Arbëri

Borrell: Presim organizimin e rundit të radhës të dialogut më 11 maj

 


Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se pret që të ketë një rund të radhës të dialogut Kosovë – Serbi më 11 maj. Borrell ka thënë se nuk ka asgjë të re për të ofruar, por ka thënë se rruga evropiane duhet të jetë stimulim i mjaftueshëm për palët për të arritur drejt një sukses në dialog.

“Kemi folur për dialogun. Kam thënë dhe e kam vlerësuar përkushtimin e presidentit Vuçiq ndaj dialogut dhe e inkurajoj të vazhdojë me këtë qasje drejt arritjes së një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për palët. Duhet të vazhdojë procesi, përkundër vështirësive. Do të kemi një takim me kryeministrin e ri të Kosovës, nuk është në fakt i ri, pasi ishte kryeministër kur filluam. Shpresoj të kemi një rund të radhës të dialogut në datën e paraparë 11 maj. Nuk kam asgjë për të ofruar, vetëm dua të shpjegojë sa i rëndësishëm është të vazhdohet ky dialog. Pasi është mënyra e vetme për të arritur drejt një zgjidhje dhe marrëveshje gjithpërfshirëse e ligjërisht të obligueshme. Vetëm rruga evropiane duhet të jetë stimulim i fuqishëm për të pasur sukses ky dialog”, ka thënë Borrell, që ka shtuar se synimi i tij është që gjithë Ballkani Perëndimor të integrohet në BE.