1 perditesime

Demush Shasha nga Instituti “Epik” ka thënë se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka kohë që nuk ka qenë në Ballkan, për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia. Ai ka thënë se përmes vizitës së tij, ai do të japë disa indikacione se cili është drejtimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, gjithashtu edhe indikacione kohore.

23:31

Shasha: Ambasada në Jerusalem, çështje e kryer

Drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha, vlerëson se çështja e hapjes së ambasadës së Kosovës në qytetin izraelit Jerusalem, është e mbyllur.

Shasha në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se Kosova është pjesë e një klubi të izoluar shtetesh që kanë hapur ambasadë në Jerusalem, porse kjo duhet të shihet tashmë si histori, si diçka e kryer.

“Kjo është e çështje e mbyllur, ambasada është e vendosur. Nuk është diçka që do të menaxhohet lehtë, pasi e kemi pozicionin e Turqisë, por e kemi edhe të BE-së. Pos Kosovës, vetëm edhe dy shtete e kanë ambasadën në Jerusalem, e kemi SHBA-në dhe Guatemalën. Kosova i përket një klubi jashtëzakonisht të izoluar të shteteve që e kanë bërë një veprim të tillë. Pse nuk e kanë bërë të tjerat? Pasi ekzistojnë rezoluta mbi rezoluta në gjysmëshekullin e fundit që e ndalojnë këtë. Pra me fjalë të tjera, asnjë shtet në botë nuk dëshiron të jetë dele e zezë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tash kjo është histori, ambasada është ne Jerusalem dhe duhet të ecim përpara”, ka thënë Shasha.

Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës me kushtin që ambasada të hapet në Jerusalem, e jo në Tel-Aviv ku shumica e shteteve të botës i kanë misionet e tyre diplomatike.

Jerusalemi është qytet i ndarë dhe për kryeqytet e synon edhe Palestina.

Së fundi, Turqia ftoi Albin Kurtin, fituesin e zgjedhjeve, që të shqyrtojë punën e ambasadës në Jerusalem kur të marrë postin e kryeministrit, mirëpo në të njëjtën ditë, edhe nga Izraeli i bënë ftesë Kurtit që të marrë pjesë në inaugurimin e ambasadës në Jerusalem.

 

23:09

Shasha: Lajçaku do të japë indikacione se cili është drejtimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi

Demush Shasha nga Instituti “Epik” ka thënë se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka kohë që nuk ka qenë në Ballkan, për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia. Ai ka thënë se përmes vizitës së tij, ai do të japë disa indikacione se cili është drejtimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, gjithashtu edhe indikacione kohore.

Ai ka thënë se vizita e tij ishte e pritshme në kuadër edhe të pozitës së tij.

Shasha në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vizita e Lajçakut ka dy qëllime.

“Qëllimi i parë është që të dëgjojë. Të dëgjojë nga partitë politike në Kosovë prej përfaqësuesve ndërkombëtarë se cilat janë dinamikat politike, planet për bërjen e institucioneve të reja, dhe cilat janë këndvështrimet e para sa i përket dialogut me Serbinë. Qëllimi i dytë është që të na tregojë neve se cilat janë këndvështrimet e tij si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, përkitazi për thelbin e marrëveshjes dhe afateve kohore”, ka thënë ai.

Sipas tij, Lajçak gjatë këtyre ditëve do të ndajë këndvështrimin e tij sa i përket kornizave të gjera për thelbin e marrëveshjes.

“Ai së shpejti do të ketë mandatin e dytë si lehtësues nga BE-ja”, ka thënë ai.