2 perditesime
19:02

Bislimi me dokumente të Lajçakut në Komision – thotë se nuk do të ketë dialog teknik

Debat i ashpër ndërmjet përfaqësuesve të opozitës dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është zhvilluar gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme. Bislimi, i cili e ka ripërsëritur se nuk kanë gjetur dokumente nga pararendësit e tyre në kabinet, në mbledhjen e Komisionit i ka sjellë dosjet të cilat thotë se i kanë marrë nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Bruksel javën e kaluar

 

Me një krah dokumente në duar është paraqitur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për të raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Për njërën nga dosjet, më voluminozen, Bislimi ka thënë se e kanë marrë nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e për tjetrën se e kanë gjetur në Qeveri.

“Në momentin që e kemi marrë detyrën si Qeveri, ne kemi gjetur pothuajse zero dokumente për dialogun dhe kjo ka qenë shumë shqetësuese”, ka deklaruar Bislimi.

Dokumentet, të cilat Bislimi pretendon se janë të vetmet që i kanë gjetur kur kanë marrë detyrën, e kanë nxitur reagimin e opozitës.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se deklarimet e zyrtarëve se nuk kanë gjetur dokumente të dialogut janë mashtrim, pasi që të gjitha dokumentet mund të gjenden në arkivat e Qeverisë.

“Dokumentacionet mbetën në zyrë të kryeministrit, kurrkush nuk i ka marrë në shtëpi, se nuk u duhen... Hallakatni more në arkiva, hallakatni”, ka thënë Kadrijaj, e cila ka kërkuar nga zv.kryeministri që para anëtarëve të komisionit të shpalosë detaje nga çështje që lidhen me bisedimet me Serbinë, vizitën në Bruksel, e jo të flasë për dokumentet.

Por, zv.kryeministri i parë i Qeverisë, Besnik Bislimi, doli që ishte ftuar nga kryetari i Komisionit, njëherësh bashkëpartiaku i tij Haki Abazi, pa aprovimin paraprak të anëtarëve të tjerë.

Deputetët nga partitë në opozitë ia rikujtuan kryetarit të Komisionit që për raportim paraprakisht diskutohet në mbledhje, e më pas dërgohet ftesa, për të cilën thanë se nuk e kanë parë.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se kanë menduar që ka qenë kërkesa e zv.kryeministrit që të raportojë në komision dhe jo se i njëjti ka marrë ftesë nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme.

Bislimi kërkoi sqarime nga kryetari i Komisionit nëse anëtarët do të interesohen për vizitën e javës së kaluar në Bruksel, apo edhe për gjithë procesin e dialogut.

Lidhur me vizitën në Bruksel, zv.kryeministri Bislimi ka thënë se u ka dërguar raporte të gjithë drejtuesve të institucioneve. Përveç presidentes e kryeministrit, Bislimi tha se ka dërguar raport edhe te kryetari i Kuvendit, te kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, si dhe të liderët e partive që kanë siguruar ulëse në kuvendin e Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Bislimi, i cili është njëherësh i ngarkuari i Qeverisë për çështje të dialogut, ka thënë se nuk do të ketë dialog teknik. Sipas Bislimit, qeveria ka renditur prioritetet e saj në pesë shtylla.

“E para, që nuk do të rinegociohen marrëveshjet e arritura, që nuk njohin një shtresë të re të qeverisjes, që nuk do të preket sovraniteti territorial, që nuk do të diskutojnë për çështje të brendshme, e që nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë, pjesë e së cilës nuk do të ishte njohja nga Serbia”, ka deklaruar ai.

Raportimi i zv.kryeministrit Bislimi për disa minuta vazhdoi pa praninë e mediave, me arsyetimin se gjatë diskutimit mund të ketë çështje të ndjeshme. Derisa, pas përfundimit të tij, u vendos që javën e ardhshme për raportim të ftohet ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

10:34

Bislimi përjashton dialogun teknik me Serbinë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me Serbinë nuk do të ketë dialog teknik.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, ai ka thënë se dialogu do të jetë politik.

