Arbëri

Lajçaku pret takim Kurti-Vuçiq para verës

Lajçaku pret takim Kurti-Vuçiq para verës
 

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të enjten se edhe Kosova edhe Serbia kanë shprehur përkushtim për dialogun dhe “mirëkuptim absolut” se dialogu s’ka alternativë, duke shtuar se pret që një takim mes liderëve të dy vendeve të ndodhë para verës.

Në një intervistë për “N1”, Lajçak ka thënë se vizitën e tij në rajon e ka bërë që të diskutojë me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si negociator të ardhshëm nga Kosova. Sipas tij, takimi me Kurtin ka pasur rëndësi të madhe për shkak se ka marrë mbështetje të madhe nga votuesit në Kosovë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai ka thënë se e ka informuar Kurtin për dialogun e deritashëm. Lajçaku ka thënë se Kurti ka kuptuar se dialogu është i domosdoshëm dhe se pret që ai të vazhdojë duke udhëhequr palën kosovare.