Arbëri

SHBA-ja: Shqipëria mund të mbështetet te ne më shumë se kurrë më parë

 SHBA-ja: Shqipëria mund të mbështetet te ne më shumë se kurrë më parë
 

Shqipëria mund të mbështetet te Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten te Shqipëria më shumë se kurrë - ky është mesazhi që SHBA-ja përcjell përmes Ambasadës në Tiranë me rastin e 12-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Dymbëdhjetë vjet më parë, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtar i aleancës ndërkombëtare ushtarake, NATO. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO.