19 perditesime
22:41

Pusteci i Korçës i pari që nisi numërimin e votave

Numërimi i votave ka nisur në Pustec të Korçës, duke u bërë i pari në këtë proces.

Pasi kanë mbërritur të gjitha kutitë e votimit nga KZAZ, në Pustec, komisionerët kanë nisur procesin e numërimit të votave, raporton TCH.

Procesi i votimit nisi sot, në orën 07:00 e mëngjesit të sotëm dhe zgjati deri në orën 19:00, kohë në të cilën qytetarët shqiptarë vendosën se kush do t’i qeverisë për 4 vitet e ardhshme.

Janë 3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, por nuk dihet ende sa prej tyre kanë hedhur votën e tyre në 5,199 qendra votimi.

Krahas partisë apo koalicionit shtetasit me të drejtë vote zgjodhën edhe kandidatin që preferojnë. Janë plot 1841 kandidatë për deputetë që garojnë në zgjedhjet parlamentare, 39.76% e të cilave janë gra.

Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme nga të gjithë qytetarët me të drejtë vote 50.5% ishin meshkuj dhe 49.5 ishin femra. 1,098 shtetas nuk janë papërfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.

Kujtojmë se këto zgjedhje u zhvilluan në kushtet e pandemisë, ndërsa Komiteti Teknik i Ekspertëve ka hartuar edhe një protokoll të posaçëm.

21:54

Zgjedhjet në Shqipëri, nis dërgimi i kutive të votimit drejt qendrave të numërimit

Kutitë me fletët e votimit kanë nisur të dërgohen drejt qendrave përkatëse të numërimit pas përfundimit të zgjedhjeve të sotme parlamentare në Shqipëri.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numërimi i votave pritet të mbyllet brenda 48 orëve.

Ndërkohë, në qendrat e votimit kanë mbërritur dhe forcat e policisë, për të siguruar transportimin e sigurt të kutive.

Deri më tani, nuk raportohen probleme në dorëzimin e materialeve zgjedhore.
Në Durrës u vu re një grumbullim komisionarësh, gjatë përgatitjes së kutive të votimit, duke mos respektuar masat antiCOVID. Edhe në Kavajë janë krijuar radhë të gjata, në KZAZ-në numër 42, gjatë dorëzimit të kutive./tch

21:44

Veliaj: Të gjitha sondazhet nxjerrin PS parti fituese

Kryebashkiaku i Tiranës, i cili vjen nga radhët e Partisë Socialiste të Shqipërisë Erion Veliaj ka shprehur besimin për fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e sotme parlamentare, duke thënë se sondazhet e shfaqin e atë si parti e parë deri në 72 mandate.

Ai në një konferencë për media ka thënë se tashmë ka nisur procesi i numërimit të votave dhe ka kërkuar nga të gjithë të presin të qetë përfundimin e procesit të numërimit të votave.

“Ka qenë një ditë e bukur dhe mezi pres që ta çojmë deri në fund. Lajmi i parë i mirë që morët se të gjitha sondazhet, na kanë nxjerr fitues...Lajmi i dytë më i mirë është që projeksionet tona në Tiranë janë më shumë se 72 mandate... Por si projeksionet e exit-polleve, do të duhet pritur me shumë durim procesin e numërimit”, tha Veliaj.

Ndryshe, sot janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, për të zgjedhur 140 deputetët e ri të Kuvendit, ku sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë votuar 45.48 për qind nga 3.588.869 qytetarë shqiptarë me të drejtën e votës, ndërsa 107 mijë e 24 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Në garën zgjedhore janë 1841 kandidatë për deputetë, teksa 732 kandidate ndër to janë femra ose 39.76 %.

KQZ ka njoftuar se 5199 Qendrat e Votimit monitorohen me kamera, gjë që është një garanci e shtuar në parandalimin e pa ligjshmërive, si fotografimi i votës, votimi familjar, votimi më shumë se një herë etj. Në fletën e votimit janë regjistruar 12 parti politike si dhe në disa qarqe ka kandidatë të pavarur.

Në këto zgjedhje qytetarët kanë mundur të votojnë si për partinë politike, ashtu edhe për kandidatët e partive.

KQZ ka bërë të ditur se brenda 48 orëve do të kemi rezultatin e fituesve të këtyre zgjedhjeve për subjektet politike dhe koalicionet.

21:40

Basha: Faleminderit qytetarëve që zgjodhën ndryshimin

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka shpallur fitoren e koalicionit Aleanca për Ndryshim ende pa nisur procesi i numërimit. Sipas Bashës qytetarët shprehen vullnetin në kutitë e votimit dhe se në fund fiton Shqipëria.

"Faleminderit të gjithë qytetarëve që zgjodhën ndryshimin, ky është një fitore e qartë për popullin shqiptar dhe për Aleancën për Ndryshim. Vullneti i popullit është në kutitë e votimit, kanë besim të plotë që numëruesit do e përmbyllin këtë proces me përgjegjësi, durim dhe sipas ligjit. Në fund të këtij procesi Shqipëria fiton", tha Basha.

Gjatë ditës së sotme kryedemokrati bëri thirrje që shqiptarët të dalin të votojnë, thirrje që u përsëritën edhe nga Elbasani dhe Durërsi ku ishte i pranishëm. Basha, nëpërmjet një video-mesazhi u përcjell një mesazh qytetarëve të cilëve u kërkojnë që të votojnë për të. Ai ka përdorur disa fëmijë të cilët shfaqen në video duke cituar shprehjen: “Voto për mua”.

21:26

Kryemadhi: Opozita e bashkuar fiton 85 deri në 90 mandate, LSI merr 28-30

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë projeksionin e saj të fitores pak pas mbylljes së procesit të votimit. Ajo tha se opozita e bashkuar ka fituar 85 deri në 90 mandate. Ndërsa LSI sipas saj ka 28 deri në 30 mandate.

Në një deklaratë për media, Kryemadhi i ka bërë thirrje të gjithë numëruesve të LSI dhe PD: “Të çojnë deri në fund procesin e numërimit, në mënyrë të tillë që të mos ketë asnjë cedim, qoftë edhe për një votë të vetme, sepse sot çdo votë në kutitë e votimit të 25 prillit është votë e shenjtë, është votë, e cila i ka dhënë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit në Shqipëri”.

“Shumë shpejt u takuam përsëri. Tashmë që të gjitha qendrat e votimit po mbyllen përfundimisht, ka pasur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, mbi 1,7 milionë votues. Ajo që dua të theksoj është që asnjë ndjenjë euforie nuk duhet t’i kapi të gjithë. Komisionerët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të opozitës, po kështu të gjitha strukturat të bëjnë gati numëruesit, në mënyrë të tillë që procesi të shkojë deri në fund. Nuk duhet të lëshojmë asnjë milimetër, por përkundrazi ta çojmë procesin deri në fund, sepse çdo moment, çdo sekondë, është ajo që e çon Shqipërinë drejt Evropës. Numrat që janë tregojnë për një fitore të jashtëzakonshme të opozitës. Sot të paktën në projeksionet e LSI-së, opozita e bashkuar ka nga 85-90 mandate, ku forcë e parë dhe e padiskutueshme është Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim them që ka nga 28-30 mandate në kutitë e votimit, në të cilat shqiptarët kanë votuar sot”, ka thënë ajo.

21:23

KQZ: 47.94% e qytetarëve morën pjesë në votime në Shqipëri

Komisioni Qendror i Zgjedhje në Shqipëri ka njoftuar se 47.94% e qytetarëve kanë ushtruar sot të drejtën e tyre për të votuar.

Të dhënat vijnë nga 642 qendra votimi, kur në total janë 5199 të tilla në të gjithë vendin. Në këto 642, kanë votuar 225.372 qytetarë nga 470.122 të regjistruar.

Tirana dhe Dibra rezultojnë dy qarqet me pjesëmarrjen më të lartë në votime, Tirana me 53.32% dhe Dibra me 52.95%.

Në qarkun e Beratit kanë votuar 43.4 %, e zgjedhësve.
Në Durrës, 43.34 %,
Në Elbasan, 49.44 %,
Në Fier, 44.99 %,
Në Gjirokastër, 42.92 %,
Në Korçë, 43.43 %,
Në Kukës, 48.47 %,
Në Lezhë , 44.5 %,
Në Shkodër, 41.8 %,
Dhe në Vlorë, pjesëmarrja e votuesve mbetet e ulët, me 34.05 %.

21:16

Abazi: Nuk do të lejojmë vjedhje të votave

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, ka thënë se integriteti i këtyre zgjedhjeve varet nga garantimi i votës së qytetarëve të cilët kanë mbështetur kandidatët e pavarur.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk do të lejojnë tjetërsim apo manipulim të votave.

Abazai ka shkruar se e vërteta nuk qëndron nëpër exit-polle por brenda kutive të votimit.

“Vëzhguesit tanë janë pranë të gjitha tavolinave në çdo qendër numërimi dhe nuk do lejojmë tjetërsim, manipulim apo vjedhje. E vërteta nuk është nëpër ‘exit-poll’ por brenda kutive të votimit, dhe e vërteta do na çojë përpara”, ka shkruar ai.

 

20:49

Rama: Nga zgjedhjet duhet të dalë e fituar Shqipëria, jo vetëm partia fituese

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama ka komentuar ecurinë e sotme të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri duke bërë thirrje që procesi i numërimit të votimit të përcillet me qetësi nga të gjitha partitë politike në vend dhe se nga këto zgjedhje fituese duhet të dalë i gjithë vendi dhe jo vetëm partia fituese.

Ai në një konferencë për media pak pas përmbylljes së procesit të votimit nuk ka dashur të komentojë rezultatet e exit-polleve që tregojnë PS-në parti fituese të zgjedhjeve, duke thënë se populli ka folur tashmë me votën e vet dhe se duhet pritur procesi i numërimit.

“Dua njëkohësisht t’iu them të gjithëve, në rend të parë, socialistëve se vota janë në kuti se populli ka folur dhe tash duhet të dëgjojmë popullin, dhe se detyra jonë dhe e çdo vëzhguesi në qendër numërimi është në me përgjegjësinë më të lartë qytetare të kontribuojë për të numëruar votat në mënyrë korrekte që janë në kuti dhe hamendjet, exit-pollet, pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisës përsëri, i përkasin arsyetimeve të para ndeshjes. Tani është rezultati i të gjitha kutive të votimit që është rezultat i ndeshjes”, ka thënë Rama.

Rama ka vlerësuar ecurinë e procesit të sotëm zgjedhor si të mirë dhe ka shfaqur bindjen se kjo do të vazhdojë deri në fund të këtij procesi kur edhe do të shpallen rezultatet përfundimtare.

“Ne nuk duam thjesht rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse përsëri, por duam që siç ishte kjo ditë kaq e bukur dhe e qetë, falë mirësjelljes demokratike të të gjithëve, duhet të jetë edhe vazhdimi i procesit dhe nga ky proces duhet të dalë e fituar Shqipëria dhe jo vetëm partia që do të qeverisë vendin”, u shpreh Rama.

19:04

Përfundon procesi i votimit në Shqipëri

Është mbyllur procesi i votimit në Shqipëri. Deri në orën 18:00, në nivel vendi kanë dalë në zgjedhje 45.45 për qind e votuesve. Tirana është qyteti ku kanë votuar më shumë qytetarë të cilët kanë të drejtë vote madje zyrtarisht, me numrat e deritanishëm, kryeqyteti kalon edhe numrin e votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ku ishte 49.91% pjesëmarrja ndërsa tani ka arritur në 51.58%.

18:23

Deri në orën 17:00 në Shqipëri kanë votuar 43.56%

Pas 10 orëve të hapjes së procesit të votimit, 43.56% është pjesëmarrja në rang vendi.

Nga përditësimi i fundit i dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon të rritet numri i votuesve ndërsa shihet një pjesëmarrje më e lartë se në vitin 2017.

Procesi ka vijuar i qetë si në bashki ashtu dhe në njësitë administrative. Problem ka pasur vetëm disa herë me identifikuesin biometrik e cila ka sjellë vonesa në procesin e votimit ne disa qendra votimi.

