4 perditesime

Profesori i historisë së Lindjes së Mesme, Muhamed Mufaku, ka thënë se ende nuk dihen detajet në lidhje me zotimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

21:05

Nikaj: Nuk kemi obligim kontraktues për ta respektuar politikën e jashtme të BE-së

|Ish-ambasadori në Bruksel, Bernard Nikaj tha se raportet e Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë më shumë këshillëdhënëse se sa obligative.

“Raporti mes Kosovës dhe BE është më shumë këshillëdhënës se obligativ, sepse dialogu ynë me BE-në sa i përket politikës së jashtme është optimiste të thuhet që janë fillestare”, tha ai në KTV.

Nikaj shtoi se Kosova nuk ka asnjë obligim kontraktuar që ta respektojë politikën e jashtme të BE-së dhe se me të ka një marrëveshje që duhet ta respektojë.

“Ne nuk kemi asnjë obligim kontraktual që ta respektojmë politikën e jashtme të BE-së, jemi në drejtim të asaj por ne e kemi një marrëveshje me BE-në që është ajo e stabilizim asociimit. E kemi një titull aty që merret me politikën e jashtme, ky është një paragraf që thotë se BE-ja dhe Kosova do përafrojnë politikën e jashtme aty ku rrethanat objektive lejojnë, për shkak të pesë shteteve të BE-së që nuk njohin Kosovës”, tha Nikaj.

20:54

Mufaku: Hapja e ambasadës në Jerusalem po përdoret për përfitim elektoral në Izrael

Muhamed Mufaku, profesor i historisë së Lindjes së Mesme, ka thënë se hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është duke u përdorur për përfitime elektorale nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

“Pse po i kërkohet kjo Kosovës. Është bërë edhe marrëveshje mes Emirateve të Bashkuara Arabe e Izraelit, por Emiratet e hapën ambasadën në Tel Aviv. Pse ky imponim vlen vetëm për Kosovën. Ajo dihet se ishte për interesa elektoral të Trumpit apo Netanyahut. Trumpi e shpalli si marrëveshje historike. Tash përsëri kemi zgjedhje, përsëri Netanyahut po i duhet ambasada e Kosovës në Jeursalem për qëllime elektorale. Tash janë zgjedhjet në Izrael. Po promovohet ajo si ambasada e parë e një shteti mysliman. Është kontrast shumë interesant dhe fyesë. Ne e dimë në Kosovë kemi elitë me komplekse orientale. E përkrah këtë orientim të ri në lidhje me ambasadën. Nuk e pengon fare se ambasada jonë quhet ambasada e parë e një shteti mysliman në Jerusalem. E ky term mysliman nuk pranohet brenda Kosovës”, ka thënë Mufaku në DESKUN e KOHËS.

20:46

Mufaku: Ndryshimi i administratës amerikane ka shkaktuar tërmet politik në Lindje të Mesme

Profesori i historisë së Lindjes së Mesme, Muhamed Mufaku, ka thënë se ndryshimi i administratës amerikane ka shkaktuar tërmet politik në Lindjen e Mesme.

Ai ka thënë se ka një kthesë të madhe, duke përfshirë këtu edhe Palestinën e Jerusalemin.

Mufaku ka thënë se po habitet që kjo në Kosovë nuk po merret parasysh.

“Po ndihet një tërmet politik në Lindjen e Mesme si pasojë e politikës së re amerikane. Është kthesë shumë e madhe, duke përfshirë edhe çështjen e Palestinës e Jerusalemit. Po habitem si nuk po merren parasysh këtu. Në lidhje me 4 shtatorin, qëndrimi është që Washingtoni nuk insiston, por megjithatë e lë të hapur, në lidhje me çështjen e hapjes së ambasadës në Jerusalem. Trumpi ishte presidenti i parë që në dhjetor të vitit 2017, deklaroi se do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe e njohu, pe doli më pas rezoluta e asamblesë kundër kësaj. Qëndrimi i fundit amerikan sot një javë, është që Jerusalemi është zonë e kontestueshme, jo kryeqytet i Izraelit. Për këtë çështje lihet hapur. Prandaj ka shumë ndryshime”, ka thënë Mufaku në DESKUN e KOHËS.

