4 perditesime
21:32

Vllasi: Asociacioni të mos zvarritet, të formohet konform Kushtetutës

Avokati Azem Vllasi ka thënë se Kosova duhet të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si instrument për nevojat e komunave serbe, brenda rendit kushtetues të Kosovës, e jo si pjesë të negociatave me Serbinë.

Sipas tij, Kosova ka gabuar më herët në dialogun me Serbinë kur ka lejuar që Serbia të hynte edhe pse ishte deklaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Është dashur me kohë t’i bëhej me dije se ne jemi për normalizim marrëdhëniesh, e s’negociojmë për diçka tjetër. Nëse thotë se s’e njohin Kosovën shtet , pse po bisedojmë pra?” ka thënë ai në emisionin Desku në KTV.

“Ata kurrë të vërtetën se flasin. Gjithmonë kanë prapavijë. S’duhet të lodhim mendjen me ta. Duhet të kërkojmë të deklarohen në tavolinë, çka po duan. Nëse e keni tek Asociacioni, atëherë jo si e doni ju sepse bie ndesh me Kushtetutën tonë. Si formë bashkëpunimi është dashur të bëhet. S’ka lidhje me marrëveshjen finale. Pse ne po e lëmë të hapur çështjen e Asociacionit, nëse Kushtetuesja na ka lënë një rrugëdalje. Më së pari duhet të kthehemi në pozicion që ndërkombëtarëve t’u themi se s’është çështje e marrëveshjes së shtetit tonë me një shtet tjetër, por e brendshme e Kosovës. A po doni edhe ju ndërkombëtarët na ndihmoni ta miratojmë atë statut, ama brenda Kushtetutës tonë. Përderisa e zgjasim ‘jo s’do të ketë Asociacion me kompetenca që s’u takojnë’, serbët thonë se e kemi nënshkruar më 2015, por shyqyr ishte fjalia që të mos lejohej të binte ndesh me Kushtetutën. Ne po veprojmë konform Kushtetutës, d do të dilte ajo kundër Kushtetutës së vet? Jo. Prandaj nuk është kontestuese që duhet të jetë ai asociacion si instrument për nevojat të komunave serbe brenda rendit kushtetues të Kosovës”, ka deklaruar ai.

21:15

Vllasi: Lugina e Preshevës do duhej të futej si temë në dialog, nevojitet reciprocitet

Njohësi i rrethanave në Kosovë e rajon, Azem Vllasi, ka folur lidhur me situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai ka thënë se shqiptarët atje nuk rrezikohen nga përndjekja siç ndodhi me shqiptarët në vitin 1999, porse në të drejtat e tyre duhet të kontribuoj Kosova.

Vllasi në Deskun e KTV-së ka thënë se çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është dashur të futet në dialogun me Serbinë, dhe mosfutjen e saj deri tash në dialog, e ka quajtur gabim të palës kosovare.

“Serbisë nuk i pengojnë aq shqiptarët që janë në Luginën e Preshevës. Ata kanë probleme të mëdha me realizimin e të drejtave të veta dhe po zbrazet mjaft, por aq sa janë, Serbia nuk shkon deri në atë masë ta shtrijë zullumin sa t’i përndjekë siç deshën ne shqiptarëve të Kosovës në 99-ën. Për shqiptarët e Luginës do t’ua lehtësonte situatën përkrahja e Kosovës në bazë të reciprocitetit, qysh po interesohet Serbia për pozitën e serbëve të Kosovës, aq edhe ne”, ka thënë ai.

“Po është dashtë të futet si temë në dialog, dhe në bazë të një parimi të reciprocitetit të qartë. Është gabimi i palës kosovare që këtë çështje nuk e ka shtruar në dialog”, ka shtuar Vllasi.

Avokati Vllasi derisa ka folur për dialogun dhe kompromisin me Serbinë, tha se Kosova në këtë proces është në pozicionin më të mirë duke shtuar se Kosova duhet ta pyes presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin se cilat janë kërkesat e tij dhe të shihet a ka hapësirë për kompromis.

