Arbëri

KDI: Vazhdimi i dialogut me Serbinë mos ta gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë

KDI: Vazhdimi i dialogut me Serbinë mos ta gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë
 

Institutit demokratik i Kosovës ka thënë se nga deklaratat publike të lehtësuesve të dialogut Kosovë-Serbi, ka sinjale të qarta se një takim mes palëve edhe mund të ftohet së shpejti.

KDI-ja i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani si bashkudhëheqës të politikës së jashtme, njëherit edhe procesit të dialogut me Serbinë, që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj çështje.

Sipas tyre, vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur, pa plan dhe pa qartësi rreth këtij procesi.

“KDI kërkon nga Qeveria në koordinim me Presidencën, që sa më parë ta përgatisin Strategjinë dhe Platformën Shtetërore për Dialogun me Serbinë, ku artikulohen qartë e argumentohen mirë kërkesat e Kosovës lidhur me këtë proces. Konsolidimi i këtyre dokumenteve nuk duhet ta anashkaloj rolin mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror, duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithë përfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, thuhet në njoftim.