2 perditesime
16:21

Propozohet pushim njëjavor në arsim

Edona Kutleshi-Maliqaj

Java e ardhshme mund të jetë pushim njëjavor për të gjithë nivelin arsimor. Është ky një nga propozimet e paraqitura të martën, në një takim mes ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorit të IKSHP-së, Naser Ramadani, përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, SHSKUK-së, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve e drejtorive komunale të arsimit.   
Pas takimit, gjatë një konference për media, Zemaj ka thënë se në bazë të situatës me pandeminë do të vendoset nëse do të kalohet për dy javë në mësim online, në mënyrë që të ulet numri i rasteve me COVID nëpër shkolla. 
“Kemi ardhur në disa konkluzione, ku në ditën e nesërme do t’i vlerësojmë së bashku dhe do të marrim një vendim përfundimtar sipas rekomandimeve të IKSHPK-së, që të kemi një shkuarje të parakohshme të pushimit të parakohshëm në të gjitha nivelet arsimore. Këtë në bazë të rekomandimeve dhe mbarëvajtjes së ruajtjes së shëndetit”, ka thënë Zemaj.
Ai ka bërë të ditur se do të shqyrtohet edhe mundësia që prindërit, të cilët kanë fëmijë në çerdhe, njëri të lirohet. 
E zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka theksuar se në bazë të disa vlerësimeve të Inspektoratit të Arsimit, MASH-i ka propozuar që në javën e ardhshme të mos kalohet në mësim online. Kjo meqë, sipas tij, nuk duan të improvizojnë, por të bëjnë përgatitje të mira. 
“Prandaj kemi propozuar një plus një javë pushim, ose rishikim për të parë se në çfarë formash do të shkojmë më tutje. Ne kemi propozuar që të mos i ndalim fëmijët në nivelin parashkollor, kurse në universitet kemi propozuar të shkojmë më një rishtrëngim të masave që ta kontrollojmë pak më mirë situatën në arsimin e lartë”, ka theksuar ai. 
Ndërkaq, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është shprehur se insistimi i tyre ishte që të mos ketë ndërprerje të mësimit, por të kalohet nga mësimi fizik direkt në atë online. 
“Uroj që kjo javë e ardhshme të jetë mobilizuese. SBASHK-u do të jetë tepër i angazhuar që t’i ndihmojë MASH-it, në mënyrë që të jemi të përgatitur, nëse duhet pas javës së ardhshme situata të na e diktojë mësimin online dhe do të bëjmë të pamundurën që t’i mobilizojmë mësimdhënësit brenda kushteve ta japin kontributin e tyre në mësimin online”, ka thënë Jasharaj. 
Gjatë ditës, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një postimi në “Faceboook” ka paralajmëruar për shqyrtimin e mundësisë që nga data 22 mars, për dy javë të kalohet në mësim online.
Në bazë të të dhënave të MASH-it, aktualisht janë 130 raste pozitive me COVID në shkolla. Prej tyre 64 mësimdhënës, 14 personel tjetër i shkollave dhe 52 nxënës. Për këtë arsye, pesë shkolla janë duke punuar në skenarin C, 40 në skenarin B dhe pjesa tjetër në skenarin A.  

 

15:13

Nis takimi në MASH, pritet të merret vendimi për mësim online

Ka nisur takimi në Ministrinë e Arsimit ku pritet të merret vendimi për mësim online.

Pas takimit do të ketë konference për media.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka njoftuar se mund të shkohet në mësim online për dy javë nga 22 marsi.

11:24

Hoti: Po shqyrtohet mbajtja e mësimit online për dy javë, duke filluar nga 22 marsi

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se është duke u shqyrtuar mbajtja e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme duke filluar nga 22 marsi.

Hoti ka shtuar se vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së , IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pas takimit me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe zëvendës Ministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj, kanë vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19, pasi që trendët janë stabile.

“ Edhe një herë kërkuam nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid -19, që të ngrisin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi. Përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë ai.

Vendimi për mësim online në të gjitha nivelet pritet të merret sot në një takim që do të mbahet në ora 15:00 në Ministrinë e Arsimit. Kështu kanë konfirmuar burime të “Kohës”. Në këtë takim pritet të marrin pjesë përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, SBASHK-ut, IKSHPK-së, SSHKUK-së e drejtorive komunale të arsimit.