5 perditesime

Profesori universitar Bekim Baliqi ka thënë se dorëheqje e Isa Mustafës nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe shkuarja në zgjedhje të reja për kryetar të partisë, pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, është sinjal i mirë për këtë parti, por jo edhe reformë e thellë. Në anën tjetër, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, i ka cilësuar zgjedhjet e 14 marsit në LDK, si ekzistenciale për partinë.

21:19

Analistët e shohin të dëmshme për LDK-në kandidaturën e mundshme të Shalës në momentin e fundit

Analistët Albert Krasniqi dhe Bekim Baliqi e shohin mundësi reale që nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, të kandidojë për kryetar të partisë.

Krasniqi tha se se pavarësisht se Shala nuk ka shfaqur asnjëherë ambicien për të kandiduar, kjo mund të ndodhë porse shton se kandidaturat në momentet e fundit do të ishin të dëmshme për partinë.

“Çfarëdo paraqitje e kandidaturave në Kuvend Zgjedhor do ishte kundërproduktive sepse kandidaturat në momentet e fundit më shumë vijnë si improvizime sesa ambicie të individëve për t’i hyrë garës. Kushdo që do ishte ai kandidat do ishte e dëmshme për LDK-në, spese do ishte si imponim i vullnetit të kryesisë së vjetër me një kandidat”, tha ai.

Kurse Baliqi thotë se profili i Shalës i përgjigjet tërësisht atij të LDK-së, duke mos përjashtuar që ai të jetë kandidat serioz për ta marrë kryesimin e partisë.

“Profili i Kujtim Shalës është tipik profil i LDK-së. nuk e përjashtoj që ai në moment të fundit të kandidojë dhe të jetë një nga kandidatët më serioz”, tha ai.

Ai foli edhe për kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin, për të cilin thotë se nuk sheh alternativë që ky të jetë kandidat.

20:59

“Nuk ka qenë e pritshme kandidatura e Besian Mustafës për të parin e LDK-së”

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka mbetur i befasuar me kandidaturën e Besian Mustafës për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet që do të mbahen më 14 mars.

Krasniqi në “DESK” të KTV-së theksoi se Mustafa ka pak gjasa të zgjidhet kryetar i LDK-së, por e ka bërë më shumë për të rritur pozicionin e tij partiake.

“Nuk është pritur që Besian Mustafa të kandidojë, është ambicie e madhe për të. I mungon përvoja partiake. Prejardhje e tij familjare është një përparësi, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të dimë çfarë ofron Besian Mustafa, cila është platforma e tij. Po më duket një kandidat që e bën për pozicionimin e vet brenda partisë”, është shprehu Kransiqi.

Kurse, analisti politik Bekim Baliqi i ka bërë thirrje lidershipit të ardhshëm të LDK-së që të jetë më transparente me publikun, “të ec me kohën”, siç deklaroi Baliqi.

20:56

Analistët konsiderojnë se kryesia e vjetër e LDK-së s’ka besim tek Abdixhiku

Ndonëse shohin përparësi në krahasim me kandidatët tjerë, analistët Bekim Baliqi dhe Albert Krasniqi konsiderojnë se Lumir Abdixhiku nuk e ka përkrahjen te strukturat e vjetra të partisë për të qenë i pari i LDK-së.

Sipas tyre, Abdixhiku konsiderohet “si figurë e re” dhe zgjedhja e tij përbën “kapërcim të madh brenda LDK-së”.

“Kam dilemën a ka mbetur diçka prej ‘Brezit të Republikës’ në LDK. Nëse ka, ky ka qenë kandidat potencial i duhur në LDK, ndoshta do të ishte atraktiv për votuesit edhe për shkak të profilit, drejtimi ekonomik, pasi kërkohet një menaxher në kuptimin e balancimit të të gjitha grupeve. Por në anën tjetër, çështja është se a ka potencial brenda LDK-së që të bëjë kapërcim aq të madh. Nëse kemi në një anë Lutfi Haziri, veteran brenda partisë, dhe dikush që ka ardhur vonë e s’ka pasur aq shumë përvojë në institucione. A do t’i jepet shansi një të riu? Përparësia është që profili i tij te votuesit përshtatet më shumë. Nëse e shohim në zgjedhjet e fundit, përqindja e votave s’del keq. Ka qenë indikacion që s’është ndëshkuar nga votuesi që ka mbet në LDK dhe që potencialisht do të kishte mundësi të ishte më atraktiv për rikthimn e votuesit. Por problemi qëndron brenda delegatëve se a do të kenë ata një besim apo shpresë që të lënë fatin e LDK-së në një njeri që ka ardhur vonë e s’e njohin aq mirë”, ka deklaruar Baliqi.

