1 perditesime
11:14

Haradinaj: Rruga e familjes Jashari e forcon Kosovën

Kandidati për president i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rruga e familjes Jashari është arritje për lirinë e plotë dhe forcim të vendit.

Haradinaj në vizitë tek varrezat e familjes Jashari ka deklaruar se përvjetori i rënies së kësaj familjeje është e rëndësishme për kombin dhe për proceset e mëdha të rajonit.

“Jemi të bindur se duke ecur në këtë rrugë do të arrijmë lirinë e plotë dhe ta forcojmë Kosovën, u dërguam përshëndetje familjes Jashari dhe gjithë të rënëve”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, Nisma nëpërmejt një postimi në Facebook, ka shkruar se Prekazi është vendi ku pavarësia dhe liria kanë marrë jetë dhe do të jetë në obligimin tonë gjithnjë për të qenë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Shkruan se Epopeja e UÇK-së mobilizoi gjithë kombin shqiptar dhe bëri të mundur nisjen e një kthese historike për popullin shqiptar, e cila kulmoi me lirinë e Kosovës.

10:03

Hoxhaj: Aty ku pushon trupi i Adem Jasharit është epiqendra e lirisë sonë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, dhe anëtarë të kësaj partie kanë kryer homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në 23 vjetorin e rënies së Jasharëve.

Hoxhaj tha se Prekazi dhe vendi ku pushon trupi i Adem Jasharit është epiqendër e lirisë së Kosovës. Me nderime tek varret e familjes Jashari, Hoxhaj tha se nuk ka ngjarje tjetër që mund ta kalojë këtë të Jasharëve.

“Me 5 mars 1998 fitoi guximi mbi frikën, liria mbi okupimin, Kosova mbi Serbinë. Me 5-6-7 mars të këtij viti u flijua familja Jashari për t’u ngritë në këmbë e tërë Kosovë dhe populli shqiptar. Me këtë flijim e atdhedashuri familja Jashari është maja e atdhedashurisë së Kosovës, zeniti i atdhedashurisë dhe nuk ka ngjarje që mund ta tejkalojë këtë ngjarje historike. Mbi këtë flijim e sakrificë ka lindë liria dhe shteti jonë. Prekazi dhe aty ku pushon trupi i Adem Jasharit është epiqendra e lirisë që e gëzojmë sot si shtet sovran dhe i pavarur”, tha Hoxhaj.