1 perditesime
19:19

Gërvalla kërkon mbështetjen e Austrisë në përpjekjet për të fituar njohje diplomatike

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, ka zhvilluar biseda me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlandon dhe ministrin Federal të Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Alexander Schallenberg.

Në bisedën e parë bilaterale mes Schallenberg dhe Gërvallës u diskutuan një varg temash ndër të tjera rreth gjendjes politike në rajon si dhe hapave konkret drejt bashkëpunimit të mëtejmë.

Schallenberg theksoi se Kosova gëzon një simpati të madhe në Austri dhe se qëndron lart në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të vendit të tij. Ndërsa, Gërvalla kërkoi mbështetjen e Austrisë në përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje diplomatike edhe tek ata partnerë të BE-së, të cilët ende nuk janë bërë pjesë e shumicës dërmuese të anëtarëve të BE-së, të cilët e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

U fol edhe për dialogun me Serbinë, ku Gërvalla tha se pas një analize të thellë të bisedimeve do përpilojë një strategji të mirëfilltë.

Schallenberg e ftoi atë të marrë pjesë në Forumin Evropian Ëachau në Vjenë më 11 qershor, ku do të ketë mundësi për një shkëmbim të drejtpërdrejtë mes ministrave të jashtëm nga rajoni dhe më gjerë.

Kurse, në vazhdën e takimeve me ambasadorët e akredituar në Kosovë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando. Me të është biseduar për bashkëpunimin dypalësh dhe nevojën e zgjerimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Marrëdhëniet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë janë të shkëlqyeshme, mirëpo duke pas parasysh miqësinë e vjetër midis popujve tanë, mund të bëhet edhe shumë më tepër në thellimin e raporteve tona, në fushat të ndryshme, në të mirën e të dyja vendeve tona”, ka theksuar Gërvalla, thuhet në komunikatë.

15:30

Gërvalla: Marrëveshja Kosovë-Serbi të mos e cenojë sovranitetin e vendit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ajo në takim ka thënë të martën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme të Kosovës gjatë mandatit të saj.

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në raport me Kosovën është vështirë i përshkueshëm me pak fjalë, ngase përkrahja amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash. Një Kosovë e fortë, demokratike, ku zbatohet ligji dhe respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar, një Kosovë me mirëqenie dhe e integruar në BE dhe NATO, është interes i yni i përbashkët”, tha Gërvalla.

Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale me pandeminë, si dhe nevoja urgjente për rimëkëmbje ekonomike dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.

"Sa i përket normalizimit të marëdhënieve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare ka theksuar nevojën për të zhvilluar bisedime përmbajtësore, të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje që nuk cenon kushtetuetshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, si zgjidhje e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon, fqinjësi të mirë dhe prosperitet për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës", thuhet në njoftim.