4 perditesime
19:35

Mbrojtja e Mustafës më 18 mars në Kosovë për të mbledhur prova shfajësuese

Saranda Ramaj

Hapat e fundit paragjyqësorë janë diskutuar në seancën statusore kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa i arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë nën dyshimet për krime lufte.

Sipas përfaqësuesit të ekipit të prokurorëve që po merren me çështjen Mustafa, shumica e provave që do të përdoren në këtë proces i janë dorëzuar mbrojtjes së të akuzuarit.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka përfunduar hetimet e veta, ka vetëm dy aktivitete hetimore ende të papërfunduara. Megjithatë , këto dy aktivitete nuk e pengojnë fare kalimin e çështjes në proces gjyqësor. Pra, ne jemi gati për të filluar procesin gjyqësor”.

Megjithatë, pak më shumë kohë para fillimit të gjykimit i nevojitet mbrojtjes së Mustafës. Avokati i tij, Julios Von Bone, në këtë seancë ka treguar se inspektimet e tij në Kosovë do të nisin më 19 mars, ndërsa do të përfundojnë më 5 prill. Ky inspektim, sipas tij, do të bëhet për të mbledhur prova për t’i përdorur në përballjen gjyqësore.

“Sa i takon konferencës së ardhshme për ecurinë e çështjes mendojmë se nga fillimi i majit do të ishte e dobishme. Me shumë gjasë edhe anëtarët e tjerë të ekipit do të ishin në gjendje që të ishin të pranishëm në seancë, përfshirë edhe klientin tim, për të pasur një pamje të plotë të çdo çështjeje tjetër të mbetur pezull”, ka thënë Von Bone.

Në këtë seancë është arritur dakordim që materiali të kalojë tek trupi gjykues më datë 30 prill dhe është parë e nevojshme që në këtë rast të mbahet edhe një seancë përmbyllëse për të trajtuar çështjet e tjera që mund të dalin.

Mustafa nuk ishte i pranishëm në seancë, por një gjë të tillë në këtë fazë e lejon infrastruktura ligjore.

Ai është arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar nën dyshime për krime lufte. Që nga atëherë është duke qëndruar në paraburgim në Hagë.

13:42

Materiali nga hetimet e mbrojtjes së Mustafës kalojnë tek trupi gjykues më 30 prill

Nga 19 mars deri më 5 prill, mbrojtja e Salih Mustafës do të qëndrojë në Kosovë për të mbledhur prova për ta përgatitur përballjen me procesin gjyqësor. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur avokati Julius Von Bone.

Ndërsa, materiali nga hetimet dhe inspektimet e mbrojtjes do të kalojë tek trupi gjykues më së voni më 30 prill.

Pas përfundimit të seancës për ecurinë e çështjes ndaj Mustafës, gjykatësi i Gjykatës Speciale Nicolas Guillou, ka njoftuar urdhrin se mbrojtja e Mustafës deri më 16 prill duhet të nxjerrë çdo material të mundshëm.

Ai ka shtuar se nëse mbrojtja dëshiron t’i drejtohet gjykatësit të procedurës paraprake për ndonjë kërkesë për masa mbrojtëse lidhur me materialin e Mustafës, duhet ta bëjë deri më 18 mars. E deri më 6 prill, mbrojtja është urdhëruar të dorëzojë çdo kërkesë për masa mbrojtëse për dëshmitarë jo të alibisë.

Deri më 16 prill, mbrojtja ftohet të dorëzojë dosjen paraprake dhe materialin e lidhur me të, ka njoftuar Goillou, duke shtuar se “kalimi i dosjes së çështjes në trupin gjykues pritet të ndodhë më 30 prill”.

12:10

Prokuroria shprehet e gatshme të fillojë seanca gjyqësore ndaj Mustafës

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka deklaruar se është e gatshme që të fillojë seanca gjyqësore ndaj ish-kreut të UÇK-së, Salih Mustafës.

Në konferencën e sotme për ecurinë e çështjes, Prokuroria ka thënë se përveç dy çështjeve, kanë filluar aktivitetet e tyre hetimore në këtë rast, duke shtuar se dy çështjet nuk lidhen direkt me rastin në fjalë.

“Për shkak të çështjeve të tjera, kemi filluar disa aktivitete të tjera që mund të kenë lidhje me aspektin gjyqësor. Ne jemi gati të fillojë procesi gjyqësor”, ka deklaruar ai.

Mbrojtja e Mustafës, avokati Julius Von Boné, ka deklaruar se për përgatitjet, 6 prilli nuk do ishte datë e duhur për përmbushjen e aktiviteteve.

“Do sugjeroja që ta shtynim këtë afat por përpara afatit për dosjen paraprake. Unë do kërkoja për 16 prillin, meqë është datë për vendosjen paraprake. Konferenca e ardhshme do të ishte mirë të mbahej nga fillimi i majit. Ekipi do ishte i pranishëm në seancë, përfshirë edhe klienti im”, ka thënë ai.

11:50

Nis seanca ndaj Salih Mustafës

Ka filluar seanca mbi ecurinë e çështjes ndaj Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte.

Nga Gjykata është bërë e ditur se Mustafa nuk është pjesë e kësaj konference.

08:14

Mustafa sot del para Speciales

Sot pritet të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes ndaj Salih Mustafës, ish-shefit të Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Sipas njoftimit nga Dhomat e Specializuara, konferenca pritet të fillojë në ora 11:00.

Muaj më parë, Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa ishte arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar nën dyshimet për krime lufte.