1 perditesime
19:00

LDK-ja themelon shkollën politike

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka themeluar shkollën politike.

Sipas njoftimit, Kryesia e LDK-së, në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga kryetari dhe të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, mori vendim që të krijojë ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në Degët e LDK-së. LDK-ja thotë se këto ekipe do të propozojnë mënyrat që do të ndiqen në procesin e reformimit të thellë të Degëve.

“Procesi i reformimit synon të riorgnizojë Degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Po ashtu, ekipet e Kryesisë do të ndihmojnë Degët në përgatitjet për zgjedhjet lokale U aprovua propozimi i kryetarit për strukturën e re organizative: Riorganizohet Zyra për medie dhe Qendra për Informim e Kosovës – QIK; Në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themelohet Shkolla Politike”, thuhet tutje në njoftim.

Kryesia e Lidhjes Demokratike, aprovoi formimin e gjashtë Departamenteve si në vijim: Departamenti i Politikës së Jashtme, Departamenti i Rendit, Ligjit dhe Sigurisë, Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit, Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Sportit, Departamenti i Shëndetësisë, Departamenti i Rinisë dhe Departamenti i Avancimit Shoqëror.

Sipas njoftimit, këto departamente do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit.

17:18

Mblidhet LDK-ja, diskuton për organizim të strukturave të brendshme

Anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë mbërritur në zyrën qendrore të kësaj partie ku po mbahet mbledhja e Kryesisë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë mbledhje është parë duke hyrë ish-ministri Besian Mustafa, ish-ministri Armend Zemaj dhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Mbledhja e LDK-së fillon në ora 16:30.

Në rend të ditës është edhe informimi mbi procesin e themelimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe procesin e votimit për President.

Pikë tjetër e rendit të ditës në mbledhjen e LDK-së është edhe formimi i grupeve vlerësuese për degë.

Po ashtu, Kryesia e LDK-së do të diskutojë rreth organizimit të qendrës dhe strukturës së re organizative e po ashtu për procesin e regjistrimit të anëtarësisë.