5 perditesime

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shprehet se procesit për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy shteteve i ka ardhur fundi, pas 10 vjet prej që kur ka nisur. Thotë se është qëllimi i BE-së për ta arritur këtë marrëveshje dhe në të janë të fokusuar.

21:00

Palmer: Për SHBA-në normalizimi i plotë arrihet me njohje të ndërsjellë

Zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se synimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është normalizimi i plotë i marrëdhënieve. E Palmer thotë se për SHBA-në kjo do të arrihej nëpërmjet njohjes së ndërsjellë.

“Synimi është normalizimi i plotë i marrëdhënieve. Për SHBA-në kjo do të arrihej nëpërmjet njohjes së dyanshme, mendoj se ky do të ishte themeli më i palëkundur për stabilitetin, paqen, prosperitetin dhe perspektivën evropiane. Por për çfarë kemi nevojë tani është që palët të ulen së bashku, të punojnë drejt këtij procesi të ndërmjetësuar nga BE-ja, t’i identifikojnë pikat e mospajtimit, t’i identifikojnë pikat e pajtimit, dhe të punojnë së bashku në gjetjen e shtegut të ecjes përpara që na shpjerë aty, ku unë mendoj se të gjithë pajtohemi se duam që të jemi, e që është e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën”, ka thënë Palmer në DESKUN e KOHËS.

20:56

Lajçak: Jemi dakorduar me Hotin e Vuçiqin për temat që do të diskutohen

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, thotë se ekziston një plan shumë i saktë sa i përket dialogut mes palëve.

Ai ka thënë se harta e rrugës në këtë dialog është definuar qartësisht dhe është dakorduar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në korrik të vitit të kaluar.

“Jemi pajtuar për listën. Pra, e kemi një plan shumë të saktë. Shpresoj se më kuptoni se është e pamundur që ajo të bëhet publike në këtë moment. Puna ime është që të sigurohem që ata që duhet ta dinë edhe ta dinë këtë. Ekziston një listë, ekziston një mirëkuptim, ekziston një proces, veçse kemi progres, veçse jemi pajtuar rreth elementeve të caktuara të kësaj liste, më specifikisht për personat e pagjetur, për të zhvendosurit, bashkëpunimin ekonomik. Pra, harta e rrugës është e definuar qartësisht dhe është dakorduar nga kryeministri Hoti e presidenti Vuçiq në korrik”, ka thënë Lajçak në DESKUN e KOHËS.

I pyetur nëse do të ketë mbështetjen edhe të Qeverisë së re të Kosovës që pritet të drejtohet nga Vetëvendosja dhe lideri i saj Albin Kurti, Lajçak, ka thënë se është biseduar me Kurtin për këtë edhe dje.

“Siç ju thashë, rezultati i diskutimeve tona mbrëmë ishte se dialogu duhet të vazhdojë dhe në të njëjtën kohë, unë e respektoj plotësisht faktin se z. Kurtit do t’i duhet pak kohë për t’u njohur me dialogun. Ai do të bisedojë me personat që janë pjesë e këtij procesi, do t’i lexojë letrat që i ka marrë nga unë dhe do të takohemi përsëri. Do t’i vazhdojmë diskutimet tona se si dhe kur do ta vazhdojmë dialogun”, ka thënë Lajçak.

20:47

Palmer për dialogun: Nuk duhet të niset nga zeroja, janë arritur gjëra të mira

Mathew Palmer, zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, vlerëson se do të ishte me vlerë nisja e një debati kombëtar në Kosovë për dialogun Kosovë - Serbi, ku do të flitej për qëllimet dhe prioritetet e tij.

Palmer, në një intervistë në DESKUN e KOHËS, tha se transparenca në këtë proces është shumë e rëndësishme dhe se sipas tij, “në dialogun e deritashëm janë arritur shumë gjëra të mira”.

