1 perditesime
Arbëri

Nagavci: Mësimi sot ka nisur pa pengesa, do vendoset se si do të vazhdojmë javën tjetër

Nagavci: Mësimi sot ka nisur pa pengesa, do vendoset se si do të vazhdojmë javën tjetër
Foto: Driton Paqarada / KOHA
13:21

Nagavci: Mësimi sot ka nisur pa pengesa, do vendoset se si do të vazhdojmë javën tjetër

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se në bazë të vendimit për masat kundër pandemisë, mësimi në shkolla po zhvillohet në disa nivele.

Ajo ka thënë se sipas informatave, mësimi sot ka filluar në të gjitha shkollat përveç në një fshat të Mitrovicës ku nxënësit kanë probleme me transport.

Nagavci ka thënë se për klasat e mesme të ulëta dhe të larta mësimi po zhvillohet në distancë.

“Komunat kanë raportuar se është kryer dezinfektimi i të gjitha shkollave. Sa i përket pajisjeve teknologjike komuna ka marrë të gjitha masat. Në këtë formë do të vazhdohet këtë javë, për javën e ardhshme do të merret vendimi se si do të vazhdohet. Përderisa mësimi po shkon pa pengesa deri në këtë kohë, unë u bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira në proces që të angazhohemi që të mos lëmë prapa asnjë fëmijë sa i përket arritjes së rezultateve të dëshiruara”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve do të trajtohet me prioritet.

 

11:09

Nagavci kërkon angazhim nga të gjithë faktorët për t’u përballur me sfidat në arsim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me kthimin e një pjese të nxënësve në bankat shkollore, ka thënë se nga sot do të vazhdojë mësimi i rregullt në objektet shkollore të cilat janë dezinfektuar dhe do të mirëmbahen vazhdimisht.

Ajo ka thënë se përballja me Covid -19 nuk ka qenë e lehtë, por ka bërë thirrje që bashkë të fokusohen për të ndihmuar fëmijët e nxënësit.

“Pas pushimit pranveror, sot në bankat shkollore janë kthyer filloristët. Ata do të vazhdojnë mësimin e rregullt dhe jemi njoftuar se të gjitha objektet shkollore janë dezinfektuar e do të mirëmbahen vazhdimisht duke ofruar kushte të sigurta për mësimdhënie e mësimnxënie. Ndërkaq pjesa tjetër e nxënësve, pra ata të klasave VI-XII, këtë javë mësimin do ta zhvillojnë në distancë. E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim. Covid-19 na e ndryshoi jetën, andaj natyrshëm se po ndryshon dhe mësimdhënien e mësimnxënien. Nuk kemi analiza e studime të detajuara, por s’do mend se shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu si duhet e si dëshirojmë, kjo duhet të na motivojë të punojmë më shumë e më mirë”, ka shkruar ajo.

Nagavci ka shtuar se për të gjithë puna do të jetë me intensitet të shtuar, menaxhmenti dhe gjithë stafi i shkollave, zyrtarët komunal e ata të ministrisë, duhet të jenë në nivelin më të lartë të detyrës.

“Megjithatë, mësimdhënësit e prindërit e kanë barrën më të rëndë në këtë proces të mësimit në mënyrë virtuale, duhet shumë punë, duhet bashkëpunim e angazhim nga të dyja palët e që shpresoj se nuk do të mungojë. Virusi ka goditur më së shumti grupet e cënueshme të margjinalizuara që hasin në sfida të shumta që duhet adresuar. Shkollimi është së pari edukim prandaj duhet ta shfrytëzojmë masat e rekomanduara për të ndërgjegjësim për shëndetin, për kujdesin për njëri-tjetrin, për respektin e detyrimet që kemi si individ e komunitet. Jam e vetëdijshme se s’do të jetë gjithnjë e lehtë, por duhet të jetë e mundshme. Mbështetja jonë do të jetë e plotë, ashtu sikurse dhe kërkesa për të qenë në nivelin më të lartë të detyrës”, ka shkruar ajo.