Arbëri

Qeveria shtyn finalizimin e programit, kritikon opozita

 

Një muaj pas votimit në Kuvendin e Kosovës, kabineti qeveritar ende nuk ka një program mbi të cilin qeveris me vendin. Përkundër asaj se në fillim të kësaj jave është premtuar se ai do të finalizohet të premten, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Të shtunën, nga Qeveria kanë thënë se programi pritet të jetë i gatshëm javën që vjen, por nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë nëse votimi në Qeveri do të bëhet para se kryeministri Albin Kurti të udhëtojë për në Bruksel. E qeverisja e vendit pa program e plan është kritikuar nga partitë në opozitë

Qeveria e Kosovës sërish e ka shtyrë afatin për përfundimin e hartimit të programit qeverisës. Më 20 prill, të martën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se janë në proces të finalizimit të tij dhe se ai do të përfundojë deri të premten.

“Ende jemi në finalizim të programit qeverisës, besoj që do të përfundojë deri të premten, e pastaj do të votohet në Qeveri”, kishte thënë Haxhiu, derisa në një tryezë diskutimi ishte e ftuar t’i shpalosë prioritetet e ministrisë që udhëheq.