1 perditesime
Arbëri

Të enjten seancë, diskutohet për gjendjen në arsim

Të enjten seancë, diskutohet për gjendjen në arsim
11:40

Të enjten seancë, diskutohet për gjendjen në arsim

Të enjten do të mbahet seancë plenare për gjendjen në arsim, në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është e rëndësishme pjesëmarrja e kryeministrit dhe ministres së Arsimit.

Pas mbledhjes së kryesisë, ai njoftoi se në këtë seancë do të diskutohet edhe çështja e pagesës së rrymës në veri.

“Në këtë debat është jashtëzakonisht e rëndësishme pjesëmarrja e kryeministrit dhe e ministres së Arsimit. Në seancë është vendosur që të diskutohet edhe çështja e pagesës së rrymës në veri. Ne e kemi kundërshtuar ndarjen e mjeteve por siç e dini mazhoranca e ka shumicën. Kjo mazhorancë po vendos që me taksat e qytetarëve të paguhet e të cilin e ka ndaluar edhe një vendim i GJK-së”, ka thënë Tahiri.

Tahiri teksa ka folur për takimet partiake për dialogun, ka thënë se Kurti një gjë të tillë është dashur ta bënte para vizitës në Bruksel. Ka thënë se nuk ka transparencë e seriozitet nga Qeveria për këtë dhe se vendi i vetëm ku duhet të bëhen takime për dialogun “është Kuvendi i Kosovës”.

“Ne nuk kemi pranuar ende as një ftesë nga Kurti. Mendoj që Kurti në rast se do ta kishte seriozisht koordinimin me opozitën sa i përket kësaj çështje do të duhej ta bënte para se të udhëtonte për Bruksel. Vizita e tij në Bruksel i ka shërbyer kryekëput dialogut, fillimit të dialogut mes Republikë së Kosovës dhe Republikë së Serbisë dhe nëse ai do të ishte i sinqertë do të duhej që një takim i tillë ose më mirë të them një seancë do të duhej të ndodhte paraprakisht”, tha ai.


Tahiri e quan të padinjitetshme deklaratën e Kurtit lidhur me dokumentet për dialogun

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në dialogun me Serbinë, i rëndësishëm është konsultimi paraprak me partitë politike në Kosovë dhe diskutimi në Kuvend.

Para mediave, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se askush nuk ka ekskluzivitet për temën e dialogut, kur është pyetur nëse do të marrin pjesë në takimin e paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti dhe subjektet politike në opozitë.

“AAK-ja e konsideron shumë të rëndësishme konsultimin paraprak me partitë parlamentare, informimin në Kuvend dhe njëkohësisht trajtimin e kësaj teme në mënyrën më serioze të mundshme. Platforma politike, vizioni politik për dialog, që buron edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që përgjegjës për këtë është Qeveria, duhet të jetë më serioz i mundshëm. Askush nuk ka ekskluzivitet për këtë temë, as Kurti e as askush tjetër për me pas sukses në tema nacionale duhet me kanë qasja shumë serioze”, ka thënë ai.

Tahiri e quajti të padinjitetshme deklaratën e Kurtit se po merr vesh më shumë në Bruksel për dialogun sesa që ka gjetur dokumente në Prishtinë.

Ai tha se të gjitha dokumentet i ka Kurti, e se vetëm duhet t’i kërkojë ato.

“Edhe kjo është një deklaratë jashtëzakonisht e papërgjegjshme e Kurti. Kurti e ka dokumentin e hartuar me detaje me të gjitha pozicionet për tema në kryeministri veç duhet me e lypë. E ka raportin e zbatimit të gjitha marrëveshjeve të deritanishme që e dinë shumë mirë se ka ardhur edhe në Kuvend. Është totalisht, për mendimin tim, e padinjitetshme që këto deklarata të jepen prej Brukseli e qaty e ka në sirtar i ka këto raporte edhe nëse nuk i ka unë personalisht ia jap se unë të gjitha i kam, por janë aty”, shtoi ai.

Tahiri është përgjigjur edhe rreth rekomandimit për autorizimin e KOSTT-it që të paguajë rrymën në veri edhe për gjashtë muaj. Tha se vendimet nuk duhet të jenë në dëm të qytetarëve dhe temat e tilla të trajtohen në formën më të duhur.


Gashi: Kurti po thotë të pavërteta, Hoti ia ka dorëzuar dosjen me detajet e bisedimeve me Serbinë

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se sistemi e obligon kryeministrin që pas çdo vizite të raportoj para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka shtuar se Albin Kurti ka shkuar në Bruksel pa e njoftuar Kuvendin, por kur të kthehet duhet të raportoj aty.

Gashi e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e Kurtit, i cili ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë dokument lidhur me ecurinë e dialogut kur e ka pranuar detyrën nga ai. Gashi ka thënë se ish-kryeministri Avdullah Hoti i ka dorëzuar të gjitha dokumentet për procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë sepse ish-kryeministri Hoti i ka dorëzuar një dosje të plotë dhe të detajuar të dëshmueshme që ia ka dorëzu këtë dosje z. Kurti dhe kjo është njëra nga arsyet pse e ka pritë në zyre. Në dokumentacionin e dorëzimit të detyrës ka të detajuar procesin e bisedimeve me Serbinë. Pra, Kurti apo kryeministri i vendit po thotë të pavërteta në lidhje me këtë çështje. Jam i bindur se këto të pavërteta do të dekonspirohen me të vërtetat që do t’i nxjerrë Hoti”, tha Gashi.

08:13

Kryesia e Kuvendit mblidhet sot

Sot do të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës nga ora 10:00, me pikë kryesore të ditës, caktimin e seancës plenare të ardhshme.

Po ashtu do të shqyrtohen edhe propozimet e kërkesave të partive politike.

Rendi i ditës"

I. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mëparshme e Kryesisë së Kuvendit,

II. Përgatitjet për Seancë plenare:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.

III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave