Arbëri

Çmimet e disa artikujve janë rritur deri në 10 për qind

Çmimet e disa artikujve janë rritur deri në 10 për qind
 

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin e çmimeve të konsumit për muajin mars, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e produkteve themelore ushqimore kanë pësuar rritje. Sipas ekonomistëve, shtrenjtimi i çmimeve është bërë për shkak të pandemisë

Për një litër vaj luledielli qytetarët tash po paguajnë mesatarisht 25 centë më shtrenjtë se një vit më parë. Pos vajit, çmimet u janë shtrenjtuar edhe produkteve të tjera të konsumit si miellit, orizit, vezëve, duhanit, druve të zjarrit e derivateve. Kështu thotë raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i muajit mars, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e konsumit janë rritur 1.2 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,2 për qind në muajin mars 2021 krahasuar me muajin mars 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet: buka dhe drithërat (2,5%), qumështi, djathi dhe vezët (2,5%), vajrat dhe yndyrat (10,3%), ujë, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,3%), pijet alkoolike (2,5%), duhani (4,6%)”, thuhet, ndër të tjera, në raportin e ASK-së.