Mbeten Dibra me Tiranën dy qarqet me numrin më të lartë të votuesve, 49.63 %% dhe 49.30 %, transmeton TCH.

Ndërsa në qarqet e tjera, pjesëmarrja është:

Berat – 41.10 %,

Durrës – 42.31 %,

Elbasan – 44.52 %

Fier – 41.20 %

Gjirokastër – 39.24 %

Korçë – 41.78 %

Kukës – 45.43 %

Lezhë – 41.28 %

Shkodër – 38.11 %

Vlorë – 31.67 %

17:28

Meta: Zgjedhjet ishin të mrekullueshme, tregon se jemi popull i përgjegjshëm

Presidenti Ilir Meta tha nga Fieri se zgjedhjet ishin të mrekullueshme dhe se procesi po ecën shumë mirë.

Meta theksoi se kjo tregon se populli është i përgjegjshëm.

“Të zgjedhim kandidatin që do të mbrojë interesin e qytetarëve dhe interesin kombëtar. Zgjedhjet ishin të mrekullueshme. Kudo procesi po ecën shumë mirë. Në Tiranë ishte një pjesëmarrje fantastike. Tregon që jemi një popull shumë i përgjegjshëm për votën. Njëkohësisht kanë treguar respekt të ndërsjellë dhe mirëkuptim. Deri në fund, edhe në ato dy orë që kanë mbetur deri në mbylljen e procesit të votimit. I ftoj të gjithë qytetarët që nuk kanë votuar sepse nuk kanë pasur mundësi, të shkojë të japin votën e tyre, fjalën e tyre të lirë. Të rinjtë të tregojnë se Shqipëria është vendi i tyre. Mbarëvajtja e këtij procesi na rikthen në normalitetin e domosdoshëm të të gjithë institucioneve në vend. Mbarëvajtja është vendimtare në çeljen e negociatave me BE. Duhet të vazhdojmë pa u lodhur, pa u dhënë peshën e duhur këtyre problemeve të vogla. Një falënderim të veçantë e kam edhe për mediat’, tha Presidenti Meta.

Meta u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin të votojnë në mënyrë masive. Meta tha se kanë mbetur edhe dy orë, kështu që kushdo që nuk ka votuar ende, të shkojë dhe të votojë.

17:12

Deri në orën 16:00 në Shqipëri kanë votuar 38.59%

Procesi i votimit po vazhdon në çdo qendër votimi në vend, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri.

Përqindja e pjesëmarrësve në rang vendi deri në orën 16:00 është 38.59%, përfaqësuesja e KQZ sqaron se është vetëm nga të dhënat e 1612 qendrave të votimit, nga 5199 që janë në total.

“E njëjta mënyrë e përcjelljes së rezultatit ka qenë e njëjta si në vitet e shkuara”, ka thënë përfaqësuesja e KQZ-së në një deklaratë.

15:57

Nga 1.998 QV të raportuara, pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00 është 38.25%

Pas 8 orëve të hapjes së procesit të votimit në Shqipëri, 38.25% është pjesëmarrja në rang vendi nga raporti i 1.998 qendrave të votimit nga 5.199 sa janë gjithsej.

Në qarkun e Lezhës pjesëmarrja është 26%. Shihet një pjesëmarrje më e lartë se në vitin 2017.

Në total për qarkun Gjirokastër pjesëmarrja deri tani është në 20.4%.

Në qytetin e Lushnjes kanë votuar 13.607 votues nga 45.076 totali edhe pjesëmarrja është 30%.

Krahasuar me vitin 2017 në orën 15:00, ka tendencë të rritjes së daljes për të votuar.

15:03

Dibra e Tirana me pjesëmarrjen më të lartë të votuesve deri në orën 14:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri përmes të dhënave që disponon deri në këto momente bën me dije se pjesëmarrja e votimit është e lartë, dhe pse siç konfirmojnë akoma nuk kanë informacion për shumicën e qendrave të votimit.

