5 perditesime

Analisti Agron Demi vlerëson se qeveria e re me Vetëvendosjen si fituese e zgjedhjeve do të formohet lehtë dhe do të ketë mandat të plotë 4-vjeçar.

21:24

Demi: Zgjedhja e presidentit, mundësi për LDK-në që mos ta shtyjë përfundimisht jashtë Osmanin

Bojkotimi i LDK-së në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës me mospjesëmarrje në Kuvend, është kundër frymës së kësaj partie, thotë Agron Demi nga Instituti GAP.

Duke krahasuar me votimin e Hashim Thaçit si president kur LDK-ja ia bëri votat, Demi thotë se tash nuk mund të mos e votojnë dikë që ka qenë pjesë e tyre.

“Pres që së paku LDK-ja të qëndrojë në sallë edhe nëse nuk voton, sepse do të ishte veprim tjetër kundër frymës së saj institucionalite që e kanë promovuar tash 20 vite. Një kontrast i madh që ata ia kanë bërë votat z. Thaçit, një armik i tyre që e kanë portretizuar në disa palë zgjedhje dhe tash nuk e votojnë dikë që ka qenë pjesë e tyre për 20 vjet”, tha Demi.

VV-ja, thotë Demi, nuk guxon të mendojë emër tjetër përveç Osmanit për presidente sepse do të humbte shtatë deputetë. Sipas tij, kjo do të jetë një lojë për LDK-në në raport e Osmanin, sepse thotë se ka mundësi që e lidership të ri ajo të rikthehet në parti.

“VV-ja nuk guxon të mendojë emër tjetër për president sepse nëse i ka shtatë deputetë do ta dëmtonte goxha shumë në qeverisje me shtatë deputetë më pak LVV-në. Në anën tjetër, nëse LDK ka marrë rezultat më të dobët historik dhe shpreson që pas disa viteve të ketë rritje të madhe dhe të ketë një derë për Osmanin që të kthehet në LDK për ta forcuar partinë në zgjedhjet e ardhshme, do jetë një lojë edhe për ta që së paku të mos ta shtyjnë përfundimisht Osmanin jashtë LDK-së. Mendoj se ka mundësi që prapë nëse ka lidership të ri në LDK, të kthehet Osmani”, tha Demi.

21:20

Cakolli flet për 3 skenarë për ankesat për votat e komuniteteve

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se janë tre skenarë të mundshëm që mund të ndodhin për votat e komuniteteve, ku po pretendohen se ka pasur manipulim të votave në zona të caktuara me shumicë serbe.

Sipas tij, dy skenarët e parë kanë më pak mundësi që të ndodhin.

‘’Janë tre skenarë që mund të ndodhin në këtë situatë. Skenari i parë është që të anulohen zgjedhjet në vendvotimet përkatëse, që është më pak e mundur. Fillimisht duhet të vendosë PZAP-ja e më pas Supremja, ku mund të kërkohet përsëritja e procesit zgjedhor. Për këtë prokurorisë i duhet një lloj provimi që të konfirmojë se ka pasur manipulim klasik. Skenari i dytë është që të anulohen rezultatet në komunat përkatëse dhe të njëjtat mos të përfshihen në rezultatet përfundimtare, që do ta ndërronte komplet rezultatin zgjedhor. Ligjërisht është një opsion, por ka pak gjasa të ndodhë, pasi duhet shumë kohë. Skenari i tretë është që kjo çështje të mos adresohet nga PZAP-ja dhe Supremja dhe do t’i hapte rrugë subjekteve politike të ankohen në Kushtetutë. Në bazë të praktikës të Gjykatës Evropiane, është rast lehtësisht i fitueshëm nga subjektet që ankohen, pasi ka shumë raste që kjo gjykatë i ka përsëritur ose i ka anuluar disa zgjedhje”, ka thënë Cakolli.

Ai ka treguar se seanca konstituive nuk mund të thirret pa u përmbyllur të gjitha procedurat ligjore, derisa ka treguar edhe për parregullsitë e votave të komuniteteve.

“Në bazë të ankesave të para nga komunitetet jo shumicë, siç është ajo e Duda Baljes që u refuzua nga PZAP-ja si shumë e hershme dhe e ka udhëzuar që ta dërgojë më vonë, kërkesa e parë ka qenë që të anulohen vendvotimet, për shembull në Graçanicë e Kllokot. Kjo mund të marrë kohë për thirrjen e seancës konstituive. Adrijana Hoxhiq ka fituar 87 për qind të votave në zonat me shumicë serbe, ku ka 8.6 për qind koncentrim të popullsisë boshnjake, kurse në zonën e Pejës e Prizrenit, ku priteshin më shumë vota, ka fituar 1 për qind të totalit. Njëjtë vlen edhe për Iniciativën Romane që ka fituar vetëm në Graqanicë, që flet për një tendencë të manipulimit dhe ndikimit të votuesve serbë”, ka thënë Cakolli.

21:17

Cakolli e cilëson emancipim shoqëror votimin e madh të grave më 14 shkurt

Emancipim shoqëror e ka cilësuar votimin e madh për gratë në zgjedhjet e 14 shkurtit, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Duke folur për rritjen e numrit të grave deputete dhe rritjen e konsiderueshme të votave për to në zgjedhjet e fundit parlamentare, Cakolli në “Desku” të KOHËS ka thënë se kjo tregon edhe për përfshirje më të madhe të grave në procesin zgjedhor.

