4 perditesime
20:31

Vitia: Edhe pse vaksinimi po fillon, s’do të thotë që pandemisë po i vjen fundi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka cilësuar të moment të shumëpritur ardhjen e vaksinës anti-COVID në Kosovë, duke thënë se kjo shënon një fazë të re në luftën kundër këtij virusi.

Vitia ka thënë se duhet filluar sa më parë me dhënien e dozave të para të vaksinës pasi që nuk ka kohë për të humbur, ndërsa të parët që do vaksinohen janë ekipet mjekësore.

“Vend për çlirim dhe relaksim nuk kemi, edhe pse vaksinimi po fillon, s’do të thotë që kësaj pandemie po i vjen fundit. Duhet të vazhdojmë t’i respektojmë masat. Ne po vlerësojmë në vazhdimësi gjendjen dhe bashkë do ulim numrin e të infektuarve, vetëm bashkë ia dalim”, ka deklaruar Vitia.

Ministri i Shëndetësisë ka thënë se ka biseduar me shtetet mike për t’i siguruar edhe dozat e tjera të vaksinës, duke shprehur falënderim ndaj tyre për përkrahje në këtë luftë. Vitia ka thënë se vaksinimi do të nis nga java e ardhshme.

"Vaksinimi nis këtë javë me prioritet tek personeli shëndetësorë të cilët tash e një vit kanë punuar për shëndetin publik”, ka thënë ai.

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Ricardo Serri ka thënë se është kënaqësi për të që të përfaqësoj BE-në për të pritur vaksinat e para anti-Covid.

Ai ka thënë se ka qenë periudhë e vështirë për të gjithë, por sot, një vit prej kur janë shënuar rastet e para mund të jetë dita që shënon fillimin e fundit të pandemisë.

“Sot Kosova për herë të parë ka marrë 24 mijë doza të vaksinës anti-Covid dhe ndoshta janë të mjaftueshme për t’i adresuar nevojat e personave të cilët janë në vijën e parë të frontit”, ka thënë ai.

Serri ka thënë se ky kontingjent është i pari porse javëve në vazhdim do të vijnë edhe vaksina tjera.

Ndërkaq ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicolas Abbott ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në prurjen e vaksinave anti-Covid, derisa ka bërë thirrje që të vazhdohet në respektimin e masave anti-Covid.

Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, Ulrika Richardson ka falënderuar gjithashtu edhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e k

“Arritja e vaksinës sjellë shpresë, por COVIDI nuk ka mbaruar. Unë bëj thirrje që të gjithë t’i respektoni masat”, ka thënë ajo, duke shtuar se askush nuk është i sigurt derisa të gjithë janë të sigurt.

20:22

Kurti: Ky është kontingjent i vogël por ngjall shpresë, është koha që të veprojmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky është një kontingjent i vogël por që ngjallë shpresë të madhe për fillimin e shpëtimit të jetës së njerëzve.

Ai ka thënë se secila jetë në çdo vend të botës është e çmuar.

Kurti ka thënë se virusi nuk njeh kufij e dhe askush nuk është i sigurt derisa të gjithë janë të sigurt.

“Vendi ynë është i vogël e varfër, andaj ka nevojë për mbështetje të madhe e solidaritet, sidomos në SHBA e BE-ja. Gjatë vitit që lamë pas është humbur kohë në qeverisjen. Kohë që na ka kushtuar shumë e me shumë jetë njerëzish, atë kohë nuk e kthej mbrapa siç nuk mund t’i kthej mbrapa ata që i humbëm. Tash është koha që të veprojmë, mijëra të infektuar e qindra të vdekur. kemi humbur 16 mjekë e 8 infermierë. Në një vend si ne, shifra të tilla i ngjajnë një kohe lufte. Sot është tejkaluar numri prej 500 vdekjeve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Qeveria është në krye të detyrës, po punon ditë e natë, që të sigurojë sa më shumë vaksina.

“Le të tregohemi të kujdesshëm e të përgjegjshëm”, ka thënë ai.

19:46

Arrijnë në Kosovë dozat e para të vaksinave anti-COVID

Kanë mbërritur në Kosovë vaksinat e para anti-Covid.

Bëhet fjalë për 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas” të cilat kanë ardhur përmes programit COVAX.

Nga ora 20:15 pritet që kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, t’i presin edhe zyrtarisht kontingjentin e parë të vaksinave.

09:48

Kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19 mbërrin sot në ora 20:15

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se sot në ora 20:15 kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.

Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15.

KOHA kishte mësuar se bëhet fjalë për rreth 24.000 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, që vijnë përmes programit “COVAX”.

09:07

Sot pritet të vijnë vaksinat e para anti-COVID në Kosovë

Sot [e dielë] pritet të vijnë vaksinat e para anti-COVID në Kosovë. Këtë e konfirmoi dje drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge.

Kluge i ishte përgjigjur një pyetje të komentuesit në rrjetin social Twitter, ku ka thënë shkurt se sot do të vijnë vaksinat e para në Kosovë.

KOHA kishte mësuar se bëhet fjalë për rreth 24.000 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, që vijnë përmes programit “COVAX”.

COVAX-i kishte premtuar mbi 100 mijë doza të vaksinës për Kosovën, që është vendi i vetëm në Evropë që ende s’ka nisur vaksinimin.

Autoritetet e Kosovës kishin premtuar nisjen e vaksinimit qysh për muajin shkurt, por kjo s’ishte realizuar.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 87 mijë e 67 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1830 kanë humbur betejën me virusin.