1 perditesime
Arbëri

Hoti: Stuhia zgjedhore përfundon shpejtë e të vërtetat dalin në dritë

Hoti: Stuhia zgjedhore përfundon shpejtë e të vërtetat dalin në dritë
20:47

Hoti: Stuhia zgjedhore përfundon shpejtë e të vërtetat dalin në dritë

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se sot deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur Qeverinë.

Ai ka uruar kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës, duke shtuar se suksesi i tyre është i Kosovës dhe dështimi i tyre i kushton vendit.

Hoti ka thënë se ka qenë nder për të që të udhëheqë vendin dhe është munduar të udhëheqë me integritet.

“Nuk ka qenë e lehtë, jemi përballur me polarizime ekstreme politike, por kjo ka ndodhur që 10 vite në vend. Në menaxhimin e pandemisë kemi shumëfishuar numrin e testimeve. Kemi përmirësuar furnizimin me barna, kemi punuar në sigurimin vaksinave anti-Covid. kemi përmirësuar marrëdhëniet me miqtë tanë, kemi rifilluar dialogun me parime të qarta, kemi hequr nga diskutimi temën e ndarjes, kemi arritur marrëveshjen. Kemi marrë reforma në rendin dhe ligjin, kemi marrë veprime ekzekutive sic është rasti në Karaçevë. Kemi edhe punë tjera që kemi nisur por nuk janë bërë për shkak të pandemisë”, ka thënë ai.

Hoti tutje ka shtuar se me gjithë sfida, është krenar që Kosova është në gjendje më të mirë sesa që ka qenë kur ai ka marrë detyrën.

Ai ka thënë se është krenar që kanë vendosur standard në qeverisje.

Hoti tutje falënderuar kabinetin e tij qeverisës dhe të gjithë ata që ka bashkëpunuar.

Ai ka falënderuar edhe stafin shëndetësor, punëtorët e arsimit dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Unë nesër do të dorëzoj detyrën, kryeministrit ia kam përgatitur dosjen për punët që janë në proces. Janë disa procese që duhet çuar përpara. Kryeministrit të ri do t’ia dorëzojë informatat e plota për nivelin e zbatimit të MSA-së, programet IPA, për procesin e dialogut e për marrëveshjen e Washingtonit”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se LDK dhe vetë ai nisin një rrugëtim tjetër, nga opozita.

Ai ka thënë se do të kujdesen që premtimet zgjedhore të realizohen pikë për pikë, duke shtuar se nuk do të gjuajnë gaz lotësjellës në Kuvend.

“Stuhia zgjedhore pushon shpejtë dhe të vërtetat dalin në dritë. Vetëm të vërtetat i qëndrojnë kohës, ne do të jemi këtu për ta bërë shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

19:58

Hoti thërret konferencë për media

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar konferencë për media nga ora 20:30.

Ky paralajmërim vjen pas votimit të Qeverisë Kurti.

Qeveria Kurti është votuar me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim. Ndërkaq sallën e seancave, pas votimit e ka lëshuar opozita.