1 perditesime
13:55

Edhe AAK-ja pranon ftesën e VV-së për takim

AAK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Vetëvendosja lidhur me formimin e institucioneve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Nënkryetari i saj, Ardian Gjini, pas mbledhjes së partisë tha se janë konsultuar dhe kanë vendosur për këtë.

“Kryetari dhe Aleanca do të marrin pjesë në takim”, tha ai.

Megjithatë, Gjini tha se nuk ka ende ndonjë vendim se a do të jenë pjesëmarrës në seancën për votimin e presidentit.

Në një postim në Facebook pak minuta më pas, AAK-ja ka konfirmuar se Ramush Haradinaj do të jetë në takim me Albin Kurtin në orën 13:30 të hënën në hapësirat e Kuvendit.

13:20

Mblidhet AAK-ja, nuk dihet arsyeja e takimit

Në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po mbahet takim.

Anëtarët e AAK-së janë mbledhur, por ende nuk dihet arsyeja e mbledhjes së strukturës.

Nënkryetari i partisë, Ardian Gjini, është parë duke hyrë brenda selisë ndërsa tha se takimi është i rregullt.

Deri tani vetëm AAK-ja nuk e ka bërë të ditur qëndrimin e saj lidhur me ftesën e Kurtit për takim, ndonëse para një ftese të tillë, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj kishte thënë se janë të hapur për diskutime.

Lëvizja Vetëvendosje të enjten ka ftuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për takime lidhur me formimin e institucioneve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kjo parti gjithnjë ka qenë pro bisedimeve dhe dialogut, derisa s’ka përmendur nëse do pranojnë ftesën e VV-së. Teksa PDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim.