1 perditesime
Arbëri

Kastrati e quan shantazh mosalokimin e mjeteve nga Qeveria për RTK-në

Kastrati e quan shantazh mosalokimin e mjeteve nga Qeveria për RTK-në
Foto: Driton Paqarada / KOHA
12:03

Kastrati e quan shantazh mosalokimin e mjeteve nga Qeveria për RTK-në

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, ka thënë se këtë muaj, rrogat e punëtorëve në Radio Televizionin e Kosovës do të vonohen. Kjo sipas tij, pasi nuk janë alokuar mjetet nga buxheti.

“Për herë të parë RTK-ja këtë muaj do t’ua vonojë pagat punëtorëve për shkak se nuk i janë alokuar mjetet nga buxheti. Unë nuk po e shoh ndryshe këtë përveçse shantazh”, ka thënë ai.

Kastrati ka thënë se “nëse nuk do të ketë edicion të lajmeve në orën 19:30, atëherë unë nuk do të marr përgjegjësi”.

Ndërkaq Bashota ka kërkuar që sot të miratohet kërkesa për ndarjen e mjeteve buxhetore për RTK-në

“Po them para jush që kjo është në interes dhe obligim e keni si Komision të na i alokoni mjetet”, ka shtuar ai.

11:10

VV-ja kritikon për nepotizëm në RTK, bordi i televizionit publik arsyeton punësimet

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar për nepotizëm në Radio Televizionin e Kosovës.

Deputeti i LVV-së, Visar Korenica ka përmendur punësimet e familjarëve të Gani Thaçit, vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Korenica ka thënë se me kontratë mbi vepër janë punësuar Leotrim Thaçi dhe gruaja e tij, Festina Cakolli, ndërsa vëllai i kësaj të fundit është punësuar si kameraman.

“Në bazë të diskutimeve është raportuar se është punësuar edhe dhëndri i kryetarit të Bordit. Sali Bashota a bie kjo në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. RTK është sinonim i keqpërdorimeve të vazhdueshme. Për të gjitha këto parregullsi duhet të formohet një komision hetimor sa më parë që ta hetojë gjendjen në RTK dhe të monitorohet nga organet ndërkombëtare. Prokuroria duhet të nisë sa më parë hetimet ndaj keqpërdorimeve në RTK. Atë që Kuvendi duhet ta bëjë me urgjencë është kthimi i ligjshmërisë duke shkarkuar bordin aktual dhe duke nxjerrë një bord profesional”, ka thënë ai.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, i është përgjigjur Korenicës duke i thënë se i vjen keq për pyetjet dhe konstatimet që i ka bërë.

“Qysh e ke lexuar pikë për pikë reagimin e Sindikatës. Nuk lexohet në Komision komunikata e sindikatës, pak ma korrekt me qenë. E para nuk është mirë me hy me emra, e dyta Leotrim Thaçin po doni ta sulmoni. I njëjti është punësuar 3 muaj, ka punuar në ekspertizë, ka qenë profesionist, vetë jam angazhuar ta marrë se ka qenë profesionist, i ka marr tri rroga më nuk është në punë. Drejtor i përgjithshëm jam unë, jam drejtor nuk të jap ty llogari, ty me ardhë me të vetë kënd me marrë në punë. Unë nuk jam budalla, e respektoj ligjin. Mos bëni spektakle pse kjo kështu, pse kjo kështu? I respektojmë të gjitha ligjet dhe rregullat, jemi të thirrur me iu përgjigj, por jo me ju pyet juve kë me marrë në punë”, ka thënë ai.

Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së ka thënë se dhëndri i tij është punësuar për një periudhë 3-4 muaj dhe pastaj i është ndërprerë kontrata.

“Lidhur me tekstin që e lexove po lidhem me punësimin e dhëndrit tim shkoni, shikoni nëse dhëndri im punon në RTK, ka punuar një periudhë 3-4 muaj dhe i është ndërprerë kontrata. Është mirë të mos i referoheni burimeve të paverifikuara sepse jeni deputetë në Kuvendin e Kosovës. Nuk është e ndershme, nuk është profesionale”, ka thënë ai.

Korenica ka insistuar të dijë nga Kastrati nëse është i kundërligjshëm punësimi i familjarëve të Thaçit.

“Nuk u përgjigjët për 200 kontrata mbi vepër dhe a është i kundërligjshëm emërimi i Leotrim Thaçit a jo? Keni bërë kontratë mbi vepër për një pozitë që është e rregullt. Nuk po të them me më pyet mua me emëru ose jo, vetëm a ka qenë e ligjshme?“, ka pyetur ai.

Kastrati ka thënë se RTK-ja nuk i quan kontrata mbi vepër, por kontrata për shërbime të veçanta që i duhen RTK-së për periudha të caktuara.

“A është numër i madh? Ndoshta është i madh. RTK i ka katër kanale dhe radion, angazhimi i personit që po e përmend na është nevojitur për një periudhë ta caktuar se e ka njohur atë lëmi. Nëse ai i ka marrë 2000-3000 euro, e i ka shpëtuar 50000 dhe besoj që ja ka vlejtur”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se është e padrejtë të atakohet një medium publik.

“Tani nëse mendojmë që ne jemi financues dhe t’i vëmë duart mbi mediumin publik nuk mund të arrijmë sepse fjala e lirë nuk guxon të ndalet. 11 milionë euro mendoj që janë shumë pak për një medium çfarë synojmë ta kemi të pavarur pa ndikime politike. Duhet ta pranojmë ka pasur ndikime nga të gjitha partitë, por asnjëherë nuk kemi bërë presion. Po nëse është djali i Gani Thaçit e është ekspert i mirë a me lënë rrugëve a? Por normalisht t’i ndjekim në rrugë ligjore. Është djali i X politikanit duhet të sanksionohet të vdesë urie, nuk shkon kjo. Mendoj që është një qasje e gabuar dhe mendoj që po e sanksionojmë të vetmin medium publik me të cilin besoj që duhet të jemi më korrekt”, ka thënë ai.

Ndërkaq Eman Rrahmani ka akuzuar për ndikim të politikës në mediumin publik, duke ju drejtuar Lekajt.

“Nëse dikush ka ndikuar në këtë media jeni edhe ju tash e 20 vjet. Në secilin pozicion që keni qenë keni ndikuar, deklarimet e tilla nuk mund t’ua shitni qytetarëve të Kosovës dhe besoj janë kot. U tha nga drejtori që mund t’i shohim dokumentet mirëpo nuk e keni lejuar ZKA-në që të auditojë. Sikur të kishim një auditim qoftë të performancës qoftë financiar sot do të kishim një pasqyrë të qartë. Ndërsa për zotin Kastrati thatë që në kontratë mbi vepër janë shpëtuar mbi 50 mijë euro. Kah e kuptuat që ai është ekspert a keni hapur konkurs? Në RTK është punësuar edhe motra e drejtorit financiar, Adelina Hyseni, nëse po, pse duhet qytetarët të paguajnë për këtë”, ka pyetur ai.

Kastrati ka thënë se ligjërisht të gjitha kontratat në RTK janë në rregull.

“Nëse zyra e Auditimit do me ardhë sot le të vjen. Unë e respektoj ligjin nuk jam pazargji aty”, ka thënë ai.