Arbëri

VV-ja në Shqipëri arsyeton mbështetjen e Kurtit për kandidatët e saj

VV-ja në Shqipëri arsyeton mbështetjen e Kurtit për kandidatët e saj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kandidati për deputet në Qarkun Tiranë, Boiken Abazi
 

Përfaqësues të Vetëvendosjes në Shqipëri kanë reaguar ndaj kritikave që partitë opozitare në Kosovë i kanë bërë mbështetjes që kryeministri Albin Kurti u dha tre kandidatëve në zgjedhjet e 25 prillit. Drejtues të PDK-së e të LDK-së kanë përmendur gjendjen me pandeminë dhe shifrat e fundit të të vdekurve nga COVID-19, u kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë që të tërhiqen nga fushata zgjedhore dhe nga protestat në Shqipëri. Por, sipas anëtarit të Vetëvendosjes në Tiranë, Elvis Hoxha, përfshirja e Kurtit është legjitime, meqë është shqiptar dhe ka nënshtetësi të Shqipërisë.

“Opozita në Kosovë pyet se ç’do Albin Kurti dhe njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri? Unë kam punuar 12 vjet në Kosovë dhe nuk më ka thënë njeri gjë me deklarata të tilla titiste. Albin Kurti është edhe shtetas i Shqipërisë dhe për mua nuk ka tjetër veçse një term që është shqiptari”, ka thënë Hoxha.