Ndërkohë sipas KQZ-së nga 5,199 qendra votimi në total deri në orën 14:00 kanë raportuar në lidhje me pjesëmarrjen vetëm 2.207 qendra votimi, ku deri më tani nga 1.274.400 votues nga këto QV-të e raportuara kanë votuar 453.940 qytetarë.

Deri më tani numri i votuesve që kanë marrë pjesë i bie të jetë 35.59%.

Qarku me numrin më të lartë të pjesëmarrësve është ai i Dibrës me 42.66%, i ndjekur nga Tirana me 39.01%, ndërkohë deri më tani duket se qarku me % më të vogël të pjesëmarrësve të qytetarëve në zgjedhje është ai i Vlorës me 26.84%.

Ndërkohë duke bërë një krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, në këto zgjedhje duket se tendenca është në rritje për të votuar.

14:39

Sulmohet aplikacioni i KQZ-së që tregon të dhënat e pjesëmarrjes në zgjedhje

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ndërsa doli në konferencë për të dhënë shifrat më të fundit të procesit zgjedhor, ka thënë se është sulmuar edhe aplikacioni i KQZ-së që tregon një gjë të tillë, por po punohet për ta zgjidhur.

“Po japim disa info, janë 144 qendra votimi ku po bëhet manualisht votimi. Prej tyre 83 janë duke e bërë këtë proces për shkak se nuk janë paraqit operatorët. Pjesa tjetër janë se kanë pasur probleme me pajisjen. Ka raste sporadike pezullim të përkohshëm të votimit, qoftë dhe për konfliktet në komisione, po këto kanë qenë të karakterit të administrimit të procesit zgjedhor, por nuk bëjnë rrezik për procesin. Për pjesëmarrjen, dy gjëra: numri 65 është numri i qendrave të votimit që kanë raportuar, dua ta theksoj këtë, pjesëmarrja që deklarojmë është në bazë të atyre që raportojnë. Kemi një numër të vogël qendrash që kanë raportuar, pasi aplikacioni është sulmuar pak më para dhe nuk mund të shmangej dhe po punohet ta zgjidhim, nëse jo kemi plan B dhe C. Aplikacioni është i përdorshëm edhe nga operatorët duke skanuar një kod që pajisja e gjeneron çdo një orë”, ka thënë ai.

“Kjo e dhënë që merret dërgohet në KQZ dhe bëhet përpunimi i informacionit. Jo më pak se 2500 operatorë raportojnë mbi pjesëmarrjen, por prej një ore nuk mund ta marrim, pasi është sulmuar aplikacioni në pikëpamje informatike. Nuk e dimë se kush e ka sulmuar se do ta kishim luftuar menjëherë. Po punojmë dhe besoj se do kemi zgjidhje. Nuk ka raste të bllokimit të qendrave të votimit”, shtoi Celibashi.

Ndërkohë, deri në orën 13:00, 65 nga 5.199 QV-të që kanë raportuar, dalja në zgjedhje është 31.87%.

13:42

Pjesëmarrja në votim deri në ora 12:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka përditësuar të dhënat për daljen në zgjedhjet parlamentare deri në orën 12:00.

Deri në ora 12:00, 47 nga 5.199 QV-të që kanë raportuar, del se numri i pjesëmarrësve në zgjedhje është 27.18%

“Përqindja e pjesëmarrjes është në raport me ato QV-të që kanë raportuar. E theksoj, për qindja e pjesëmarrjes është për ato QV-të që kanë raportuar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Image

12:03

Tirana me pjesëmarrjen më të lartë të votuesve deri në orën 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 11:00 kanë marrë pjesë në zgjedhje 15.72% e votuesve në të dhënat nga 268 qendra votimi nga 5199 që janë në total.

Përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës, ku kanë votuar 17.28 % e qytetarëve , ndërsa më e ulët, raportohet në Qarkun e Gjirokastrës, ku kanë votuar 11.04%.

Përkthyer në votues, bëhet me dije kanë votuar 28,403 zgjedhës nga 180,646 që kanë në total qendrat e votimit që kanë raportuar pranë KQZ-së.