Ndërkaq Albert Krasniqi ka thënë se kryesia e vjetër e LDK-së, në krye me Isa Mustafën, dëshiron që të ketë një kryetar, më të ri në moshë, por të kontrollueshëm nga estabilishmenti i vjetër.

“Ata u frikësohen ndryshimeve të mëdha sepse u japin pasiguri. Ekziston mungesë e besimit te Abdixhiku. Ka përparësi sidomos për rritjen e partisë, sepse mund ta bëjë prerjen mes mënyrës se si është qeverisur deri tash LDK-ja dhe pikërisht se s’është shumë nga ajo që përfaqëson sot LDK-ja. Mund të sjellë energji të re. Ka vizion. E mund të jetë konkurrent i zotit Kurti”, ka thënë ai.

Si mangësi tek Abdixhiku, ai ka thënë se është mosnjohja e strukturave.

20:50

Baliqi e Krasniqi thonë se Anton Quni nuk e ka përvojën për të qenë kryetar i LDK-së

Profesori universitar, Bekim Baliqi, e Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thonë se kandidati për kryetar i LDK-së, Anton Quni, nuk e ka përvojën për ta kryesuar këtë parti.

Baliqi tha tek DESKU se pas disa vendimeve, si përjashtimet e disa anëtarëve që janë bërë nga LDK-ja, ku ndër të tjerësh edhe Quni kishte heshtur, ai thotë se kjo e bën edhe atë pjesë të asaj mendësie partiake që tash nuk mund ta kritikojë sepse nuk do të ishte e moralshme.

“Disa prej anëtarëve që janë larguar, si Vjosa apo Bulliqi, Gërvalla që në një mënyrë janë përjashtuar dhe Quni të tjerë kanë heshtur në atë kohë, ata i bënë fajtorë për atë mendësi. A duhet të kritikojnë sepse nuk kanë kritikuar kur kanë marrë vendime që e kanë dëmtuar LDK-në. Kritika që Quni apo tjerët e bëjnë brenda LDK-së nuk është etike apo e moralshme sepse për një kohë të gjatë kanë heshtur. Vendimet e partisë i kanë aprovuar dhe miratuar”, tha ai.

Në krahasim me kandidatin tjetër, Lutfi Hazirin, Baliqi thotë se përvoja e Qunit është “shumë më e mangët”.

Baliqi shton se kryetari i ri i LDK-së do jetë më shumë menaxher i konfliktit që do të mundohet t’i balancojë të tjerët. Për këtë, ai shpreh dyshime në përvojën e Qunit.

“Besoj që kryetari i partisë në LDK ka me qenë më shumë menaxher i konfliktit sesa një lider. Në shumë aspekte do mundohet t’i balancojë forcat e tjerëve dhe kërkohet përvojë dhe njohuri e strukturave. Nuk e di sa ka në këtë aspekt përvojë Quni, e edhe mbështetje”, përfundoi Baliqi.

E, Albert Krasniqi thotë se nga kredencialet më të forta të Anton Qunit janë ato patriotike, por sipas tij, këto nuk mund ta nxjerrin atë fitues sepse thotë se lidhja me UÇK-në dhe luftën nuk është element kryesor që votuesi sot voton për dikë.

Krasniqi tha se Quni nuk shquhet për performancë të jashtëzakonshme gjatë karrierës së tij politike, për çka vë në dyshim edhe atë që do të kishte si lider partie.

“Quni edhe si deputet nuk shquhet për ndonjë performancë të jashtëzakonshme apo kritika ndaj keqqeverisjes. Më shumë e kemi parë në atë rol të unifikimit të ndasive apo moralizuar në situata të caktuara. Më ka befasuar kandidatura e tij, por shohim se ka kandidatura të individëve që e bëjnë më shumë për t’u pozicionuar më mirë në lidershipin e ardhshëm politik”, tha Krasniqi.

20:38

“Koha e Lutfi Hazirit për kryetar të LDK-së ishte në vitin 2019, tash është vonë”

Analisti politik Bekim Baliqi ka thënë se gabimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është që nuk ka lejuar kandidimin e Lutfi Hazirit për kryetar të partisë në vitin 2019, pasi në këtë kohë, sipas tij, është shumë vonë për shkak se është konsumuar politikisht.

Baliqi në “DESK” të KTV-së shtoi se disavantazhi i Hazirit është atraktiviteti për t’i tërhequr votuesit e rinj.

“Unë mendoj që gabimi i LDK-së dhe Hazirit është që nuk është lejuar të kandidojë në vitin 2019, kur u zgjodh Isa Mustafa me marrëveshje, e kandidimi i tashëm do ta dëmtojë Hazirin, sepse në heshtje e ka pranuar atë marrëveshje, që tash del që nuk ka qenë e dobishme. Rezultatet e fundit në zgjedhje tregojnë se edhe në komunën e Hazirit, LDK-ja ka pësuar debakël. Edhe pse për këtë fajtor është niveli qendror, por kjo reflektohet edhe në nivelin lokal. Besoj që prej krejt kandidatëve, Haziri e njeh më mirë LDK-në, por kjo mund të jetë edhe një disavantazh, pasi është konsumuar për votuesin potencial të ri. Delegatët e LDK-së e kanë në dorë kë të zgjedhin”, tha Baliqi.

Ndërkohë, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka thënë se avantazhi i Hazirit është kohëzgjatja e tij në politikë, por nuk është kandidat potencinal për të rritur votat.

“Haziri është për kohë të gjatë në politikë, dhe ky është një avantazh për të. Por nuk është potencial për të rritur votat, kjo është mangësia kryesore e tij. Ai ka qenë pjesë e koalicioneve, veçanërisht me PDK-në, ku LDK-ja pas çdo koalicioni të atillë ka humbur vota. Kjo do të jetë sfida kryesore për kryetarin e ri, për t’i tërhequr votuesit e rinj, e kjo është mangësi e Hazirit. Por ka një përvojë të gjatë në politikë, i njeh institucionet. Pak është konsumuar si figurë politike. Koha e tij ka qenë më herët, Isa Mustafa e ka konsumuar edhe kohën e Hazirit. Nëse do të ishte një kryetar tjetër në vend të Isa Mustafës, nuk besoj që LDK-ja do të ishte në këto numra në këto zgjedhje”, tha Krasniqi në “DESK” të KTV-së.

20:30

Baliqi s’pret reforma të shpejta në LDK, Krasniqi i quan zgjedhjet ekzistenciale

Profesori universitar Bekim Baliqi ka thënë se dorëheqje e Isa Mustafës nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe shkuarja në zgjedhje të reja për kryetar të partisë, pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, është sinjal i mirë për këtë parti, por jo edhe reformë e thellë. Në anën tjetër, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, i ka cilësuar zgjedhjet e 14 marsit në LDK, si ekzistenciale për partinë.

Në Deskun e KOHËS, Baliqi ka thënë se nuk pret që në këtë parti të ketë reformë të thellë shpejt. Sipas tij, zgjedhjet janë “përpjekje për të parandaluar rënien e mëtutjeshme”.

“LDK-ja po mundohet t’i rikuperojë dëmet. Pa zgjedhje të përgjithshme është vështirë të reformohet. Veç zgjedhja e kryetarit s’do të thotë reformim, por është sinjal i mirë, apo edhe i domosdoshëm për t’u kthyer në një rrugë më të mbarë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas Krasniqit, zgjedhjet në LDK do të ishte më mirë po të mbaheshin para zgjedhjeve të vitit 2019, kur Mustafa vazhdoi të mbetej kryetar i partisë me “synimin e ruajtjes së stabilitetit”.

Sipas tij, dëm tjetër nga Mustafa për LDK-në ka qenë mosgarimi i tij në zgjedhje.

“Është vonë e periudhë e shkurtër për të sanuar të gjitha dëmet, për t’i kthyer personat e larguar, por këto zgjedhje do të tregojnë një trajektore për vitet në vazhdim, nëse do të arrijë të reformohet si subjekt e të hapet për gjeneratat e reja e të investojë për ngritjen e kuadrove brenda subjektit politik që viteve të fundit s’është për t’u mburrur se çfarë ka arritur të bëjë. Zgjedhjet janë ekzistenciale për të. Nëse s’kapërcen në proces të vërtetë zgjedhor e improvizon me kandidatura të momentit të fundit, mund të reduktohet tutje sepse s’do të jetë atraktive për votues të rinj. Duhet të jetë tejet e kujdesshme”, ka shtuar ai.

LDK-ja në zgjedhjet e shkurtit doli e treta në renditje me më pak se 13 për qind të votave, duke ngelur larg prapa Vetëvendosjes që fitoi me mbi 50 për qind. PDK-ja doli e dyta me rreth 17 për qind të votave.