1 perditesime
Arbëri

Haradinaj i del në mbrojtje kryetarit të Tuzit

Haradinaj i del në mbrojtje kryetarit të Tuzit
Nik Gjeloshaj
21:03

Haradinaj i del në mbrojtje kryetarit të Tuzit

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit në Podgoricë.

Ndaj Gjeloshajt rëndon akuza për thirrje për rezistencë, pasi me 24 e 25 shkurt kishte sfiduar organet e shtetit, duke ftuar pronaret e lokaleve në qytetin e Tuzit t’i hapin ato, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë në Podgoricë për mbyllje për shkak të pandemisë.

“Nik Gjeloshaj, kryetari i Tuzit sot ballafaqohet me një aktakuzë për rezistencë.

Të linçohet një kryetar në shekullin 21 në mes të Evropës, vetëm se ngriti zërin për të drejtën e qytetarëve të cilët i përfaqëson, është e papranueshme.

Kjo rezistencë për të drejtat e shqiptarëve sot, është rezistencë e të gjithë neve kundër regjimeve që persekutojnë, shtypin dhe mohojnë vlerat euro-atlantike.

Kosova dhe Mali i Zi janë vende mike që së bashku rrugëtojnë drejt integrimeve evropiane. Andaj, së bashku duhet t’i rezistojmë çdo tendence që ka për qëllim pengimin e kësaj rruge, qoftë edhe kur shpërfaqet në persekutimin e liderëve lokal që mbrojnë të drejtat e shqiptarëve apo vlerave që ne përfaqësojmë’, ka shkruar Haradinaj.

20:17

Aktakuzë kundër kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj

Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore kundër kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, për veprën penale thirrje për rezistencë.

Aktakuzë është ngritur edhe kundër kryeshefit të Policisë Komunale, Rexhep Çunmulaj dhe policit komunal E.M, për të njëjtën vepër.

Gjeloshaj akuzohet se më 24 e 25 shkurt të këtij viti, sfidoi organet e rendit, duke i ftuar pronarët e gastronomisë në qytet t’i hapin lokalet, përkundër vendimit të Qeverisë për mbyllje shkaku i COVID-19.

“Gjeloshaj akuzohet se u ka bërë thirrje të tjerëve të rezistojnë dhe të mos i binden vendimit të ligjshëm të organit shtetëror dhe të një zyrtari në kryerjen e veprimit zyrtar, si rezultat i të cilit vendimi i ligjshëm i organit shtetëror nuk u zbatua, sepse më 24 shkurt, ai organizoi takim me pronarët e objekteve hotelerike nga Tuzi dhe u bëri thirrje, të hapin objektet e tyre, gjë të cilën pronarët e bënë të nesërmen, në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ndalonte funksionimin e objekteve hotelierike, njoftoi Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë.

Rexhep Çunmulaj dhe E.M akuzohen se kanë ndihmuar Gjeloshajn, sepse, në të dy korsitë e rrugës Podgoricë – Tuz, parkuan automjete zyrtare të Policisë Komunale, bllokuan trafikun dhe kështu penguan ndjeshëm zbatimin e veprimeve zyrtare nga oficerët e Drejtorisë së Policisë – Qendra e Sigurisë Podgoricë, të cilët kryenin inspektimin mbi respektimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë. \ tch