2 perditesime
20:29

Të mërkurën punonjësit shëndetësorë në Kosovë do të imunizohen me vaksinën e Pfizerit

Të mërkurën do të fillojë procesi i vaksinimit të punonjësve shëndetësorë nga e tërë Kosova me vaksinën e Pfizerit.

Në Kosovë sot kanë arritur 4680 doza të vaksinës antiCOVID të Pfizer/Biontech, pjesë e donacionit nga BE-ja. Për Kosovën nga ky donacion janë paraparë 95 mijë vaksina.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se këto doza do të përdoren për vaksinim të punonjësve shëndetësorë. Një numër i madh i punonjësve shëndetësorë kishte refuzuar të merrte vaksinën e AstraZenencas. Nga MSH-ja është thënë se do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë që për arsye shëndetësore nuk arritën të vaksinohen në fazën e parë, e për këtë duhet të kenë dëshmi. 

Procesi i vaksinimit do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00.

“Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, këto doza të vaksinës Pfizer/Biontech do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit për arsye shëndetësore për çka duhet të kenë dëshmi. Vaksinimi do të rifillojë nesër, e mërkurë 5 maj 2021 me punëtorët shëndetësor nga e tërë Kosova, të cilët do të vaksinohen në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

19:18

Arrijnë vaksinat e Pfizerit në Kosovë

Kanë arritur në Kosovë mbi 4.600 vaksina të Pfizerit.

Vaksinat e dorëzuara janë donacion nga Bashkimi Evropian, ndërsa Kosova do të pëfitojë nga kjo organizatë gjithsej 95.000 doza.

Donacion i tillë është nisur edhe në vendet e rajonit. Kontingjenti i parë ka arritur në Bosnjë.

Kosova filloi vaksinimin në fund të marsit me 24 mijë dozat e vaksinës AstraZeneca të cilat i mori përmes programit COVAX.

11:50

4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer arrijnë sot në Kosovë

4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer, do të arrijnë në Kosovë gjatë ditës së sotme.

Këtë për KOHËN e kanë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se ende nuk e kanë të saktë orën e arritjes, por vaksinat do të arrijnë pasdite në Kosovë.

Këto doza të vaksinës janë donacion nga Bashkimi Evropian, nga i cili Kosova do të përfitojë gjithsej 95 mijë doza.

Nga BE-ja, tashmë kanë nisur të mbërrijnë në vendet e rajonit dozat e parë të vaksinave. Sot kontingjenti i parë ka mbërritur në Bosnje e Hercegovinë.