“Është e rëndësishme që publiku i Kosovës të kuptojë se cilat janë çështjet, ujditë, si mund të duken kompromiset dhe cila është rruga përpara. Nuk mendoj se duhet të niset nga zeroja, sepse është bërë punë e mirë gjatë viteve, marrëveshje janë arritur dhe janë implementuar, ka ndihmuar në forcimin e bisedimeve dhe ka ofruar bazë për bisedime të reja, por mendoj se ka hapësirë për transparencë më të madhe dhe hapje në bisedimet mes partive politike dhe më me rëndësi me publikun kosovar”, ka thënë Palmer.

Ai ka folur edhe për kompromisin, që sipas tij, shpesh është keqkuptuar në Kosovë si term.

Zyrtari i lartë amerikan thotë se në një tryezë bisedimesh, pa kompromis nuk ka zgjidhje.

“Kur e përmendët kompromisin, është një fjalë që thumbon publikun këtu, sepse ekziston frika se do të ketë diçka që Kosova duhet të japë, ky është koncepti që kjo fjalë kuptohet shpesh këtu, por çfarë do të thotë në termet e këtij dialogu dhe procesit të Brukselit, çfarë do të thotë kompromisi për ju? Kompromisi si gjithmonë në negociata do të thotë se Serbia ka ambicie, pozicione dhe dëshira, ashtu siç ka Kosova, kanë qëllime në këtë proces dhe duhet të kuptojnë nevojat e palës tjetër dhe të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje që është e pranueshme për të gjithë. Nëse do të ketë një marrëveshje, duhet të jetë që pranohet nga qeveritë në Beograd dhe Prishtinë dhe barabartë, por edhe më me rëndësi, të pranohet nga publiku në Serbi dhe Kosovë”, ka thënë ai.

Palmer thotë se kjo është punë e Lajçakut dhe se SHBA-ja do të mbështet fuqishëm gjithë procesin.

20:45

Palmer: Prioritetet e Kurtit janë edhe tonat

Zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, pret që qeveria e ardhshme e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit të përfshihet me seriozitet në dialogun Kosovë – Serbi.

Palmer në një intervistë në emisionin Desku në KTV, ka thënë se prioritet e përcaktuara nga Albin Kurti, fitues u zgjedhjeve, janë prioritete edhe të SHBA-së.

“Kemi dëgjuar nga Kurti dhe të tjerët në Kosovë se prioritet i tyre është sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe të vendoset rendi brenda shtetit. Dhe sinqerisht, këto janë edhe prioritetet tona. Ne e përkrahim plotësisht këtë agjendë dhe do të jemi partnerë të mirë dhe të fuqishëm për të arritur këto qëllime, ashtu siç kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi. Sidoqoftë, Kosova do të ketë nevojë të bëjë politikë të jashtme, ashtu si të brendshme. Bota nuk pret”, ka thënë Palmer.

20:36

Palmer: Motori parësor për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është dialogu i udhëhequr nga BE-ja

Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, ka thënë se SHBA-ja është aktivisht e angazhuar me lidershipin në Beograd dhe Prishtinë, për ta theksuar dhe shprehur mbështetjen amerikane për dialogun Kosovë – Serbi të udhëhequr nga BE-ja.

Palmer ka thënë se motori parësor drejt normalizimit dhe fuqizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është dialogu i udhëhequr nga BE-ja dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai ka thënë se Marrëveshja e }ashingtonit e nënshkruar me ndërmjetësimin e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka pasur qëllimin të ndihmohet fuqizimi i marrëdhënjeve mes Kosovës e Serbisë.

“Ne jemi të angazhuar aktivisht me lidershipin edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, për të theksuar dhe për të shprehur mbështetjen amerikane për dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe pastaj për të punuar në partneritet me z. Lajçak dhe ekipin e tij për të adresuar dhe avancuar çështjet e caktuara në tryezën e bisedimeve, për të punuar dhe për të inkurajuar përparim dhe për të ndihmuar lidershipin për t’i bërë sytë katër në spektrin e gjerë, në qëllimin që është normalizimi i këtyre marrëdhënieve dhe shtyrje para drejt të ardhmes evropiane”, ka thënë Palmer në DESKUN e KOHËS. “Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, ka qenë shumë i qartë në komentet e tij publike se ne duartrokasim punën që ishte bërë nën administratën e kaluar për normalizimin ekonomik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ka një themel mbi të cilin mund të ndërtohet. Unë nuk dua të lëshohem në mënyrë speficike në marrëveshjen, por në parim, ideja mbi të cilën dëshirojmë të punojmë për fuqizimin e marrëdhënieve ndërpmjet Prishtinës dhe Beogradit, të normalizohen këto marrëdhënie dhe të ndihmohen për të lëvizuar para, mbetet relevante. Dhe motori parësor për këtë është procesi i dialogut i udhëhequr nga BE-ja dhe z. Lajçak”.

