4 perditesime
21:24

Ramaj: Ka tendencë të grupeve të interesit të ngrenë padi kundër gazetarëve sa për frikësim

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, derisa ka treguar mbi përvojën personale, ka thënë se ka tendencë të grupeve të interesit të ngrenë padi kundër gazetarit jo për të fituar rastin më pas, por për të frikësuar.

Ramaj ka folur për shpifjen e bërë nga gazetarët apo mediumet dhe adresimi i tyre në organet e drejtësisë. Ajo në Deskun e KTV-së ka thënë se një vepër e tillë adresohet në gjykatë e cila më pas merret me rastin, që sipas saj, jo çdo herë kjo edhe i adreson në mënyrën më të mirë.

“Shpifja është diçka tjetër. Një medium apo gazetar që shpif, ai artikull ka autorësi e redaksia ka adresë. Kjo mund të adresohet në gjykatë. Gjykata nuk është vendi ideal që i adreson në mënyrë më të mirë këto çështje. Ka shumë padi ndonjëherë i pranon pa bazë, duke pasur parasysh integritetin e gjyqtarëve, ne me vite tëra, edhe politikanë tash që janë pjesë e qeverisë i kanë kritikuar këta gjyqtarë për mungesë të plotë të integritetit profesional. Si mund të jetë një gazetar i sigurt nëse politikani e padit gazetarin për shpifje e gjykata e vendos në favor të politikanit. A është i njëjti gjyqtar i cili më herët ishte në cak të kritikave për integritet të cenuar. Por viteve të fundit, e kam parë edhe te unë, por edhe te kolegët tjerë, tendencë të grupeve të interesit e politikanëve, të bëjnë padi kundër teje jo për të fituar rastin por për të frikësuar, si formë kompensimi”, tha ajo.

Ndërsa, juristja e medias, Flutura Kusari, tha se shpifja e gazetarit duhet t’i kushtojë këtij të fundit me një dënim me para por assesi me burg. Kjo sepse sipas saj mund t’i shkaktojë frikë gazetarëve të tjerë.

“Është joproporcionale një gazetar të shkojë në burg se e ka plasuar një të pavërtetë. Duhet të japë llogari e të rregullohet me çështje financiare. Një gazetar që shpif të paguaj 3000-4000 euro. Por assesi të shkojë në burg. Pasi gazetarët tjerë nuk do të punojnë, frikësohen”, tha ajo.

21:07

Kusari për vjedhjet e përmbajtjeve: Gazetarët duhet të tregojnë nivel të lartë të etikës

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka thënë se gazetarët duhet të tregojnë nivel të lartë të etikës, kur u pyet lidhur me rastet e vjedhjes së artikujve, ngjashëm me rastin e sotëm kur Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë përmes së cilit gazetës “Express” i ndalohet të publikojë materiale që janë e drejtë ekskluzive e kompanisë KOHA.

Kusari tha se nuk është etike kur në Kosovë sheh media që gjenerojnë të hyra pa prodhuar punë të veten, por vetëm me artikujt e mediave të tjera.

“Është problem me ia marrë dikujt punën pa e pyet dhe pa pëlqim. E dyta, vetëm pse po mundësh me bë, nuk duhet ta bësh. E treta, gazetarët duhet të tregojnë nivel të lartë të etikës, sepse ju kërkon njerëzve në pushtet me qenë etikë, të moralshëm dhe të përgjegjshëm. Nuk mundet me qenë në pozitë të kërkojnë këto standarde prej politikanëve, kur vetë e bëjnë një gjë të tillë. Ka media që në mëngjes i sheh përmbledhje të të gjitha mediave të tjera, pa prodhuar asgjë vetë gjeneron të hyra dhe kjo në aspektin etik nuk është në rregull”, tha ajo në Desku.

Ndërkaq, gazetarja Saranda Ramaj, vjedhjen e artikujve nga një medium tek një tjetër e sheh tepër të dëmshëm për gazetarin, autor të artikullit.

20:40

Ramaj: Ka tendencë nga prokuroritë të krijojnë një relacion me VV-në

Gazetarja Saranda Ramaj, ka vlerësuar se ka një ndryshim të qasjes nga ana e Prokurorisë së Shtetit dhe prokurorive të tjera që prej kthimit në pushtet të VV-së në krye me Albin Kurtin.

