Arbëri

Nga 77 mijë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka zgjidhur vetëm 17 mijë lëndë

 

Hulumtuesi i lartë ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, thotë se bazuar në raportet dhe analizat e kaluara, numri i madh i lëndëve të pazgjidhura do të ndikojë edhe në vitet e ardhshme në efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve dhe stabilitetin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Megjithëse Gjykata nuk ka dhënë shifra, ai i ka treguar shkaqet dhe arsyet që çojnë edhe në parashkrimin e lëndëve

Numër i madh i lëndëve kanë mbetur të pazgjidhura në Gjykatën Themelore të Prishtinës bashkë me degët e saj në Podujevë, Drenas, Lipjan e Graçanicë gjatë vitit 2020. Kjo Gjykatë në të cilën përfshihen edhe lëndët që vijnë nga komunat Fushë-Kosovë e Obiliq gjatë vitit të kaluar i ka pasur në punë 77 mijë e 736 lëndë penale e civile (21,581 penale dhe 56,155 civile). Prej tyre ka arritur t’i kryejë vetëm 17 mijë e 384 lëndë, ndërsa i kanë mbetur të pazgjidhura edhe 60 mijë e 352 lëndë (15,209 penale dhe 45143 civile).

KOHA ka drejtuar pyetje në adresë të kësaj Gjykata edhe për vlerësimin e punës së gjyqtarëve gjatë vitit të kaluar dhe po ashtu për numrin e lëndëve që kanë arritur parashkrimin për shkak të përfundimit të afateve për të trajtuar një lëndë, por përgjigjet në këto dy pyetje kanë munguar. Numrin e lëndëve që kanë arritur parashkrimin nuk e dinë as në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuesit e të cilit e monitorojnë punën e gjykatave.