambasadorët apo Bashkimi Evropian. Edhe ne si shoqëri, do ta bëjmë jehonë këtë punë, pasi janë kapur njerëz të korruptuar”, ka thënë Spahija.

Ai ka folur edhe për vettingun në drejtësi të cilin, sipas tij, e kanë premtuar pothuajse të gjitha partitë politike. Spahija tregoi modulin që duhet të ndiqet nëse vettingu do të bëhet në të ardhmen e afërt.

”Partitë politike kanë premtuar vettingun, prandaj presim që kjo të ndodhë. Ne si shoqëri civile do të ndihmojmë në reformën e sistemit të drejtësisë. Rekomandimi i ynë si shoqëri civile është të pastrohet sistemi i drejtësisë dhe më pas çdo gjyqtarë t’i nënshtrohej vettingut çdo pesë vjet. Nëse arrihet kjo, potencialisht mund të na liberalizonin vizat. Do ishte një plus i madh për ne. Do t’i dilnim ballëhapur Bashkimit Evropian”, ka deklaruar më tej ai.

23:04

Spahija: Organet e drejtësisë të veprojnë shpejtë me dëshmitarët në rastin “Subvencionet 2021”

Florent Spahija nga KDI ka thënë se Prokuroria e Shtetit është aktivizuar dhe se po lufton korrupsionin në vend me rastin e subvencioneve.

Ai thotë se korrupsioni në Kosovë është i thellë, ndërsa shprehet se gjyqësori duhet të veprojë shumë shpejt me të dyshuarit dhe dëshmitarët e rastit.

“Arrestimet dje dhe sot është goxha e nevojshme që këta persona të arrestuar të tregojnë të vërtetën dhe ata persona që kanë shfaqur dëshirën të bashkëpunojnë është për tu përshëndetur. Në raste të tilla kur ka shumë bashkëpunëtor prokurorët duhet të punojnë shumë shpejt dhe të marrin deklaratat e tyre dhe të mos humbin ato deklarata sepse nëse kalon kohë e gjatë dinë dhe të ndryshojnë”, ka deklaruar ai në Interaktiv.

Spahija tha se deklaratat në Gjykatë duhet të regjistrohen me kamerë pasi, sipas tij, ato me shkrim pas disa vitesh mund të ndryshohen. Arrestimet që nisën dje e që vazhduan edhe të enjten lidhur me rastin e subvencioneve, ai i quan mesazh të mirë për njerëzit që t’ua kthejë besimin tek organet e drejtësisë.

“Nuk është rast aty për aty, por pas hetimeve të gjata. Nëse prokuroria ka mbledhur prova gjykata nuk ka si të vendosë ndryshe nga provat. Gjykata kërkon dhe vlerëson secilën provë, e rëndësishme është shpejtësia dhe efikasiteti i prokurorit dhe gjyqësorit. Dëshmitarët që merren duhet të regjistrohen me kamerë. Marrja e deklaratave me shkrim shpesh po konsiderohet problematike pasi pas disa vitesh ndryshohen nga dëshmitarët dhe rastet po bien para gjykatës. Nëse veprojnë shpejt do ishte shumë mirë dhe që të kthehet besim i publikut tek gjyqësori. Do ishte mesazh i mirë për njerëzit që vazhdojnë të korruptohen si dhe njerëzit si bujqit në këtë rast që të vetëdijesohen. Prokurorët duhet të jenë vigjilent dhe të mendojnë në shumë aspekte që në fund rezultati të jetë dënimi i këtyre personave”, ka shtuar ai.