1 perditesime
23:20

Ibrahimi: Do të vazhdohet me masat që janë në fuqi

Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, vlerëson se me një monitorim më strikt të masave aktuale që kanë të bëjnë me pandeminë, rezultatet do të ishin shumë më të mëdha.

Ai në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se do të vazhdohet me këto masa që janë në fuqi, të paktën deri në një rekomandim të ardhshëm të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

"Për momentin është konstatuar se do të vazhdohet me masat aktuale, të cilat kanë dhënë rezultate në të kaluarën, por që duhet një inspektim më strikt nga Policia dhe inspektorët. Nga ministri Arben Vitia jam informuar IKSHPK-ja është duke e monitoruar situatën dhe së shpejti do të dalë me një analizë dhe me rekomandime për situatën e krijuar së fundi. Më duhet të theksoj se që nga fillimi i pandemisë, kryetarët e komunave dhe komunat i kanë respektuar të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga IKSHPK-ja", ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, kryetarët e komunave janë unik kur bëhet fjalë për shëndetin publik, por diç tha duhet të mendohet edhe për shëndetin ekonomik.

Ibrahimi kërkoi më shumë buxhet për komunat, pasi sipas tij "jeta bëhet nëpër komuna" dhe vetëm 23 për qind e buxhetit ndahet për komunat.

23:02

11 mijë doza të vaksinës janë për personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi ka thënë se me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia kanë mbajtur mbledhje me kryetarët e komunave të Kosovës ku temë ishte shpërndarja e vaksinave anti-Covid.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nga kontingjenti prej 24 mijë dozave, 13 mijë vaksina do të jenë për stafin shëndetësorë dhe 11 mijë doza do të jenë për moshat mbi 80-vjeçare dhe për ata me probleme shëndetësore.

“Nëpër qendrat e mjekësisë familjare do të bëhet vaksinimi i qytetarëve. Stafi është trajnuar lidhur me vaksinimin. Ministri Vitia ka përmendur që gjatë muajit maj do të vije edhe kontingjenti tjetër”, ka thënë ai, duke përmendur edhe njëherë që përmes rrjetit COVAX janë siguruar 100 mijë e 800 vaksina.