(Kosova Press) - Në 23 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, sot në Bibliotekën Kombëtare është hapur ekspozita “Kujtesa e Kosovës - Adem Jashari - rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”.
Për herë të parë janë ekspozuar artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës që pasqyrojnë ngjarjet në familjen Jashari me kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfshinë periudhën nga fundit i dhjetorit 1991 deri në mars të vitit 1998.
Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi tha se ideali për të cilin luftoi komandant Adem Jashari me familjen e tij dhe bashkëluftëtarëve të tjerë në Kosovë, u realizua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
“Shëmbëlltyra e familjes Jashari është unike. Me rënien e familjes Jashari për Kosovën po fillonte një epokë e re, epoka drejt çlirimit të Kosovës”, tha Dumoshi.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari që vjen nga familjar Jashari, në këtë ngjarje pati një porosi.
“Ai popull që nderon dhe respekton të kaluarën, të ardhmen e ka të sigurt”, tha Jashari.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare e Kosovës, Fazli Gajraku tha se në këtë ekspozitë për herë të parë janë ekspozuar artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës që pasqyrojnë ngjarjet në familjen Jashari në krye me komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfshinë periudhën nga fundit i dhjetorit 1991 deri në mars të vitit 1998.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.