“Jemi në dialog në pozicion më të mirë sepse miqtë tanë perëndimorë nuk po kërkojnë kompromis lidhur me statusin e Kosovës si shtet, nuk po kërkojnë ndryshim të kufijve, strukturës kushtetuese të Kosovës si shtet unitar, kudo që bëhet dialog shkon fjala edhe për kompromis. Pozicionimi i Kosovës do jetë jo të bisedojmë mes vete a ka apo jo kompromis, në tavolinë duhet që Vuçiqi të vihet mes fushës. Duhet to pyetet se çka po synon, çfarë kompromisi po do dhe ndoshta ka mundësi për kompromis”.

20:51

Vllasi: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk duhet të ndodhë pa pajtimin e BE-së e SHBA-së

Avokati Azem Vllasi ka thënë se bashkimi i Kosovës me Serbinë nuk duhet të ndodhë pa pajtimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, Vllasi ka deklaruar se ky është një plan i Serbisë dhe Rusisë që të trazojë Ballkanin, në mënyrë që shtetet perëndimore të merren me Ballkanin dhe jo me Ukrainën.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për të zhvilluar komunikimin mes vete si dy shtete të pavarura.

“Ky është plan i Serbisë dhe Rusisë që ta trazojë Ballkanin në mënyrë që Perëndimi të merret me Ballkanin dhe jo me Ukrainën. Ne s’mundemi të bashkohemi si dy shtete në kuptim që me thanë tash i kemi kufijtë e jashtëm pa korresponduar mirë me BE-në dhe Amerikën. Çka na pengon Kosovës si shtet dhe Shqipërisë si shtet që t’i zhvillojmë raportet e dyanshme në mënyrë të ngushtë. Ne me Shqipërinë dhe ata me Kosovën duhet të komunikojmë si është më mirë dhe ky duhet të jetë orientimi ynë”, ka thënë Vllasi në "Desku" të KTV-së.

Sipas tij, Serbia ka për qëllim ndarjen e Kosovës dhe se ky qëllim është paraqitur nga Dobrica Qosiqi.

Ndërkaq duke folur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, Vllasi ka thënë se ky është një mashtrim dinak pasi Serbia nuk e jep Luginën e Preshevës me popullatën shqiptare që kalon në anën lindore të magjistrales.

Vllasi po ashtu ka thënë se qëllimi i Serbisë është që të marrë Ujmanin duke shtuar se ai duhet të mbrohet nga Kosova ashtu siç mbrohet tërë territori i vendit.

20:26

Sipas Vllasit, harta e propozuar për kufijtë në Ballkan synon zhdukjen e Bosnjës

Avokati Azem Vllasi ka thënë se me vizatimin e propozuar të kufijve në Ballkan, sipas një “non-paperi” të kryeministrit slloven Janez Jansha drejtuar krerëve evropianë, synohet zhdukja e Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Ai është kontrovers, por Sllovenia as që ka hise këtu. Kjo ide praktikisht ofron shkatërrimin e Bosnjës si shtet. Synimi është t’i izolojnë boshnjakët në Bosnjën Qendrore për ta bërë një enklavë sikur Gazën te palestinezët. Pasi që ata janë evropianë, s’do të mund të duronin diçka të tillë dhe do të iknin. Kjo parasheh zhdukjen e Bosnjës”, ka thënë ai për hartën që parashihte që Republika Serbe e Bosnjës t’i bashkohej Serbisë.

Vllasi ka thënë se nuk pret që Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta përkrahin këtë ide.

“Nuk ka mundësi me ndodh kjo. Ide të tilla në këtë mënyrë nuk dalin. Nëse Gjermania e SHBA-ja janë kundër kësaj ideje, kjo nuk ndodh. Para do kohe, ambasadori rus në Bosnjë pati thënë se nëse Bosnja futet në NATO, Rusia do ta konsideronte këtë si akt armiqësor. Meqë raportet janë të tensionuara, Rusia ka shumë interes në regjionin ballkanik t’i ashpërsojë marrëdhëniet. Rusët e serbët kanë interes, por shtetet e fuqishme evropiane dhe SHBA-ja nuk e përkrahin këtë ide. Nëse ka SHBA-ja ndonjë ide, e qet vet. Nuk besoj që Evropa dhe amerikanët ta përkrahin këtë ide. Ky është një provokim për të parë se si po reagojnë këto shtete”, shtoi Vllasi.