20:40

Nikaj: Ridiskutimi mbi çështjen e ambasadës në Jerusalem, kthen në ridiskutim njohjen nga Izraeli

Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se gjërat lidhur me diskutimet për vendosjen e ambasadës në Izrael janë shumë më të thjeshta. Në DESKU tha se në diplomaci Kosova nuk duhet të zgjedhë një palë por të shikojë interesat dhe të kemi marrëdhënie me çdo palë të mundshme.

“Gjërat janë më të qarta se që paraqiten në diskursin publik. Gjërat në diplomaci janë të tilla që nuk duhet të zgjedhim mes një pale apo një tjetre por duhet të provojmë që t’i kemi të gjitha palët, qëllimi jonë është të njihemi nga sa më shumë shtete në botë. Nuk kemi nevojë të zgjedhim”, tha ai.

Vendosjen e ambasadës e sheh si çështje të thjeshtë. Nikaj tha se nëse kjo çështje vihet në ridiskutim, njëjtë ndodhë edhe me njohjen nga Izraeli.

“Njohja e Izraelit dhe ambasada është çështje e thjeshtë. Njohja e Izraelit ka ardhë në kushtin e vendosjes së ambasadës në Jerusalem, këtu nuk ka dilema, nëse e rikthejmë çështjen në ridiskutim kthehet edhe njohja në ridiskutim. Nuk mund të mendojmë se mund ta mbajmë njohjen por ta interpretojmë pjesën e obligimeve tona”, tha Nikaj.

Nikaj thotë se Kosova duhet të angazhohet me partnerë dhe t’i sqarojë pozicionet që ka në skenën ndërkombëtare, ndërsa shton se komunikimi me SHBA-në duhet të vazhdojë.

“Njohja nga Izraeli dhe vendosja e ambasadës në Jerusalem është bërë në koordinim me SHBA. Qeveria duhet të intensifikoj komunikimin me SHBA dhe të përcjell politikën e SHBA në raport me Izraelin”.

Nikaj tha se Kosova është prapa me koordinimin e politikës së jashtme me BE-në.

“Në vazhdimësi kemi insistuar në drejtim të BE për të filuar për afrim të poltiikës së jashtme se sa që kemi pasxë përjgigje nga ana tjetër për shkak të mosnjohjes nga vendet anëtare”, tha ai.

20:30

Mufaku: Nuk e kemi parë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem

Profesori i historisë së Lindjes së Mesme, Muhamed Mufaku, ka thënë se ende nuk dihen detajet në lidhje me zotimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Mufaku në DESKUN e KOHËS ka thënë se vendimi ishte i befasueshëm.

“Kryeministri në detyrë e mori atë vendim me detaje që ende nuk i dimë deri në fund. E dimë vetëm për zotimin e Kosovës që ta hapë ambasadën në Jerusalem. Por, për tjerat nuk dimë. Çfarë është me ambasadën e Izraelit, ku do të vendoset, kur do të hapet. Ato nuk i kemi parë, nuk janë në faqen zyrtare të ministrisë apo më gjerë. Këto çështje janë hapur në mënyrë të befasueshme dhe ende po aktualizohen. Jo në mënyrë profesionale. Po na mungon kjo. Është me rëndësi si punohet në Ministri të Punëve të Jashtme, ku është këshilli për politika, ku janë rekomandimet për vendimmarrje, që kur Hoti të shkojë në }ashington të ketë parasysh rekomandimet e MPJ-së, dhe për interesin strategjik të Kosovës. Dyshoj se ato i kishte të pranishme Hoti”, ka thënë Mufaku.