4 perditesime

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se me caktimin e Kuvendit zgjedhor për zgjedhjen e kryesisë së re të LDK-së pa mbajtur fare mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, lidershipi i LDK-së po mundohet të “fusë duart në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri”.

23:37

Arsyet që çuan në debaklin e LDK-së, sipas Rugovës

Janë të paktën tri arsye që kanë çuar në dështimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Naser Rugova.

LDK-ja në këto zgjedhje doli me vetëm 13 për qind. Ishte rezultati më i dobët në histori të saj. E para doli VV-ja me mbi 47 për qind, ndërsa PDK-ja e dyta me 17. Ende s’janë numëruar votat me kusht dhe ato me postë.

Ai ka thënë se dështimi i madh i LDK-së erdhi kryekëput për shkak të sjelljes së lidershipit të partisë. “Jokomunikimi i duhur me bazën, injorimi i njerëzve të caktuar dhe ngritja e disa të tjerëve pa merita, dhe injorimi i çuditshëm i mërgatës”, janë arsyet e dështimit të LDK-së, sipas tij.

Rugova ka thënë se kryetari i ri i LDK-së, që pritet të zgjidhet në Kuvendin zgjedhor të paraparë për 14 mars, duhet të unifikojë të gjithë brenda partisë.

Megjithatë, ai ka theksuar se më LDK-ja “s’do të lejojë aventura sikur ajo e deritashmja”.

Për humbjen e LDK-së ka thënë se elektorati i kësaj partie “godet shumë, pasi falë dy apo tre herë”.

“Këtë herë e ka goditur mirë lidershipin e LDK-së”, ka thënë ai.

23:21

Rugova për Vjosa Osmanin: I ka dyert hapur, është ende anëtare e Këshillit

Naser Rugova, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Vjosa Osmani është ende anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe se i ka dyert e hapura për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 marsit.

Rugova ka thënë se statuti i LDK-së, të gjithë anëtarësisë dhe strukturave të saj ua mundëson të zgjedh dhe të jetë e zgjedhur.

“Zonja Osmani është shkarkuar nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë por vazhdon ende të jetë në regjistrin e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm LDK-së prandaj procesi është i hapur në LDK. Më 14 mars kush e ndien vetën si pjesë e brumit ideologjik dhe filozofisë politike të LDK-së, i ka dyert hapura dhe mund të vijë e të konkurroj në Kuvendin e 14 marsit edhe pse unë jam për zgjedhje të përgjithshme nga baza. Statuti i LDK-së të gjithë anëtarësisë dhe strukturave të saj ua mundëson të zgjedh dhe të jetë e zgjedhur”, ka thënë Rugova.

23:16

Rugova: Kryetari i ardhshëm i LDK-së nuk duhet të ketë lidhje me lidershipin e Isa Mustafës

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se kryetari i ardhshëm i partisë duhet të jetë një person që nuk ka qenë pjesë e lidershipit të Isa Mustafës.

Këto komente Rugova i bëri në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, kur u pyet rreth kandidaturave të mundshme për të parin e LDK-së si ajo e Anton Qunit, Lutfi Hazirit apo Kujtim Shalës.

“Nuk dua të jap vlerësime për emra të përveçëm, por të gjithë këta që përmendet janë pjesë e lidershipit të Isa Mustafës. Si e shohin veten pretendent pa filluar gara nga baza? Çka iu duhet kryetarllëku pa e deleguar përgjegjësinë e tyre te baza elektorale? Nuk dua të nënvlerësoj bagazhin e tyre, por janë pjesë e një lidershipi të kaluar. Ndoshta këta emra mund ta marrin të parin e LDK-së, por duhet ta dinë që së pari duhet të kenë mbështetjen e bazës, mbështetjen e elektoratit, mbështetjen e degëve”, u shpreh Rugova.

Ai ndër të tjera tregoi se shpesh është ndëshkuar politikisht pasi kishte mendime ndryshe nga lidershipi i Mustafës.

