5 perditesime
21:22

Robelli: Ideja e Thaçit për ndryshim kufijsh ka qenë tejet personale

Gazetari Enver Robelli ka thënë se motive personale kanë qenë ato që e kanë shtyrë ish-presidentin Hashim Thaçi të mendonte për ndryshim kufijsh si zgjidhje për çështjen e konfliktit me Serbinë. Ai në emisionin “Desku” në KOHA ka thënë se me këtë Thaçi synonte të futej në histori si personalitet që zgjidhi problemet e Ballkanit.

“Jo vetëm ideja për prishjen e kufijve ka qenë e tmerrshme, por edhe motivet sidomos të Thaçit që të shtyhet një ide e tillë kanë qenë tejet personale, që të hyjë në histori si personalitet që e zgjidhi një nyje ballkanike në 100 vitet e fundit, konfliktin serbo-shqiptar dhe shpresa e tij që si i veshur me stolitë e paqebërësit s’do të ketë problem me gjyqësinë”, ka thënë ai.

Robelli e ka cilësuar të gabuar edhe deklarimin e disa zyrtarëve të Vetëvendosjes që kërkojnë bashkim kombëtar, pa u marrë vesh me klasën politike në Shqipëri.

“Bashkimi ndodh kur të ketë bashkëpunim të ngushtë e dy shtetet mbështesin njëra tjetrën e jo që firmat e Shqipërisë të fusin para të pista e ato të Kosovës apo politikanët të blejnë prona në Shqipëri. Është më shumë kazino kubaneze”, ka thënë më tej ai duke kërkuar të mos ketë interferime të njërit lider te shteti tjetër.

21:16

Robelli: Krijimi i kushteve për investim, më i rëndësishëm se participimi politik i diasporës në Kosovë

Kolumnisti Enver Robelli ka thënë se më i rëndësishëm se participimi politik i mërgimtarëve në Kosovë, është që Qeveria e Kosovës të krijojë kushtet që diaspora të investojë në vend.

“Më e rëndësishme se participimi politik këtu, është që qeveria të krijojë kushte që diaspora të investojë këtu”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Robelli ka treguar se për diasporën është me rëndësi që të kyçet në jetën aktive në Kosovë, dhe kjo për disa arsye.

“Është me rëndësi sepse ndoshta secili ka një pronë në Kosovë, ka familje, nuk mund të jesh indiferent nëse gjysma e familjes jeton keq në Kosovë, nuk mund të jesh indiferent nëse ke një familjar në administratë shtetërore dhe i cili kundërshton sistemin dhe përjashtohet nga puna. Pastaj, Kosova ka një diasporë jotipike, nuk është diasporë që ka shkuar thjesht për arsye ekonomike, bëhet fjalë për të gjitha vitet 90, një angazhim enorm i diasporës”, ka thënë ai.

“Zhvillimi, evolucioni i diasporës duhet të shihet si shans i madh. Nuk ka institucione të rëndësishme të Zvicrës ku nuk mund të gjesh shqiptarë, pronarë firmash”, ka përfunduar ai.

20:57

Robelli: Perëndimi gaboi kur besoi se Vuçiqi është i interesuar për marrëveshje me Kosovën

Gazetari dhe kolumnisti i KOHËS, Enver Robelli, ka thënë se perëndimi ka gabuar kur ka besuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi, është i interesuar për marrëveshje me Kosovën.

Robelli ka thënë se për Vuçiqin, Kosova është instrument që përdoret për të luajtur dy role brenda shtetit të tij.

“Unë mendoj që perëndimi ka bërë një gabim të madh që ka besuar se presidenti serb Aleksandër Vuqiqi është i interesuar për marrëveshje. Ai mund të ishte i interesuar për një marrëveshje që nënkupton prishjen e kufijve të Kosovës, sepse për Vuqiqin, Kosova është një instrument për ta luajtur viktimën brenda shoqërisë serbe e në anën tjetër Kosova është edhe instrument që Vuçiqi të duket patriot brenda korpusit politik serb”, ka thënë Robelli në “Desku” të KTV-së.