20:28

Lajçak: Ultimatumet nuk e ndihmojnë dialogun, Kosova e Serbia të vendosin për shpejtësinë e tij

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shprehet se procesit për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy shteteve i ka ardhur fundi, pas 10 vjet prej që kur ka nisur. Thotë se është qëllimi i BE-së për ta arritur këtë marrëveshje dhe në të janë të fokusuar.

BE-ja, thotë Lajçak, është e gatshme kurdo që të ndihmojë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, gjithçka varet nga këto dy të fundit.

“Tani, kur bie fjala te afatet kohore, unë po them: Ne jemi gati. Unë jam i gatshëm shtatë ditë në javë. Kështu që janë të dyja palët, Kosova dhe Serbia, ato që vendosin për shpejtësinë. Ne duam ta inkurajojmë këtë proces që të ruajë këtë dinamikë. Kështu që, ne nuk po humbim kohë për shkak se nuk ka arsye për ta shtyrë dialogun, dhe unë thashë gjithashtu – meqë e di se për çfarë procesi bëhet fjalë – nuk na duhen vite”, tha ai në Desku tëKTV-së.

Sipas Lajçakut, arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda muajsh nëse të dyja palët janë të gatshme, ndërsa përcaktimin e një afati kohor apo ultimatumi për to, ai e quan artificiale që nuk do ta ndihmonte procesin.

“Mund të kryhet brenda disa muajsh, nëse palët janë të përkushtuara dhe të gatshme për këtë. Andaj, ky është qëllimi im. Kështu që, janë palët ato që vendosin, Bashkimi Evropian pa dyshim se nuk është ai që po e ngadalëson procesin dhe njëherësh, përcaktimi i ultimatumeve do të ishte diçka artificiale dhe nuk mendoj se do ta ndihmonte procesin”, tha Lajçak.

Lajçak ka inkurajuar palën kosovare dhe atë serbe që të vazhdojnë përkushtimin.

Ndërkohë, zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, heziton të përcaktoj një afat kohor se kur mund të përfundojë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, ai pret që shpejt ky proces të shkojë përpara.

“Unë hezitoj të përcaktoj ndonjë afat kohor specifik për dialogun. Por ne absolutisht ndajmë qëllimin e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara, specifikisht për ta çuar përpara shpejt, për ta shtyrë para me vendosmëri”, tha ai në Desku.

Palmer tha se qëllimi i administratave amerikane ndër vite ka qenë që të arrihet marrëveshje me njohje reciproke mes dy shteteve fqinje, e këtë thotë se e mbështet edhe vetë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të kishte marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ligjërisht të detyrueshme që hap rrugën e qartë për integrim evropian për të dyja, Serbinë dhe Kosovën. Ky ka qenë një qëllim i disa administratave amerikane, me marrëveshje me njohje reciproke, ne e mbështesim fuqishëm këtë”, u shpreh Palmer.

Palmer thotë se SHBA-ja do t’i inkurajojë të dyja shtetet që sa më shpejt t’i shtyjnë gjërat përpara, teksa shpreh mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun.

“E dini, Lajçaku po i prin këtij procesi, BE-ja po i prin këtij procesi. SHBA-ja e mbështet fuqishëm këtë proces. Ne do t’i inkurajojmë fuqishëm Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen seriozisht në të dhe t’i shtyjmë gjërat para sa më shpejt që është e mundshme”, tha Palmer.