Ajo në një intervistë në Deskun e Kohës tha se sipas informatave të saj, ka një tendencë të prokurorive për të krijuar relacione me partinë në pushtet.

Ramaj, teksa ka komentuar thirrjen e ministrit Arben Vitia për Prokurorinë që të hetojë një medium kosovar për plasim të një “informacioni konfidencial” në lidhje me vaksinat, ka thënë se prokuroria po atë ditë ka nisur punën dhe se që nga ndërrimi i pushtetit, aksionet në gjithë vendin janë shtuar si kurrë më parë.

“Ka ndryshim të diskursit të Prokurorisë në raport me VV-në, përderisa dikur ka qenë një gjuhë krejt tjetër, goxha armiqësore. Tash Prokuroria e Shtetit dhe të tjerat, kanë tendencë të duken që janë mjaftë efikase, siç ka qenë edhe premtimi elektoral i VV-së. Prokuroritë po tentojnë të kenë kontakte me VV-në që të krijojnë një relacion, ka tentativa nga prokurorët të krijohet një raport i relaksuar”, ka thënë gazetarja Ramaj.

20:34

Kusari: Pandemia një prej shkaktareve që Kosova pësoi rënie në indeksin e lirisë së medias

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka folur për raportin e ri për lirinë e medias të publikuar nga “Reporterët pa Kufij”. Në indeksin e ri të lirisë së mediave, Kosova ka rënë për tetë vende, nga ajo e 70 në të 78-të. Por, është më mirë se vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Malin e Zi.

Kusari ka thënë se pandemia është ndër arsyet kryesore për rënien këtë vit, ndërsa po ashtu edhe sulmet ndaj gazetarëve që janë shpeshtuar.

“Ky raport i analizon katër elemente: pluralizimin, pavarësinë e mediave, sigurinë e gazetarëve dhe kualitetin e legjislacionit. Besoj se arsyeja që ka ndikuar të bie më keq këtë vit, ndërlidhet me Covidin e pasojat e Covidit në media. Është aspekti financiar i pari, ndërlidhet me sigurinë e gazetarëve. Për media është përkeqësuar situata financiare. Ka qenë më vështirë të mblidhen të hyra përmes reklamave e forma të tjera. Kemi pasur raste kur janë larguar me dhjetëra gazetarë nga puna, përfshirë edhe gra shtatzëna, natyrisht se ato vlerësohen në kuadër të këtij vlerësimi. Kjo ka luajtur më së shumti rol. Edhe siguria e gazetarëve. Kemi më shumë sulme ndaj gazetarëve, përfshihen ato fizike e verbale. Politikanët e kanë përshtypjen se sulmet verbale nuk llogariten e njihen si sulme. Por ato luajnë rol në vlerësime të tilla. Është e vërtetë se jemi më mirë se rajoni në përgjithësi, e gjithmonë ka qenë kështu. Ka më shumë plulrazimi e liri më të madhe”, ka thënë Kusari në Deskun e KOHËS.

20:25

Kusari: Hetimet penale janë ndër ndërhyrjet më të rënda në fushën e lirisë së shprehjes e medias

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka thënë se nuk arsyetohen hetimet penale të organeve të drejtësisë ndaj mediave apo gazetarëve, përveç në raste të veçanta.

Këto raste, tha ajo në Deskun e KTV-së, janë vetëm kur nxitet urrejtje me përmbajtjen që publikohet ose dhuna.

“Hetimet penale janë ndër ndërhyrjet më të rënda në fushën e lirisë së shprehjes, medias dhe gazetarisë. Mund të ndodhë vetëm në raste përjashtimore. Dy nga rastet janë, nxitja e urrejtjes e cila prodhon pasoja, ose kur bëhet thirrje për dhunë. Këto janë dy fusha ku arsyetohen hetimet penale sepse interesi për t’i mbrojtur palët është shumë më i rëndësishëm se sa informacioni që publikohet, në rastet tjera duhet të ndodhë diçka shumë e madhe për ta arsyetuar ndërhyrjen penale”, ka thënë ajo.