Sipas tij, në 10 vitet e fundit, jo vetëm Bashkimi Evropian por edhe klasa politike e Kosovës ka rënë në grackën e Vuçiqit.

20:56

Robelli: Opozita po kërkon për 20 ditët e Kurtit llogari aq sa poshtërsitë e krimet që kanë bërë për 20 vjet

Gazetari i njohur Enver Robelli ka thënë se opozita e re në Kosovë po kërkon po aq llogari nga Qeveria Kurti 2 për 20 ditë, sa “për poshtërsitë, krimet e mizoritë që kanë bërë këta për 20 vjet”.

Sipas tij, është herët që të vlerësohet puna e Qeverisë Kurti. Ai ka thënë se sfidë kryesore e tij është forcimi i gjyqësorit. Ka thënë se ndër problemet kryesore është edhe ndotja e ambientit.

“Është herët të vlerësohet, por do të matet zoti Kurti me premtimet e tij. mendoj se këto janë sfidat kryesore, forcimi i gjyqësorit, krijimi i një administrate efikase dhe natyrisht vlerësimi kritik i shumë privatizimeve që janë bërë në këtë vend. Si temë jashtëzakonisht e rëndësishme është edhe ndotja e ambientit. Në Kosovë është shkatërruar nga ndotja, nga planifikimi hapësinor, është krim i organizuar. Do të kemi probleme të jashtëzakonshme në gjeneratat e ardhshme. Është herët të vlerësohet, por mendoj se edhe opozita për 20 ditë në pushtet nga Kurti kërkojnë po aq llogari sa poshtërsitë, krimet e mizoritë që kanë bërë këta për 20 vjet”, ka thënë ai në “Desku” të KOHËS.

20:53

Robelli: Çdo qytetar është i obliguar të deponojë dëshmi për krime në Speciale

Gazetari Enver Robelli ka komentuar sulmet kundër ministres së Jashtme, Donika Gërvallës, për shkak të disa deklaratave të mëhershme të saj kundër ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka thënë se kritikat për të mund të kenë qëllimin për kaos, por ato i ka quajtur të tmerrshme.

“Kanë të drejtë ta kritikojnë, edhe unë mund ta kritikoj, mendoj që nuk duhet të përzihet shumë me politikën e brendshme dhe shefja e diplomacisë ka një përgjegjësi që të qëndrojë mbi palët sepse ajo është fytyra e Kosovës që e prezanton gjithkund në botën e jashtme. Por, të sajohen tmerre, vulgaritete gjuhësore se ajo na qenka dëshmitarja e Vuçiqit, kjo është qesharake, absurde. Nuk iu falet as gazetarëve të cilët janë të rinj e nuk i kanë përjetuar vitet e 90-ta, por mund t’i shikojnë videot në paraqitjen e Gërvallës në mediat gjermane”, ka thënë ai në Deskun e KTV-së.

Për deklaratën e Gërvallës para disa vitesh se do të depononte dëshmi në Hagë për disa nga ish-krerët e UÇK-së, Robelli ka thënë se çdo qytetari i takon e drejta për të deponuar dëshmi për krime të ndryshme në Gjykatën Speciale.

Robelli ka shtuar se Kosova po qëndron indiferente karshi vrasjeve që kanë ndodhur pas luftës.

“Nuk e di saktë deklaratën, por Gjykata Speciale është gjykate e Kosovës e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, me kërkesë eksplicite të kryeministrit Thaçi. Pastaj sipas ligjeve, çdo qytetar është i obliguar të bashkëpunojë me gjykatën, të deponojë nëse ka dëshmi për krime të ndryshme. Pastaj, prej kur është e ndaluar në Kosovë të kërkohet drejtësi për viktima. Prej kur duhet të pajtohemi që njerëzit i ka vra rrufeja, jo nuk i ka vrarë rrufeja. Është vrarë Smajl Hajdaraj në Pejë dhe kjo shoqëri është pajtuar me këtë fakt duket. Këtu do të duhej të kishte përgjigje, të kishte prokuror edhe nëse nuk do të ishte gjykata”, ka thënë ai.