"Nuk do të fillohet me dialog teknik", ka qenë përgjigja e Bislimit.

Deri tash ka pasur disa raunde ku është zhvilluar dialogu teknik me Serbinë.

Bislimi tutje ka theksuar disa prej parimeve të Qeverise për dialogun.

“Nuk ri negociojmë marrëveshjet, nuk krijohet shtresë e re e qeverisjes në Kosovë, nuk diskutojmë për çështjet e brendshme”, ka thënë ai.

Bislimi tutje ka shtuar se kanë kërkuar nëse rastësisht është fshehur ndonjë dokument nga ana e Qeverisë së kaluar.

“E kemi dërguar shefen e kabinetit dhe asistenten që të kontrollojë çdo cep të katit të dytë mos janë fshehur diku ato dokumente”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se sot ka shkuar në komision për të raportuar për vizitën në Bruksel dhe nuk është para gazetarëve t’u përgjigjet për secilën pyetje.

Ai tutje ka shtuar se nuk ka person në Kosovë që e di se sa marrëveshje janë arritur, pasi sipas tij, ndryshon definicioni i marrëveshjeve.

“Varësisht qysh e definon termin marrëveshje thonë se edhe është numri”, ka thënë ai.

Mbledhja është mbyllur për media me arsyetimin se ka çështje të ndjeshme për diskutim.

09:52

Bislimi çon në komision dosjet e Lajçakut dhe Qeverisë për dialogun

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për vizitën në Bruksel.

Ai me vete në raportim ka marrë edhe dosjen nga emisari i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak dhe atë që e kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se në dosjen e trashëguar nuk ka asgjë substanciale por vetëm tregojnë për mbajtjen e takimeve për të cilat tregojnë se kanë shkuar mirë, gjithashtu tregojnë në sa ora kanë filluar e gjëra të tilla.

Deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi ka thënë se ftesë për raportim është dashur t’i dërgohet edhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Shoshi ka thënë se PDK nuk ka pranuar as një raport nga Qeveria për çështjen e dialogut.

Ndërkaq kryetari i komisionit, Haki Abazi ka thënë se Gërvalla do të ftohet një ditë tjetër.

Bislimi ka debatuar me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, lidhur me informatat që kanë marrë. Bislimi ka thënë se si i zv/kryeministër për dialog ka përgatitur raport për takimet në Bruksel dhe ia ka dërguar kryeministrit, presidentes, MPJ-së, kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe liderëve të partive politike dhe në debat e sipër i ka thënë se është çështje e tij kujt ia dërgon atë raport.

Haliti ka insistuar që është deputet dhe si i tillë nuk ka pse të marrë informacione prej kryetarit dhe se të gjitha informacionet që kanë duhet të ia përcjellin komisionit.

Abazi ka kërkuar që Haliti të presë përgjigjet nga zëvendëskryeministri dhe të mos ndërhyjë. Haliti i është kundërpërgjigjur që në komision janë për debat dhe ndërhyrjet do t’i bëjë sa herë të ketë nevojë.

Bislimi debat ka pasur edhe me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Mos të kanë humb dokumentet rrugës... nuk qëndron ajo (që nuk ka dokumente). Në pranim-dorëzimin e detyrës dorëzohen të gjitha dokumentet i kanë lanë në qeveri. Nuk i kanë humb si ju në 3 muaj qeverisje. Për çështje të tilla shkoni në debat me Hotin e debatoni. Na të thirrim për diçka tjetër e ti erdhe na e solle një dokument. Është marre me shku më thanë që nuk ke gjet askund. Ti mundesh me ardh me një të zbrazët edhe me thanë që këto i kem gjet edhe që jem detyru në Bruksel me shku me i marrë....hallakatni nëpër arkiva”, ka thënë Kadrijaj.

Në anën tjetër Bislimi i ka thënë se po flet pa pasur informata.