Raportohet për pesë raste të fotografimit të votës në Shqipëri

Në Shqipëri është raportuar deri më tash për pesë raste të fotografimit të votës, njofton Top Channel.

Në Dhoksat të Lunxhërisë është kapur një qytetar nga komisionerët duke fotografuar votën. Po ashtu është raportuar për raste të fotografimit të votës në Tiranë, Vlorë, Shkodër e Korçë. Madje qytetari i kapur në Tiranë kishte fotografuar votën dy herë.

Image

Voton në Shqipëri edhe Ramiz Lladrovci

Në zgjedhjet në Shqipëri ka votuar edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, me familjen e tij. “Po, votuam, është votë për Shqipërinë, për shqiptarët, për vlerat më të mira të demokracisë, respektimin e ligjit, për perspektivën e saj brenda kombeve më të përparuara. Gëzuar!” – ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Image
10:35

Rama: Demokracia është një sport, secili të zbresë në fushë dhe të gjuajë me votë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë sot pas votimit se në këtë ditë nuk duhet të ushqehet asnjë ndjenjë negative ndaj askujt.

Rama ka deklaruar se demokracia është një sport ku secili duhet të zbresë vetë në fushë dhe të gjuajë me votë.

“Sot është një ditë shumë e bukur, sot është dita që të mos ushqejmë asnjë ndjenjë negative ndaj askujt që me botën e vet shpreh një opinion tjetër. Jemi në familje e madhe në të njëjtin atdhe dhe askush të mos harrojë se demokracia është një sport dhe secili duhet të zbresë vetë më fushë dhe të gjuajë me votë”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, ai ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet në Shqipëri.

09:03

Albin Kurti voton në Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar mëngjesin e sotëm për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Kurti ka votuar në kopshtin numër 31 në Tiranë, në zonën e ish-Bllokut.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj të gjithë qytetarët që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave. Dita është e bukur, e diel me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj sa më shumë ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri, ashtu sikur unë që kam pasaportën e Shqipërisë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Kurti ka qenë i shoqëruar nga kandidati i Vetëvendosjes në Shqipëri, Boiken Abazi, dhe mbështetës të Lëvizjes në Shqipëri.


Konflikt mes komisionerëve në Vlorë, ndërpritet votimi

Duket se përpos problemeve teknike, kanë nisur edhe tensionet e para në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, sipas A2CNN.

Sikurse raportohet, në Vlorë, në qendrën e votimit nr. 4471, komisionerët janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

Komisionerët e PD-së kanë pikasur dikë duke fotografuar votën dhe kanë kërkuar të mbajnë procesverbal, gjë që ka çuar në konflikt mes palëve.

Komisionerët janë mbyllur brenda dhe kanë bllokuar votimin, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur kryetarët e KZAZ-ve.

Image

Deri në orën 9:00, përqindja më e lartë e votuesve është në qarkun e Tiranës

Në 757 nga 5199 Qendrat e Votimit në të gjithë vendi, deri në orën 09:00 kanë votuar 7.36 % e qytetarëve, e përkthyer në 61.439 qytetarë.

“Balkanweb” raporton se përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës, ku kanë votuar 8.36 % e qytetarëve , ndërsa më e ulët, në Qarkun e Vlorës, ku kanë votuar 5.24 %.

“Kanë dalë numri i votuesve në këto momente, deri në 9, 7.36 %. Deri në këto momente flasim për pjesëmarrjen më të madhe në Tirana me 8.36 % dhe pjesëmarrja më e ulët në Vlorë, me 5.24 %”, u shpreh gazetarja.


Voton Sali Berisha: Po shkojmë drejt fitores

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja ka votuar sot në shkollën “Kosova”, në Tiranë.

Në procesin e votimit pati një vështirësi në njohjen e shenjave të gishtave, ndërsa pasi hodhi votën në kutinë e votimit dhe përshëndeti me dy gishtat lart, Sali Berisha u shpreh i bindur se opozita po shkon drejt fitores.