“Duhet të ketë zgjedhje të përgjithshme, të bëhen reformime dhe ristrukturime të degëve. T’i pranojmë gabimet tona në këto 7-8 vjet dhe të marrim përgjegjësitë që na duhen. LDK-ja ka më shumë se 103 mijë votues e edhe më shumë 206 mijë votues sepse është një parti që është aset nacional. Për ato që thashë e këto që po them tani, unë shpesh jam ndëshkuar politikisht për faturat e mendimit tim ndryshe nga lidershipi i LDK-së”, deklaroi Rugova.

23:12

Rugova: LDK-ja e ka mundur LDK-në

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova ka thënë në Interaktiv të KTV-së se në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ka humbur LDK-ja, por LDK-ja e ka mundur LDK-në.

Rugova ka thënë se shkëputja e debatit dhe arroganca në heshtje e heshtja në arrogancë e kanë sjellë LDK-në këtë pikë ku është.

“Shkëputja e debatit, ekskomunikimi, arroganca në heshtje dhe heshtja në arrogancë e solli LDK-në në këtë pikë. Pastaj injorimi i mërgatës tonë, i degëve tona në mërgatë, që ka qenë ai oksigjeni, një fuqi e pakrahasueshme. Pothuajse 80 për qind të mërgatës tradicionalisht kanë qenë mbështetës të frymës së LDK-së. Elektorati i LDK-së e ka ndëshkuar lidershipin e partisë së vetë dhe nuk ka humbur LDK-ja, por LDK-ja e ka mundur LDK-në. Kambanat bien për timonierin e këtij lidershipi dhe për këtë lidership, thjesht apeli im është ta lënë anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së të futet në proces zgjedhor dhe t’i zgjedhin strukturat në një garë fer, me kuti të votimit”, ka thënë Rugova.

Ai ka shtuar se deri më tani ekziston vetëm një kandidaturë për të parin e LDK-së, e cila është e shpallur në media dhe ende jo zyrtare, duke aluduar në kandidaturën e përfolur të Anton Qunit.

LDK-ja do të mbajë Kuvendin zgjedhor në të cilin do të zgjedhë kryetarin e saj të ri më 14 mars.

23:05

Rugova konsideron se lidershipi i LDK-së po mundohet të imponojë zgjedhjen e kryetarit të ri

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se me caktimin e Kuvendit zgjedhor për zgjedhjen e kryesisë së re të LDK-së pa mbajtur fare mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, lidershipi i LDK-së po mundohet të “fusë duart në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri”.

LDK-ja dje njoftoi se më 14 mars do të mbajë Kuvendin zgjedhor për të zgjedhur kryesinë e re, pas dorëheqjes së kreut Isa Mustafa, si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Këtë veprim e konsideroj si të ngutshëm sepse është dashur të ketë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, të bëjë debat të brendshëm, të bëjë përgatitjet e brendshme dhe Kuvendi qendror më pas të zgjedhë kryetarin”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, në Këshillin e Përgjithshëm duhet të pritet për propozimet për plotësim-ndryshimin në statut të LDK-së, për të përmirësuar garën për kryetar.

“Ky lidership po mundohet të imponojë zgjedhjen e kryetarit të ri. S’e kuptoj pse ky lidership nuk e fton mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ai është forumi më i lartë partiak mes dy kuvendeve. Është dashur të bëjmë analizë pse kemi ardhur deri këtu. Dilema ime është që hezitimi i tyre që të thirret kjo mbledhje konsiston me atë që këta njerëz që kanë sjellë partinë në rezultat të paparashikueshëm, po tentojnë t’i bëjnë ‘reformat’. S’mundet ky lidership që e ka sjellë në këtë derexhe partinë, ta reformojë, ristrukturojë partinë sepse këta janë përgjegjës kryesorë për këtë debakël”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, lidershipi i LDK-së po mundohet “të blejë kohë për të bërë riciklime”.