2 perditesime
23:30

Abrashi: Kosova duhet të shfrytëzojë koordinimin SHBA-BE

Emir Abrashi nga Demokracia Plus vlerëson se duhet të shfrytëzuar momenti që në krye të Administratës amerikanë është një president që njeh realitetin historik të Kosovës, sikurse është Joe Biden.

Abrashi në një intervistë në Interaktiv, analizoi dy administratat e fundit të SHBA-së sa i përket çështjes së Kosovës.

“Adminstara Trump ka qenë e interesuar t’i marre disa kredite se aspektin ndërkombëtar dhe për këtë çështje ka shty përpara një agjendë ekonomike. Marrëveshja e Washingtonit më 4 shtator 2020 ka qenë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, tash kemi një administratë që njeh realitetin historik, kemi një president, i cili ka qenë i involvuar në rrethanat e ish-Jugosllavisë atë kohë dhe kemi një administratë e cila këtë çështje dëshiron ta bëjë në koordinim të plotë me Bashkimin Evropian. Administrata Trump është munduar krye më vete t’i shtyjë disa procese, pa koordinim me BE, në shumë raste BE-ja është lënë anash”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, është momenti që duhet shfrytëzuar pasi ka ndërruar shumëçka në favor të Kosovës.

“Tash e kemi një atmosferë unike, derisa administrata Bush ka qenë vendimtare për shpalljen e pavarësisë, administrata Obama ka qenë më e relaksuar, megjithatë ka qenë mbështetje për ne. Trump ka qenë më shumë e interesuar për një marrëveshje ekonomike, mirëpo e ka bërë duke u përplasur me Brukselin. Tash Bideni nuk dëshiron të bëjë ndonjë veprim pa koordinim me BE dhe kjo është një gjë të cilën ne duhet ta shfrytëzojmë. Ne edhe në BE kemi aleat si Gjermaninë”, ka thënë ai.

23:28

Abrashi: Pa zgjidhjen e ngërçit me Serbinë njohjet e reja do të jenë problematike

Emir Abrashi nga Demokracia Plus është shprehur me mosbesim për lëvizje në drejtim të njohjeve të reja për Kosovën.

Ai në Interaktiv tha se pa zgjidhjen e ngërçit me Serbinë, për Kosovën do të jetë e vështirë të ketë njohje. Për këtë arsye, ai sheh me rëndësi që dialogu të vazhdojë pa u neglizhuar.

“Dyshoj se do ketë lëvizje të madhe sa i përket njohjeve. Ne kemi moratorium që deri në shtator na obligon të mos kërkojmë anëtarësim në organizata dhe nënkuptohet edhe njohjet. Kemi arritur në një pikë ku ato shtete që kanë dashur të na njohin na kanë njohur dhe ato që kanë pasur dyshime, i kanë hequr ato. Tash jemi te faza e atyre shteteve që janë të lidhura historikisht me Serbinë, Rusinë apo Kinën dhe kjo do të jetë problematike të kemi njohje të reja pa një zgjidhje të ngërçit me Serbinë. Prandaj, procesi i dialogut nuk duhet neglizhuar, duhet t’i rikthehemi sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.

23:07

Abrashi: Gërvalla duhej të shmangte deklaratat mbi luftimin e korrupsionit e krimit

Emir Abrashi nga Demokracia Plus ka ngritur disa kritika për paraqitjen e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, për takimin e sotëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Abrashi ka thënë se përmendja e luftimit të krimit dhe korrupsionit si plan i Kosovës do të duhej të shmangej si retorikë nga ajo mbledhje. Sipas tij, me të tilla deklarata i jepet e drejta palës kundërshtare, në këtë rast Serbisë, të ngritë tezën se Kosova është shtet io dështuar.

“Ka qenë një lëshim nga ministrja kur foli për realitetin aktual të Kosovës, ndër tjera u tha se po luftohet për forcimin e demokracisë dhe luftimit të krimit e korrupsionit, gjë e cila nga një diplomat duhej të shmangej si retorikë sepse kemi të bëjmë me përfaqësim të vendit jashtë dhe nuk është mirë që në këto instanca t’i jepet e drejta kundërshtarit, Serbisë, që në këtë mbledhje, pra e Këshillit të Sigurimit ka ngritur tezën se Kosova është shtet i dështuar ku nuk funksionon drejtësia”, tha ai në Interaktiv.

Kryediplomati i një vendi, tha Abrashi, nuk duhet të lëshohet në deklarata politike.

“Duhet pasur kujdes që kur kryediplomati i vendi jep deklarata, nuk guxon të lëshohet në deklarata politike sepse nuk flasim për një kontest të brendshëm politik ku edhe mund të akuzojmë njëri tjetrin. Ka mundur të shmanget në mënyrë që të mos i jepet argument palës serbe të thirret në këto gjëra”, shtoi Abrashi.