1 perditesime
21:32

Ish-refugjati nga Kosova: Evropa ka zhvilluar politikë që s’është miqësore ndaj refugjatëve

Ish-refugjati nga Kosova, Eki Rrahmani, i cili tash vepron si regjisor, derisa ka treguar mbi dokumentarin e tij “Rrëfimi i një refugjati”, ka folur edhe për gjendjen e refugjatëve në Evropë viteve të fundit.

Në Deskun e KOHËS, Rrahmani ka thënë se nuk do ta besonte asnjëherë se në Evropë do të sillen kaq keq me refugjatët.

“Një prej pikave kryesore e cila ka qenë pikënisje për këtë dokumentar ka qenë se, nëse kur kam ikur unë në 91-n dikush do të më thoshte se kur të bëhet viti 2021 në Evropë do të sillen shumë më keq ndaj refugjatëve, unë kurrë nuk do të besoja”, ka thënë ai.

Këtë Rrahmani e tha nisur nga përvoja personale, kur vetë kishte ikur nga Kosova si refugjat, përvojë për të cilën thotë se është shumë ndryshe nga mënyra si trajtohen sot refugjatët në Evropë.

“Një prej pikave për të cilat jemi munduar të marrim përgjigje ka qenë se a ka qenë pse kemi qenë më pak, apo pse kemi qenë të bardhë, pse jemi të Evropës. Ndoshta po të ishim 5-10 milionë shqiptarë me mbërri në Evropë, ndoshta do të silleshin edhe me ne ashtu. Evropa pas unifikimit, ka zhvilluar një politikë që s’është miqësore ndaj refugjatëve”, ka thënë ai.

20:39

Rrahmani tregon për idenë prapa dokumentarit “Rrëfimi i një refugjati”

Regjisori dhe autori i dokumentarëve Eki Rrahmani ka treguar se si erdhi deri te ideja për krijimin e dokumentarit “Rrëfimi i një refugjati”.

Dokumentari flet për përjetimet e Rrahmanit si refugjat në Britani e krahasimin se si priten refugjatët nga Siria sot në Evropë.

“Ideja ka filluar diku në vitin 2015, gjatë krizës më të madhe të refugjatëve, kur sirianët e vërshuan Evropën. Në atë kohë isha duke e bërë një film me Al Jazeeran, me një producent nga Siria, Maher Jamous. Po punonim për konfliktin në Siri. Në biseda e sipër kemi folur se si më kanë trajtuar mua si refugjatë gjatë viteve 90-ta kur kam ikur prej Kosovës e si po i trajtojnë refugjatët tash në Evropës. Pas një kohe filluam të mbylleshin kufijtë, Hungaria, Serbia e vendet tjera. Si evropianë në vinte turp çfarë trajtimi ia bënin refugjatëve. Në bisedë e sipër fillova të shkruaj një artikull nga mllefi. E shkrova një artikull qysh na pritën ne kosovarëve, e krahasim me atë që po kalojnë sirianët tash. E shkova artikullin, iu pëlqej e pati shumë klikime e sukses. E pastaj duke biseduar me producentët tjerë e shqyrtuam si ide e çuam përpara. E miratuan, më bënë nder të madh. Jam producent, regjisor, zakonisht jam pas kamerës. Kësaj radhe është më ndryshe”, ka folur Rrahmani në Deskun e KOHËS.

Korrespondenti i Al Jazeeras ka treguar se si ish-refugjat ka qenë më e lehtë për të, të bënte dokumentarin.

“Ka qenë ndoshta më e lehtë për mua si ish-refugjat, e ende kur më pyet dikush them se jam ende refugjat. Më e lehtë ka qenë të përzihem me refugjatë. E kemi ndje kombi ynë me vite, e kemi pas këtë problem. Ka qenë e lehtë me hy në rrjedha të tyre, me i dit ndjenjat e tyre e përjetimet e tyre”, ka thënë Rrahmani.