20:15

Vllasi e quan të rrezikshme idenë për ndryshim kufijsh në Ballkan

Avokati dhe njohësi i rrethanave në Kosovë e rajon, Azem Vllasi, e ka quajtur të rrezikshme idenë e përfolur për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor.

Duke komentuar një letër të përfolur të kryeministrit slloven Janez Jansha për ridizajnim të kufijve në Ballkan, Vllasi ka thënë se kjo hartë e re ia kujton luftërat që ishin nisur pikërisht për këtë çështje.

“Kjo letër në fakt është një pamflet i rrezikshëm sepse na ofron si zgjidhje prekjen e kufijve. Çështja e kufijve para 30-vjetësh na futi në të gjitha ato tragjedi, Kroaci, Bosnje e Kosovë. Të gjitha u filluan nga Serbia me qëllim që t’i korrigjojë kufijtë që ajo të zgjerohet në territoret ku jetojnë serbët. Ajo i nisi me atë synim”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Ai ka thënë se prekja e kufijve nuk është vlerë evropiane.

“Nuk është zgjidhje sidomos jo për Ballkan. Nuk dihet ku del”, ka shtuar ai.


Çfarë thuhej në planin për ndryshim kufijsh?

Pas raportimeve për “non-paperin” e Janez Janshës drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohej për vizatim të ri kufijsh në Ballkan Perëndimor, mediumi slloven “necenzurirano.si” pati dokumentet në fjalë. Aty ishin tri pika kryesore për zgjidhjen për “Rrugën përpara për Ballkanin Perndimor”.

Në pikën e parë është përfolur për situatën aktuale. Aty thuhet se çështja kombëtare e serbëve, shqiptarëve e kroatëve nuk është e zgjidhur e se “duke u bazuar në metodat dhe ritmin ekzistues të zgjidhjes së problemit, është e vështirë të imagjinohet një perspektivë evropiane për Serbinë dhe Kosovën, e anëtarësim me të drejta të plota në BE për Bosnjën dhe Hercegovinën”.

Në pikën e dytë janë theksuar idetë për “zgjidhjen e problemit”.

Gjithçka nis me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, sipas dokumentit në fjalë. “Në Kosovë, 95 për qind e popullatës dëshiron bashkimin me kombin origjinë. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, de facto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës t’i garantohet një status special (sikur modeli i Tirolit Jugor)”, thuhet në pikën “a” të “zgjidhjes”.

Aty më pas kërkohet bashkimi i territorit të Republikës Serbe me Serbinë. “Çështja e kombit serb do të zgjidhej në masë të madhe po që se bashkohet një pjesë e madhe e Republikës Serbe me Serbinë. Në këtë rast, Serbia do të pajtohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Për kroatët është propozuar bashkimi i kantoneve kroate të Bosnjë e Hercegovinës me Kroacinë dhe sigurimi i një statusi special të pjesës kroate në Bosnje e Hercegovinë, me modelin e njëjtë sikur të Kosovës.

Te boshnjakët, do të sigurohej funksionimi i shtetit të pavarur dhe përgjegjësia e plotë për të. Është përmendur edhe çështja e një referendumi për njerëzit që të zgjedhin mes BE-së dhe një të ardhmeje jashtë BE-së (sikur Turqia).

Për BE-në është propozuar që të lansojë implementimin e një programi të përgjithshëm ekonomik për stabilizim, infrastrukturë më të mirë dhe energji për rajonin.

Hapat që duhet ndjekur, sipas dokumentit të përfolur, janë në “procedurë të heshtur” me liderët e rajonit. Përmendet edhe bashkërendimi i qëndrimeve me liderët ndërkombëtarë.

Aty shtrohet nevoja për një program i përgjithshëm i komunikimit për të prezantuar planin në publik duke marrë parasysh qëndrimet në pjesë të caktuara të rajonit.

Nëse për planin pajtohen BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e liderëve rajonalë, plani duhet të iniciohet dhe formalizohet nga BE-ja, gjithnjë sipas dokumentit.

Image

Image