3 perditesime
16:19

Abdixhiku: Pas formimit të Qeverisë duam të shohim qëndrimet e Osmanit si pretendente për presidente

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas formimit të institucioneve të Kosovës kjo parti do të takohet me Vjosa Osmanin si pretendente për presidente, për të parë qëndrimet e saj karshi partive opozitare, dhe në veçanti për nismën e saj të paralajmëruar.

Ai ka thënë pas takimit me Kurtin dhe Osmanin se LDK-ja do të jetë “opozitë aktive dhe alternativë e re në skenën e ardhshme gjatë qeverisjes”.

“Kemi përfunduar takimet me LVV-në sepse pozicionet janë të qarta. LVV është në pozitë ne jemi ne opozitë ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternativë e re në skenën politike gjatë qeverisjes. Këtu përfundojnë takimet me LVV-në. Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve të takohemi me pretendenten për presidente dhe të kuptojmë pozicionin e saj karshi LDK-së, VV-së, partive opozitare e në veçanti karshi nismës së saj”, ka thënë ai teksa ka njoftuar se takimi do të zhvillohet javën e ardhshme, pas formimit të Qeverisë Kurti 2.

Ai ka njoftuar se të shtunën do të formohet Kryesia e re e LDK-së dhe do të shpalosen detajet e takimit me Kurtin e Osmanit.

Në fund ai ka shtuar se “s’jemi të interesuar të shkaktojmë destabilizim politik”.

16:09

Përfundon takimi mes fituesve të zgjedhjeve dhe LDK-së

Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidates për presidente Vjosa Osmani me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

14:38

Nis takimi i kreut të LDK-së me Kurtin dhe Osmanin

Ka filluar takimi mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani. Nga LDK-ja në takim ka shkuar edhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Kujtim Shala.

08:08

Abdixhiku pritet të takohet sot me Kurtin dhe Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të takohet sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, takim ky i ftuar nga partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Takimi pritet të fillojë në orën 14:30 ndërsa është thënë se do të diskutohet për kandidimin e Osmanit për postin e presidentes dhe votën ose qëndrimin në sallë të LDK-së për të, raporton KOHA.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë javës është takuar me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, ushtruesin e detyrës të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajn dhe me partitë joshumicë. Që të dy nuk kanë lënë të kuptohet se do e votojnë Osmanin për presidente të vendit ndërsa disa prej zyrtarëve të partive joshumicë kanë deklaruar se kanë votë për Kurtin kryeministër dhe Osmanin presidente.

KOHA ka raportuar të enjten se kreu i LDK-së Abdixhiku, për t’ia bërë kuorumin Osmanit, ka kërkuar që ajo ta qartësojë pozicionin e saj LDK-së, si dhe deputetët që i takojnë grupimit të Osmanit ta qartësojnë nëse do të jenë pjesë e qeverisë apo e opozitës.