4 perditesime
23:33

Kusari: Lajm i mirë nisja e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve

Flutura Kusari e ka quajtur lajm të mirë finalizimin e rregullores që e bën të plotfuqishëm Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Kusari, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se pa këtë rregullore, ligji ishte i pazbatueshëm për dy vjet.

“Ne kemi një ligj për mbrojtjen e sinjalizuesve, gati më shumë se dy vite dhe ky ligj nuk ka mundur të zbatohet, sepse ka munguar një rregullore që e përcakton qartë, në detaje. Tash e kemi këtë rregullore, ka filluar në kohën e Abelard Tahirit, Selimi Selimi e ka vazhdu, tash Albulena Haxhiu e miratoi. Të tri pushtetet kanë pas bashkëpunim të mirë me shoqërinë civile. Abelardi nga fundi nisi me na përjashtu se nuk i pëlqenin kritikat, por përgjithësisht ka qenë proces gjithëpërfshirës. Tash me këtë rregullore nënkupton se secili institucion duhet me pas një person që i trajton sinjalizimet, sepse sinjalizuesit duhet së pari me provu që një parregullsi që janë duke e parë me e adresu brenda institucionit. Pastaj me shku në Agjencinë Kundër-korrupsion, e pastaj eventualisht me dal në media. Dhe kjo procedurë ka logjikë, ideja është me ruajt besimin në institucione. Mirëpo, kur sinjalizuesi e sheh që nuk ka gjasa me u trajtu sinjalizimi brenda, atëherë mund të shkojë direkt në media, shumë varet prej vullnetit politik”, ka thënë ajo.

Kusari, ka thënë se Ministria e Drejtësisë po ecën në rrugën e duhur, por kjo gatishmëri do të shihet më mirë pas nëj viti.

“MD-ja është në drejtim të mirë me e respektu rregulloren, ka nis me i marrë sinjalizimet, por këtu kemi të bëjmë me raste kur njerëzit shkojnë dhe tregojnë për keqpërdorimet që janë bërë nga pushteti i kaluar. Ne kemi me e pa efektin e rregullores pas një viti, kur vetë Vetëvendosje ka me fillu me marrë vendime, tani do ta shohim a do të jenë po kaq liberal, në kuptimin me i trajtu këto raste si duhet”, ka shtuar ajo.

 

23:30

Kusari: Vetërregullimi i mediave duhet të mbështetet

Juristja e mediave, Flutura Kusari, lidhur me diskutimet për ndryshimet ligjore dhe mundësinë e futjes nën ombrellën e KPM-së të mediave online, ka thënë se ky është testim i sistemit.

Sipas saj një veprim i tillë ka qenë edhe me iniciativën për ndryshimin e kodit të etikës, me të cilin sipas saj, kanë tentuar ta ndalojnë raportimin nga gjykata.

“Normal që është tronditëse me pa se si shteti po donë t’i rregullojë mediat online dhe të shkruara kur dihet se ato vetë rregullohen. Nuk duhet të futen brenda kompetencave të KPM-së. Grupi i mediave të shkruara dhe online rregullohen prej Këshillit të Mediave të Shkruara që është trup vetërregullativ. Redaktorët bëhen bashkë dhe e rregullojnë vetveten. Ky është një sistem që njihet në krejt Evropën dhe te ne është storje e suksesit. Unë kam qenë anëtare aty dhe ka një efekt të jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo.

Kusari ka thënë se vetrregullimi duhet të mbrohet dhe të mbështetet, e jo të tentohet t’u merren kompetencat.

Ajo ka thënë se KPM-ja duhet t’i kryej punët e veta, e të mos marrë vendime që janë në kundërshtim flagrant me vetën.

 

23:26

Kusari: Pozita e koordinatorit në Prokurori, e kotë

Flutura Kusari, juriste për media, e ka quajtur të kotë pozitën e koordinatorit në Prokurori për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sulmet ndaj gazetarëve.

