5 perditesime
21:23

Në 7 vjetët e fundit u konfiskuan vetëm 3.5 milionë euro

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka thënë në emisionin Desku në KTV, se në shtatë vjetët e fundit, vlera e konfiskimit të pasurisë së paligjshme është 3.5 milionë euro.

Ai ka thënë se kjo është tepër pak.

“Është edhe një gjyqtar, të cilit i është konfiksu vlerë mbi një milionë euro, nga ky 3.5 milionësh. Ndërkohë vlera e sekuestrimeve dhe ngrirjeve kap një shumë prej 180 milionë euro”, ka thënë Fazliu, në emisionin ku u diskutua për koncept-dokumentin e Qeverisë Kurti për hartimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

21:02

Qerkini: Duhet pritur ligjin për të parë nëse ka shkelje kushtetuese

Avokati Artan Qerkini ka thënë se nuk mund të paragjykohet nëse do të ketë shkelje Kushtetuese apo jo me ligjin për konfisikimin e pasurisë së paligjshme, pasi thotë se ende nuk ka një ligj dhe vetëm një koncept-dokument.

Qerkini thotë se duhet të shihet fillimisht përmbajtja e ligjit për të parë më pas nëse do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Koncept-dokumenti nuk shkon kurrë në Gjykatën Kushtetuese, shkon ligji. Ende nuk kemi një ligj. Ligji mund të sfidohet në Kushtetuese, ekziston procedura, përmes deputetëve, Qeverisë apo Avokatit të Popullit. Ne nuk e dimë përmbajtjen e ligjit. {farë nëse ligji do të parashtrojë barrë joproporcionale për personin që është kushtimisht nën hetim. Varet prej përmbajtes së ligjit. Nuk e dimë çfarë do të përmbajë ky ligj. Qëllimi është legjitim. Po diskutojmë për realizimin e atij qëllimi, e eventualisht problemet që mund të shfaqen. Po përmendim Departamentin e Krimeve të Rënda e konfiskimin civil, krime e civil mund të shkaktojë konfuzion. Ligjet duhet të jenë të qarta. Duhet të kemi kujdes, a do të ketë shkelje të të drejtave kushtetuese a jo nuk mund të paragjykojmë. Varet nga përmbajtja e ligjit”, ka thënë Qerkini në Deskun e KOHËS.

20:53

Fazliu: Konfiskimi civil pa aktgjykim dënues është krejtësisht në rregull

Koordinatori Nacional për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu ka thënë se konfiskimi civil i pasurisë së pajustifikueshme pa aktgjykim dënues është krejt në rregull.

“Konfiskimi civil pa aktgjykim dënues është krejtësisht në rregull. Sipas aktgjykimeve, konfiskimi i përket natyrës civile dhe nuk konsiderohet i procedurës penale”, ka thënë Fazliu.

Sipas tij, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme në këtë mënyrë është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

20:49

Miftaraj: Qeveria Kurti ka nisur punën mbrapsht

Ehat Miftaraj vlerëson se Qeveria Kurti ka nisur punën mbrapsht. Duke komentuar koncept-dokumentin për hartimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë, Miftaraj nga IKD-ja ka thënë se kjo mund të kënaqë e të mashtrojë vetëm qytetarët që presin ndryshim dhe injorantët e fushës.

Miftaraj në Deskun e KOHËS tha se ka pritur një nismë ndryshe të Qeverisë Kurti 2.

Ai tha se IKD-ja ka bashkëpunuar gjatë me VV-në sa ishte në opozitë për siç tha të ekspozojë të këqijat, të punohet në përmirësim të ligjeve e qeverisjes, por ajo që ka parë në ditët e parë të Qeverisë Kurti 2, është e kundërta.

“Në fillimet e veta kjo Qeveri nuk po u përmbahet premtimeve të fushatë, një vizioni që e kemi pasur për qeverisje të mirë. Është diçka që e dërgon një premtim të rrejshëm që nuk do të realizohet, për injorantët e fushës, për qytetarët që po e presin ndryshimin është diçka e jashtëzakonshme, por për ekspertë të fushës është e parealizueshme. Kjo iniciativë është pak a shumë kështu, ‘ne kemi një shtëpi 200-vjeçare dhe ne nuk po investojmë me i forcu themelet, as katin e parë por po shkojmë direkt në kulm”, tha Miftaraj.

Sipas tij, kjo iniciativë për krijimin e ligjit përmes të cilit do të konfiskohej pasuria e paligjshme, nuk mund të ketë sukses, pas pasur ndryshime në gjyqësor e prokurori.

“Prej vitit 2013, shteti ju ka jap (prokurorëve e gjykatësve v.j.) mitraloza, tanke, autoblinda, ua ka plotësuar të gjitha kërkesat, rrogat në qiell, kushte për punë të jashtëzakonshme, secili sot ka veturë, 30 mijë euro pagë vjetore, 20 mijë shtesë. Por veç me punu përtojnë. E ne tash duam që shteti me ju japë edhe bombë atomike dhe me përfundu problemin. Kam pritur nga Qeveria Kurti të fillojë mbarë, si fillohet, me një pako qeverisëse që e dërgon në Kuvend, po e presim edhe pak, edhe pse të tjerat e kanë dërguar në javën e parë. Pas plan-programit, e miraton një plan legjislativ. Nuk mundet me inicu ky koncept-dokument”, ka thënë Miftaraj.

20:37

Qerkini: Zhvendosja e barrës së provës te individi është e padrejtë

Avokati Artan Qerkini ka thënë se synimi që përmes koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, barra e provës të zhvendoset tek individi, është i padrejtë.

Qerkini ka thënë në “Desku” të KTV-së se mjetet me të cilat synohet të arrihet qëllimi i shoqërisë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme janë diskutabile pasi siç ka thënë, sulmohet e drejta e pronës e cila është e drejtë kushtetuese.

“Pse në bazë të ligjeve ekzistuese, barra e provës është tek organet shtetërore kjo sepse organet shtetërore kanë mekanizma shtetëror, e ke një polici të tërë, një prokurori të tërë, dhe për këtë arsye barra e të provuarit ka qenë te organet shtetërore sepse është vetëm një individ i vetëm që mund ta ketë një avokat kurse kundër tij është një makineri e shtetit. Në bazë të koncept-dokumentit, barra e provës po mundohet të zhvendoset tek personi që është nën hetim të pasurisë. Të zhvendoset barra e provës tek individi nuk më duket e drejtë”, ka thënë Qerkini.

Ai ka thënë se duhet pasur kujdes sidomos kur ky koncept-dokument të shndërrohet në ligj.

20:35

Fazliu: Në vitin 2014 kërkova një ligj për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Koordinatoari kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka thënë se ka qenë i nevojshëm një ndryshim në legjislacion për konfisikimin e pasurisë së paligjshme.

Fazliu në Deskun e KOHËS ka treguar se qysh në vitin 2014 kishte kërkuar këtë lloj ligji.

Qeveria e Kosovës ka miratuar një koncept-dokument për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Natyrisht se ligji është pozitiv. Në korrik të vitit 2014 kam kërkuar këtë lloj të ligjit. Natyrisht legjislacioni aktual nuk është i mjaftueshëm. Vjen situata kur parashkruhen lëndët. Zyrtarët janë njerëz që e njohin legjislacionin e i ikin veprave penale. Ky ligj duhet të përdoret si mjet i fundit. Kur aprovohet si mjet i parë, atëherë është problematike”, ka thënë Fazliu.

Fazliu ka treguar se çfarë përmban koncept-dokumenti, dhe se ka treguar se Ministria e Drejtësisë ende nuk është përcaktuar se cilin opsion do ta aprovojë.

“Modeli më agresiv është ai katër, të cilin e ka Bullgaria, Franca, Portugalia, Rumania. Në këtë model, që vlen vetëm për zyrtarët, nëse të hyrat e deklaruara matematikisht nuk e arsyeton blerjen e pronave, dhe nëse nuk dëshmohet se pasuria është arritur me mjetë të ligjshme, atëherë konfiskohet. Modeli 4 nuk kërkon as lidhje direkte e indirekte me kriminalitetin. Por, nuk është shqetësim për qytetarët. Për qytetarët vlen modeli tre, që aplikohet në Estoni, Gjermani, Britani të Madhe. Po supozojmë se Policia e kap një qytetar me 100 mijë euro para të gatshme. Nëse është zyrtarë, atëherë nuk kërkohet më tepër përpos të dihet ku e ka marrë zyrtari pasurinë. Te qytetari duhet të dëshmohet aktiviteti i përgjithshëm. A ka qenë i dënuar për drogë, import nafte, prostitucion apo vepra të tilla. Por, nëse rezulton i ndershëm, dhe po ashtu nuk ka histori kriminaliteti as ai e as familja, atëherë nuk konfiskohet pasuria”, ka thënë Fazliu.