3 perditesime
16:50

Osmani: Nuk kam pasur ndonjë kërkesë nga Abdixhiku lidhur me deputetët e listës “Guxo”

Kandidatja për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka pasur ndonjë kërkesë në lidhje me deputetët e Listës “Guxo”.

“Sa i përket deputetëve të Listës Guxo nuk ka pasur asnjë kërkesë të vetme nga Abdixhiku. Deputetët i nënshtrohen mandatit të lirë dhe përgjigjen vetëm para qytetarëve dhe këta deputetë që të gjithë kanë marrë një mandat të qartë brenda një liste të caktuar, e kanë marrë një mandat për ndryshim pozitiv në vendin tonë, kurse qartësimet që janë kërkuar kanë qenë në raport me presidenten e jo në raport me deputetët. Qartësimi që është kërkuar ishte kryesisht në frymën kushtetuese, pra nëse presidentja e ardhshme do të jetë presidente e të gjithëve, do t’i trajtoj si të barabartë të gjithë deputetët e Kuvendit, gjitha partitë politike dhe natyrisht unë këtë garancë e jap jo vetëm pse ma kërkon Kushtetuta, por sepse e kam edhe intencë, sepse e kam edhe qëllim dhe pikërisht kjo do të ndodh, pra të gjitha partitë politike do të trajtohen barabartë", deklaroi Osmani. "Do të kërkohet që të bashkëpunojmë, sepse historia e ka dëshmuar se vetëm me forca të bashkuara kemi dalë të suksesshëm dhe sa i përket konsolidimit të shtetësisë dhe sa i përket sfidave të tjera me të cilat është dashur të merremi. Prandaj këtë qëllim timin e kam prezantuar në çdo takim me partitë politike dhe jam e bindur që të gjitha do të kontribuojnë në konstituimin e institucioneve dhe funksionalitetin e tyre. Pra më shumë kemi diskutuar në suaza të rolit të presidentes së ardhshme, pra nuk ka pasur asnjë kërkesë për ndonjë deputetë të vetëm, sepse siç e thash, ata kanë mandat të lirë”.

Osmani ka thënë pas takimit me Abdixhikun sot se ditëve të ardhshme ata do të kenë edhe një takim tjetër ndërkohë që sot ia ka paraqitur atij platformën për presidente. Ajo ka shtuar se është evidente se duhet ecur shpejt në këtë drejtim. 

“Ishte një takim shumë i mirë kisha mundësinë që në detaje të flas për platformën time presidenciale, për fushat kryesore që janë brenda funksioneve të kreut të shtetit dhe për mënyrën se si do t’i qasem opozitës në të ardhmen sa i përket bashkëpunimit në këto fusha kryesisht në fushën e politikës së jashtme e sigurisë, por edhe çështje të tjera janë të domosdoshme që të shtyhen përpara. Ishte një bashkëbisedim shumë kolegial me njerëz që kam bashkëpunuar në këto 20 vjetët e fundit. Tani pas e prezantova këtë platformë presidenciale kreu i LDK-së e nënkryetari kërkuan që të rikthehen në organet e partisë së tyre dhe të diskutojnë më në detaje për këto që i diskutuam sot dhe pastaj do të takohemi edhe njëherë besoj në ditët në vijim. Shumë shpejt sepse afatet kushtetuese po rrjedhin dhe të më njoftojnë për qëndrimet e tyre përfundimtare. Pra, sot ishte diskutim rreth qasjes që do ta kem si presidente e të gjithë qytetarëve tanë, si presidente që do të bashkëpunoj me të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë partiake ose etnike, dhe natyrshëm që gjithçka shkoj në natyrën pozitive. Është evidente që duhet t’i bëjmë përgatitjet shumë shpejt dhe në ditët në vijim pres që të takohemi me LDK-në e të sqarojmë se cili do të jetë qëndrimi i tyre”, ka thënë Osmani.

Pas takimit me Abdixhiku pretendentja për presidente Vjosa Osmani ka thënë se pret nga kolegët e saj të ish-partisë, LDK-së, që ta përkrahin për presidente, derisa një gjë të tillë e pret nga të gjithë deputetët e Kuvendit.

“Natyrisht që unë pres mbështetje prej ish-kolegëve të mi, por edhe prej të gjithë deputetëve të Kosovës. Është në interes të vendit tonë që të bëjmë konstituimin e institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të tria institucionet të jenë funksionale dhe jam e bindur që të gjithë e kemi qëllimin e përbashkët e ai është që të çojmë Kosovën përpara. LDK-ja ka propozuar që të mbajmë këtë takim që është arsyeja pse e mbajtëm sot. Natyrisht se unë jam e gatshme që me të gjitha partitë politike të ulem dhe ta diskutoj në detaje këtë platformë presidenciale, por edhe me deputetë individual në qoftëse ka interesim nga ta. Shpresoj që shumë shpejt të shkojmë në parlament dhe ta konstituojmë edhe institucionin e tretë që të përkrahjet kjo qasje e imja për një institucion të presidentit që garanton funksionimin kushtetues dhe mbron integritetin e institucioneve tona, mbron Republikën e Kosovës dhe potencialin e saj. Pastaj kur konstituohen të tri institucionet do të jetë shumë më e lehtë që të ecim përpara me ide të mira për vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani beson se seanca për presidentin do të mbahet shumë shpejtë sapo të përfundojnë procedurat për zëvendësimin e deputetëve të cilët kanë marrë poste ministrore.

“Sa i përket datës për mbajtjen e seancës ne po presim që edhe formalisht të zëvendësohen deputetët. E di që sot KQZ-ja ka mbajtur mbledhje, por janë edhe disa procedura tjera që duhet të kalohen nga Presidenca në Kuvend e tutje, pra në momentin kur njoftohemi që këto kushte procedura janë plotësuar do të ulemi me subjektet politike për të parë nëse mund të ecim përpara me seancën, por siç e thashë është çështje ditës”, ka thënë Osmani.

 

15:43

Abdixhiku: S’kemi vërejtje për platformën e Osmanit, takimi ka qenë pozitiv

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas ftesës së Osmanit sot kanë mbajtur takim dhe në këtë takim është diskutuar çështja e presidentit.

Ai ka thënë se takimi ka qenë i frytshëm dhe pozitivë.

“Kemi diskutuar platformën që Osmani dëshiron ta ndërtojë në rolin që synon. Nuk kemi vërejtje sa i përket përmbajtjes së platformës. Do të kemi edhe një takim të ardhshëm, ndërkohë do t’i kthehemi organeve të partisë”, ka thënë ai. “Ne kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm do të kemi nevojë për qartësime shtesë dhe do të kemi kohë për diskutimet brenda partive Seanca mund të thirret në momentin e parë që ka pajtueshmëri mes akterëve politik e jo të njërës palë. Deputetët e Listës ‘GUXO’ janë pjesë e koalicionit qeverisës deputetët e LDK janë pjesë e opozitës”.

14:10

Nis takimi Osmani-Abdixhiku

Ka nisur të mbahet takimi mes kandidates për presidente, Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Takimi po mbahet në hapësira e Kuvendit të Kosovës. Pjesëmarrës në takim shihet të jetë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

10:04

Osmani e Abdixhiku takohen sot

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot do të takohet me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.

Këtë e kanë konfirmuar nga lista "Vjosa". Takimi do të mbahet në orën 14:00.

Abdixhiku kishte paralajmëruar takim vetëm me pretendenten për presidente për t’i qartësuar qëndrimet karshi partive tjera dhe nismës së saj politike.