“Fitorja ka fytyrën dhe bukurinë e kësaj dite të bekuar. Ftoj me këtë rast çdo qytetar të këtij vendi të firmosë ditën e sotme, një fitore madhështore për Shqipërinë dhe shqiptarët, të votojë për sakrificat e tij, për familjen, fëmijët, nipërit, mbesat, për emigrantët shqiptarë që një regjim në largim i bllokoi, u shpiku karantinën si një mjet politik për të mos lejuar votimin e tyre. Të votojnë për të gjithë ata të cilët i thonë lirisë liri dhe Shqipërisë Shqipëri. Deri tani votimi po ecën i sigurt drejt fitores me gjithë përpjekjet, e përpëlitjet anti-ligjore, të pamoralë, fitorja po bëhet çdo sekond dhe minutë më e madhe, më e bukur dhe më e fuqishme”, ka thënë ai.

Image

Basha pas votimit: Sot është dita e demokracisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka hedhur votën e tij në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Shqipëri.

Basha pas votimit u bëri thirrje të gjithëve që të përdorin siç tha, fuqinë e tyre për të vendosur për të ardhmen e tyre.

“Sot është ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë në dorë fuqinë e tyre. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht, dhe të bëni me votën tuaj të mundur të ardhmen që doni për familjet, për vendin tuaj dhe për vetën tuaj. Sot është dita e Shqipërisë. Është dita e demokracisë, dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj”, ka thënë Basha.

Image
Lulzim Basha
08:06

Shqipëria voton

3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri, sot do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.

Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Kjo do të aplikohet në të gjithë vendin, ndërsa do të parandalojë edhe mundësinë për votim të dyfishtë.

Votuesi shqiptar do të duhet që të identifikohet duke e kaluar kartën e identitetit ose pasaportën biometrike tek pajisja. Kjo pamundëson edhe votimin numër të dikujt tjetër. Në momentin që shenja e gishtit nuk përputhet me kartën e identitetit, atëherë pajisja do të lëshojë edhe një sinjal akustik që do të alarmojë të gjithë komisionerët në vendvotim.

Për herë të parë në Shqipëri do të jetë edhe votimi elektronik. Ky do të jetë një projekt-pilot vetëm në një zonë zgjedhore e cila përkon me njësinë administrative nr. 10 në Tiranë. Në të gjitha zonat e tjera të votimit në vend do të zbatohet votimi dhe numërimi manual.

Tjetër risi do të jenë kamerat në çdo qendër votimi. Kamera me rezolucion të lartë do të instalohen në çdo qendër votimi. Në rast problematikash ato do të jenë një provë e mëtejshme për garantimin e sigurisë së procesit dhe ndjekjen e incidenteve.

Ndryshe nga Kosova, të prekurit më COVID nuk do të kenë mundësi që të votojnë. Kodi Zgjedhor në Shqipëri kërkon që votuesi të paraqitet fizikisht në qendrën e votimit dhe nuk parasheh ekipe mobile./kp


Liburn Aliu voton në Shqipëri

Të drejtën e votimit si shtetas edhe i shtetit të Shqipërisë e shfrytëzoi edhe ministri i Planifikimit të Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu.

Pasi votoi në një qendër votimi në Tiranë, anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje për KP, uroi që i tërë procesi i votimit dhe numërimit në Shqipëri të jetë në rregull.

“Uroj që të jetë çdo gjë e rregullt edhe në procesin e votimit dhe numërim. Shpresoj të kenë sukses kandidatët e përkrahur nga VV”, ka thënë Aliu.


Rama: Të tregojmë se përtej partive për ne është Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ditën e zgjedhjeve ka thënë se të gjithë së bashku duhet treguar se përtej partive e dasive për ata është Shqipëria.

Rama ka shkruar në Facebook se qytetarët duhet të shprehin bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit.

“Le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, ka shkruar ai.


Voton edhe presidenti Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, para pak çastesh ushtroi të drejtën e votës në zgjedhjet e përgjithshme që po mbahen në Shqipëri.

Meta përmes Facebookut u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të dalin sa më shumë të votojnë, pasi sipas tij, sot do të jetë festa e demokracisë.

Ndërkohë bashkë me Metën, të drejtën e votës e shfrytëzoi edhe liderja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila u shpreh e bindur në fitore e partisë që udhëheq.