3 perditesime
15:53

Osmani në ditën e Sindromës Down: Për sytë plotë jetë, do jem gjithmonë mikesha juaj e përbetuar

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se Kosova të cilën e duan është Kosova në të cilën personat me Sindromën Down ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen.

Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë vizitës bashkë me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, në shoqatën “Down Syndrome Kosova” me rastin e ditës së personave me Sindromën Down.

“Vizituam sot shoqatën Down Syndrome Kosova për të bashkëbiseduar me udhëheqësit e shoqatës, prindërit, e për të parë nga afër shërbimet që ofrohen aty për fëmijët dhe për të dëgjuar kërkesat për mbështetje institucionale. Kosova të cilën e duam është Kosova në të cilën personat me Sindromën Down ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen. E për të arritur këtë qëllim, së pari duhet të punojmë në vetëdijësim në mënyrë që përfundimisht të ndodhë integrimi i natyrshëm i personave me Sindromen Down në shoqërinë tonë”, është shprehur Osmani.

Ajo u ka premtuar mbështetje përgjithmonë për personat me sindromën down.

“Jemi shumë më shumë të njëjtë se sa të ndryshëm. Pas një viti sfidues, përtej thirrjeve për mbajtje të distancës ne nuk kemi lënë gurë pa lëvizur që të mbesim të afërt e përzemërt me njëri tjetri. Në po këtë frymë, të punojmë së bashku për t‘u siguruar që të mos presim nga të tjerët të ndryshojnë e t’i përshtaten masës, por të ndryshojmë ne në mënyrë që ata që sot ndihen ndryshe e të përjashtuar, nesër të ndihen të dëgjuar e të integruar. Për sytë plotë jetë e buzëqeshjet më të dëlira, do jem gjithmonë mikesha juaj e përbetuar”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

13:05

BE: Personat me sindromën Down në Kosovë kanë mungesë të kujdesit institucional

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për Ditën Botërore të sindromit Down ka riafirmuar angazhimin për shoqëri gjithëpërfshirëse.

BE-ja përmes një shkrimi në Twitter thotë se personat me sindromin Down në Kosovë përballen me paragjykim e mungesë të kujdesit institucional, qasje në shkollë e punë.

“Ndërsa shënojmë Ditën e Sindromit Down, zyrta e BE-së në Kosovë riafirmon angazhimin për shoqërinë gjithëpërfshirëse. Njerëzit me/ose sindromën Down përballen me paragjykime, mungesë të kujdesit institucional, qasje në shkollë dhe punë, veçanërisht gjatë COVID-19. Ata kanë nevojë për zgjidhje gjithëpërfshirëse, të barabarta dhe të qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.

13:01

Shënohet Dita Botërore e Sindromës Down, kërkohet ofrimi i shërbimeve terapeutike

Ekonomia Online - Duke kërkuar nga Qeveria ofrimin e shërbimeve terapeutike, Shoqata “Down Syndrome Kosova”, ka hapur fushatën “A po m’sheh” në Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down.

Kjo shoqatë e ka filluar fushatën ne oborrin e qeverisë me një veprim simbolik duke e gjuajtur një top brenda objektit, si shenjë për të kërkuar marrjen e përgjegjësive për shërbime ndaj personave me nevoja të veçanta.

Ermira Shabani, udhëheqëse e programit për shërbime në “Down Syndrome Kosova”, ka kërkuar mbështetje nga institucionet për ofrimin e tre shërbimeve terapeutike.

“Sot jemi për ta shënuar Ditën Botërore për Sindrom Down. Kërkojmë mbështetjen e institucioneve vendore për ofrimin tre shërbimeve terapeutike”, ka thënë ajo.

Albion Zeka, zyrtar për ngritje të fondeve, ka thënë se shpreson që Qeveria do t’i marrë për bazë kërkesat e tyre.

“Shpresojmë që këtë vit shteti të marrë përgjegjësi për këto shërbime. Ai shpreson që qeveria të dëgjojë sepse përmes shënimit të topit drejt qeverisë po kërkojmë që të marrin përgjegjësi për këto shërbime”, deklaroi ai.

12:46

Hoti: Qeveria zotohet për trajtimin të barabartë të fëmijëve me sindromën Down

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në Ditën Botërore të sindromës Down, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës edhe një herë zotohet se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për trajtim të barabartë dhe për krijimin e kushteve të nevojshme për shkollimin dhe zhvillimin e fëmijëve të prekur me këtë sindromë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur gjithnjë gatishmëri dhe vullnet për të vënë në dispozicion gjithë mekanizmat e nevojshëm për t’ua mundësuar të prekurve me sindromën Down, që t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, duke filluar nga shkollimi deri tek krijimi i kushteve për jetë të pavarur, përmes mbështetjes së aftësive dhe talenteve të tyre të jashtëzakonshme”, ka shkruar Hoti në Facebook.