Kusari, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se është gati e pamundshme me marrë informacione për raste të caktuara.

“Prokurori që mban pozitën e koordinatorit është prokuror për të cilin personalisht kam respekt, por pozita si e tillë është pozitë koti, qoftë në polici, qoftë në prokurori, qoftë në gjykata. Është e pamundur sot me marrë informacione, është shumë vështirë me marrë informacione. Është vështirë me bë hulumtim, me kërku të dhëna, ose duhet me shku përmes AGK-së, ose përmes gazetarëve që kanë emër dhe ata kanë me mu frikësu me thonë ‘jo’. Përtej kësaj, ideja e këtyre koordinatorëve ka qenë që me u koordinu mes vete edhe me pas shumë më lehtë me ndjek rrugën e një rasti, gjë që është e pamundur sot”, ka thënë Kusari.

 

23:22

Kusari: Dënimet për sulmet ndaj gazetarëve, situmulim për sulmuesit

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka kritikuar organet e drejtësisë për neglizhimin e lëndëve të dhunës ndaj gazetarëve.

Duke folur për rastet e dhunës ndaj gazetarëve, ajo ka thënë se nëse ndonjë politikan do të sulmohej në rrugë atëherë personat përgjegjës do të arrestoheshin brenda ditës.

“Në qoftëse do të kishim një rast kur një person do t'ia flakareshte shuplakë Liburn Aliut, ose ish-ministrit Selim Selimi ose ministrit të ndonjë partie tjetër, çka do të kishte ndodhur në këto raste? Brenda orëve do ta arrestonin personin, do ngrihej aktakuzë edhe kishte me pas aktgjykim përfundimtar me burg, siç është rasti i sulmit online ndaj ambasadorit Qëndrim Gashi. Në rastin e Valonit, që është dënimi 4000 euro. Kemi një rast shumë flagrant të ndërhyrjes fizike që është rasti i Endrit Shalës ndaj gazetarit të indeksonlinet, kemi pasur video të tmerrshme, për të cilat ka aktakuzë por nuk ka epilog. Kritika kryesore ndaj policisë, prokurorisë e gjykatës është se ka hetime, në të shumtën e herave të ngadalta e jo profesionale, nganjëherë nuk ka fare hetime, dhe dënimet janë qesharake, gjykatësit nuk po i marrin me prioritet dhe si çështje shumë të ndjeshme rrahjet e gazetarëve janë stimulimi për sulmuesit”, ka thënë ajo.

23:14

Kusari: Duhet të bëhet aprovimi i një strategjie për sigurimin e gazetarëve

Juristja e mediave, Flutura Kusari ka thënë se asnjë parti në vend nuk ka treguar vullnet politik për të krijuar ambient ku gazetaria është e mundshme.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ndonjëherë diskutimi bëhet duke ua lënë barrën gazetarëve për ambientin se ku bëhet gazetari.

Kusari ka shtuar se do të duhej të bëhej draftimi dhe aprovimi i një strategjie kombëtare për planin e veprimit për sigurimin e gazetarëve.

“Më përpara ne kemi mund me eliminu Vetëvendosjen prej këtij grupimi se nuk kanë qenë në pushtet por tash janë. Nuk ka pasur asnjë përpjekje serioze dhe kjo vërtetohet me faktin se asnjë politikan deri në orët e vona të mesditës nuk e kanë shënuar këtë ditë. Kjo tregon se çfarë qasje kanë politikanët në respektimin e lirisë së medias. Çka duhet me ndodhë, përgjegjësia i takon shtetit dhe duhet marrë masa të shumta. Si fazë fillestare kish me qenë draftimi dhe aprovimi i një strategjie kombëtare dhe plani të veprimit për sigurimin e gazetarëve sepse kjo është një prej problemeve kryesore dhe ende nuk ka mekanizëm që mundemi me ju drejtu. Janë disa raste të gazetarëve në gjykatë dhe dënimet janë qesharake”, ka thënë ajo.

Sot më 3 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit.