1 perditesime
Arbëri

Kosova ende pa vaksina, Zemaj nuk ia lë fajin Qeverisë

Kosova ende pa vaksina, Zemaj nuk ia lë fajin Qeverisë
Foto: KOHA
09:23

Kosova ende pa vaksina, Zemaj nuk ia lë fajin Qeverisë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se janë duke vazhduar luftimin e koronavirusit, duke përmendur se me Ministrinë që ai drejton, kanë bërë përgatitjet e nevojshme për vaksinim.

Zemaj ka deklaruar para Komitetit se është shembull për menaxhimin e pandemisë dhe derisa Kosova nuk është pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk janë fajtor për mosardhjen e vaksinës anti-COVID.

“Derisa nuk jemi pjesë e OBSH-së ne nuk jemi fajtorë që nuk arrin vaksina te ne”.

“Jemi të angazhuar me partnerët tanë, me prodhuesit për të siguruar vaksinën. Qeveria e Kosovës ka paraparë 40 milionë euro për COVID-19, vaksinat do të jepen falas për qytetarët”, ka deklaruar ai. Zemaj ka shtuar se masat do vazhdojnë të jenë në fuqi dhe sot do bëhet rikategorizimi i komunave.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani ka deklaruar se në dy javët e fundit janë regjistruar mbi 7.000 raste pozitive me COVID-19 dhe 60 vdekje.

Ai para Komitetit për Menaxhim të Pandemisë ka deklaruar se kanë arritur ta menaxhojnë përhapjen e koronavirusit dhe fokusi i veçantë është në shkolla.

“Duke pasur parasysh se një fokus i veçantë është në shkolla, ne kemi arritur te parandalojmë përhapjen e virusit, mbi 5.000 të testuar kemi në gjysmëvjetorin e parë. Ne duhet të vazhdojmë të respektojmë masat. Në javën e kaluar kemi lansuar fushatën proaktive për masat dhe për vaksinim”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i SHSKUK-së, Basri Lenjani ka thënë se situata në spitalet e klinikave është e menaxhueshme.

“Në nivel vendi janë duke u trajtuar mbi 600 persona”, ka thënë ai.

09:10

Hoti: E kemi menaxhuar me sukses pandeminë

Ka filluar mbledhja e Komitetit për menaxhimin e pandemisë, ku i pranishëm është edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti i cili ka thënë se ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Sipas tij, pandemia është menaxhuar me sukses.

“U mbushën një vit nga fillimi i pandemisë do të falënderoj dhe të shpreh respektin për të gjithë stafin shëndetësor për punën që kanë bërë ne menaxhimin e pandemisë. Në emër të Qeverisë shpreh ngushëllime për ata që kanë vdekur. Ka qenë përvojë jetësore për të gjithë neve, kemi kaluar një vit të jashtëzakonshme dhe e them me kënaqësi që ja kemi dal.” ka thënë Hoti.

Ai ka lavdëruar ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemajn dhe drejtorin e IKSHPK-së duke thënë se kanë arritur t’i ngritin kapacitetet.

Hoti ka potencuar se edhe kategorizimi i komunave në kuadër të masave është marrë si model nga vendet e tjera.

“Jemi në muajt e fundit të përmbylljes së kësaj pandemie dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. Në dy javët e fundit kemi pasur rritje në numrin e rasteve, por nuk është shumë e lartë kjo rritje, duhet të jemi të mobilizuar me inspektoratin”, ka shtuar ai.