2 perditesime
23:35

Sallahu thotë se dikush prej të akuzuarve nga Specialja ka marrë para më shumë se që duhet

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë në Interaktiv se jozyrtarisht ka informacione se të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë kanë marrë më shumë para se që duhet për mbrojtjen e tyre.

Ai tha se ky është vetëm informacion jozyrtar që kanë dëgjuar, porse një gjë e tillë duhet të verifikohet.

“Duhet të dihet saktë sepse është e rregulluar me akte ligjore se sa para i shkojnë një të akuzuari që paguan avokat. Në mënyrë jozyrtare kemi informacione se ka mundësi që ka dhënë dikush më shumë para se duhet. Flitet nëpër ministri që dikush nga të akuzuarit ka marrë para më shumë se që parashihet me akte nënligjore, sa është e saktë nuk e di. Duhet të verifikohej me kohë sepse nuk mund t’i kryejmë punët të gjitha menjëherë”, ka thënë Sallahu.

Sallahu ka thënë se si ministri kanë kërkuar që shpenzimet e ndara për të akuzuarit në Hagë të bëhen publike. Ai tha se shpejt Qeveria do ta ndryshojë vendimin i cili ndalon bërjen publike të shpenzimeve për të akuzuarit.

Sallahu ka akuzuar avokatin Besnik Berishën për punë të dobët sa ishte avokat në Qeverinë Hoti për rastin e padisë ndaj Kosovës në Arbitrazh nga Devolli. Ai ka thënë se me ardhjen e Qeverisë Kurti kanë gjetur veprime që nuk i shkojnë në favor Kosovës.

“Kur kemi ardhur kemi gjetur veprime që për mendimin tim nuk di sa shkojnë në favor të Republikës së Kosovës. Vetë dyshimi që një kompani që ka mbrojtë Devollin në 2013 dhe tash mbron Republikën e Kosovës kundër Devollit, lë njëfarë konflikti të interesit në shikim të parë”, tha ai ndërsa ka sqaruar rastin me paditë ndaj Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

23:34

Sallahu: Agjencia për konfiskimin e pasurisë do të mbikëqyret nga Kuvendi

Zv.ministri i Drejtësisë Blerim Sallahu, ka shpjeguar idenë e Qeverisë Kurti për themelimin e Agjencisë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas tij, për të shmangur çdo dyshim e ndikim, Sallahu ka thënë se agjencia do të kontrollohet nga Kuvendi e jo nga ndonjë ministri.

“Në koncept dokument është përmendur krijimi i një agjencie që do të ketë përbërje jashtëzakonisht profesionale, të ekspertëve të fushës. Pastaj kjo agjenci do të iniciojë konfiskimin në gjykatë. Kjo agjenci do të jetë njëlloj mekanizimi të brendshëm të kontrollit të punës, po ashtu do të jetë në mbikëqyrje të Kuvendit, pra nuk do të mbikëqyret nga asnjë ministri për shkak të interferimeve politike, do të kontrollohet nga Kuvendi”, ka thënë Sallahu në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, në këtë agjenci pritet të ketë edhe ekspertë ndërkombëtar

“Mbi bazën e këtyre diskutimeve do të bëhet një përbërje tejet profesionale që do të ketë detyrim ligjor vetëm zbatimin ligjeve dhe asgjë tjetër. Në atë moment që konfirmohet mospërputhshmëria ndërmjet të hyrave të atij personi të dyshuar dhe pasurisë së madhe, atëherë kjo agjenci do të dërgojë kërkesë në gjykatën kompetente ku më pas do të fillojnë procedurat tjera”, ka shtuar Sallahu.

23:09

Sallahu flet për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar

Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë ka folur për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.

Ai ka thënë se shumë shpejt do të draftohet projektligji dhe se do të ketë konsultime të ndryshme me të gjithë faktorët dhe mbi bazën e tyre do hartohet projektligji në tërësi dhe do fillojë zbatimi i tij.

“Duhet të diskutojmë prezumimin e pafajësisë, që nuk ekziston në çështje civile. Mundet që pasi të krijohet agjencia e pavarur që do iniciojë kërkesa në gjykatë, gjykata të ngrijë pasurinë e dyshuar dhe nëse vërteton se ka diskrepancë në mes të hyrave të paligjshme dhe pasurisë së bërë, ajo konfiskohet dhe i kthehen taksat qytetarëve. Çështje tjetër është retroaktivoteti, që është i përcaktuar”, tha ai në Interaktiv.