Në bazë të rezultateve përfundimtare, Vjosa Osmani e listës së përbashkët të saj me Vetëvendosjen, doli kandidatja më e votuar me mbi 300 mijë vota. Në listën e VV-së fituan ulëse 44 deputete, duke kaluar shifrën prej 30 për qind, që është kriter ligjor.

21:12

Demi e quan “hakim të Kushtetutës” manipulimin e Listës Serbe

Hakim të Kushtetutës e ka quajtur Agron Demi nga Instituti GAP manipulimin që Lista Serbe bëri në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke nxitur serbë në komunat veriore të votojnë për parti të caktuara të komuniteteve të tjera për të shtrirë ndikimin në Kuvend.

Sipas tij, do të jetë vështirë e interpretueshme ligjërisht se si votat për këto parti janë dhenë në mënyrë të manipulueshme.

Ai ka thënë se po të ishte Kosova e ndarë në disa zona zgjedhore një gjë e tillë s’do të mund të ndodhte.

“Ajo gjithmonë ka siguruar pozitat në Kuvend dhe ka mundur ta bënte këtë edhe më herët, ky është problemi që Kosova ka një zonë zgjedhore. Nëse do të kishte më shumë, problemi do të kufizohej në veri”, ka thënë ai.

Sipas tij, Lista Serbe është e vetmja që ka këtë mundësi të manipulimit sepse ajo e di që s’mund të marrë më shumë se 10 ulëse në Kuvend dhe mund t’i orientojë votat në komunitetet tjera. Ai ka thënë se nëse certifikohen rezultatet e tilla, Lista Serbe do të ketë 14 deputetë në legjislaturën e re, por edhe më shumë në të arhdmen.

21:04

Cakolli: Rritja e VV-së, më e madhja në rajon

Lëvizja Vetëvendosje është rritur për 98 për qind në elektorat, duke bërë rritjen më të madhe të një subjekti politik në gjashtë vendet e rajonit, ka thënë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Cakolli në “Desk” të KTV-së theksoi se kjo votë ishte ndëshkim i madh për establishmentin në Kosovë.

“Në radhë të parë nëse shihet vetëm numri i mandateve, VV-ja ka arritur të dyfishojë mandatet, që është numri më i madh që ka pasur ndonjëherë një parti politike në Kosovë. VV-ja ka pasur rritje për 98 për qind në elektorat, rritja më e madhe në 10 vitet e fundit në gjashtë vendet e rajonit. VV-ja ka arritur të dyfishojë komunat. Në zgjedhjet e fundit ka udhëhequr në 10 komuna, kurse tani në 23. 15 komuna i ka fituar mbi 50 për qind dhe në shtatë qytete të mëdha, përjashto Prizrenin, ka arritur të fitojë 60 për qind, duke konfirmuar votën kundër establishmentit aktual”, ka thënë Cakolli.

21:02

Demi: VV-ja i ka numrat për të qeverisur një mandat të plotë

Analisti Agron Demi vlerëson se qeveria e re me Vetëvendosjen si fituese e zgjedhjeve do të formohet lehtë dhe do të ketë mandat të plotë 4-vjeçar.

“Me 58 mandate plus gjashtë të minoriteteve pa i llogaritur ato katër që po dyshohet se po i kontrollon Lista Serbe, do të ketë numra të mjaftueshëm jo vetëm për të krijuar qeverinë por për të qeverisur për katër vjet mandat të plotë dhe për të shty çdo politikë që e ka premtuar VV-ja gjatë fushatës zgjedhore”, tha ai.

Demi thotë se rezultatet përfundimtare nuk kanë qenë të befasishme dhe janë komentuar që do jenë të ngjashme, por shton se pritja ishte të shihej sa deputetë do të jenë nga Lista Vjosa. Sipas tij, Vjosa Osmani nuk do ta kishte suksesin si tash, nëse do të garonte e vetme.

“Rezultatet përfundimtare nuk dallojnë nga ato që kemi komentuar, nga një deputet ka lëvizë tek VV-ja, PDK dhe AAK. Atë që e kanë pritë shumë qytetarë është se kush do jetë deputet nga lista dhe sa do marrë lista Vjosa në kuadër të LVV-së. Nëse do dilte e vetme nuk do ta merrte gjithë këtë sukses që e ka pasë në kuadër të listës së VV-së sepse sado që e përkrahin Vjosën, prapë kanë qenë të vendosur për ta dhënë përkrahjen për një parti që mund të sjellë ndryshim”, tha ai.

Demi thotë se votuesit e LDK-së të cilët këto zgjedhje shprehën pakënaqësi ndaj partisë me votat e tyre, kanë kaluar në VV falë Osmanit.

“Votuesit e LDK-së që kanë qenë të pakënaqur dhe ndoshta nuk do kishin votuar për VV-në nëse nuk do ishte Vjosa, kanë kaluar në VV falë Vjosës. Nuk ka asnjë problem që VV të krijojë qeverinë e vetme dhe sa më shpejt”, tha ai.