“Nuk është vetëm çështja e aktivistëve të LDK-së, por plot njerëz të tjerë që janë vrarë. Si mund të jesh shtet ligjor kur vetëm në rajonin e Pejës janë rreth 100 vrasje të pasqaruara”.

Pavarësisht se sistemi politik, juridik e demokratik janë të qëndrueshëm formalisht, Robelli ka thënë se për shkak se “shteti është i kapur”, Kosova qëndron prapa.

20:20

Robelli: Opozita po duket si cirk, ende s’e ka kuptuar rezultatin e zgjedhjeve

Sipas gazetarit të njohur dhe kolumnistit të KOHËS, Enver Robelli, opozita e re në Kosovë ende s’e ka kuptuar pozitën e saj dhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Pas situatës së tensionuar të enjten, si rrjedhojë e debatit të ashpër Kuvendi për pak u kthye në arenë përleshjesh mes deputetëve dhe ministrave.

Duke e komentuar këtë situatë, Robelli në emisionin “Desku” në KTV i ka quajtur për keqardhje reagimet e opozitës. Ka thënë se po i duket sikur të jetë cirk.

“I përcolla pak dhe për keqardhje mund të them sepse me sa duket një pjesë e opozitës që ka mbetur pa pushtet po e kërkon rolin e ri të vet, dhe e ka zgjedhur rrugën e saj që duket si një cirk se një opozitë e mirëfilltë. Duket se ende s’e kanë kuptuar çfarë domethënie ka pasur vota e 14 shkurtit, që ka qenë votë bukur e fuqishme për ndryshim. Do të ishte mirë që me kalimin e kohës të kishte opozitë të shëndetshme, që t’i lexoni si duhet rezultatet e të fillonin me pastrimin e terrenit brenda shtëpisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, situata e re është sikur ato që sajoheshin në të kaluarën.

Ai ka thënë se Kosovës do t’i bënte mirë të kishte opozitë të përgjegjshme “sepse pas 4 vitesh apo 8 do të kishte ndoshta nevojë për ndryshime”.

Të enjten, pas një debati në seancën ku është dashur të debatohej për situatën në arsim, pasi nga salla vendosën të largoheshin deputetët e PDK-së, ata u përplasën me ministrat e Qeverisë Kurti e më pas me deputetë të VV-së.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Vetëvendosje dhe lista “Guxo” kanë marrë shumicën për të qeverisur me vendin. PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja përbëjnë opozitën e re.


Robelli: Konkurrenca është bërë brutale në botën e medias

Gazetari dhe koluministi i KOHËS, Enver Robelli, ka thënë se konkurrenca është bërë brutale në botën e medias jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën.

Robelli duke folur në “Desku” të KTV-së për gjendjen e mediave kryesisht në Kosovë, ka thënë se gara për të qenë i pari dhe për të gjeneruar klikime, shpeshherë po shkon deri në atë nivel sa nuk po zgjedhën mjetet.

“Qysh para 10 viteve e kam paralajmëruar një degradim të mundshëm të mediave dhe në këto 10 vitet e fundit nuk ka qenë një zhvillim i mirë dhe kjo vërehet në zhurmën mediale që bëhet, e që në të shumtën e rasteve është pa përmbajtje. Shumica e gazetarëve jetojnë në një fluks në Prishtinë, mediat ushtrojnë një tifozllëk si në stadium, në të shumtën e mediave nuk po shoh reflektim të jetës së përditshme të njerëzve. Ne nuk po shohim se çka ndodh në qytetet e tjera të Kosovës. Një ndër tekstet e mija më të lexuara ka qenë një portret i një shqiptari që bën djathë në Zvicër. Temat më emocionale janë temat që lidhen me njerëz dhe jo temat burokratike”, ka thënë Robelli.

Ai ka thënë se me krizën financiare dhe me digjitalizimin e mediave, janë reduktuar edhe korrespodentët e tyre dhe tashmë në mediat e huaja, edhe raportimet për Kosovën janë reduktuar.