3 perditesime
15:49

Miratohet programi qeverisës

Qeveria ka miratuar programin qeverisës për 4 vjetët e ardhshme. Në këtë votim, të gjithë ishin pro përpos Goran Rakiq nga Lista Serbe, i cili abstenoi nën arsyetimin se nuk e ka marrë me kohë programin.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se prioritet kryesor është sigurimi i vaksinave në mënyrë që në stinën e verës t’i mundësohet ardhja mërgatës, për t’i dhënë hov rritjes ekonomike.

Ka thënë se vendi ka nevojë për kulturë të re qeverisëse, ndërsa ka theksuar se vettingun në prokurori e gjyqësi dhe në nivelet e larta të Policisë e inteligjencës i sheh si kryefjalë në reformën e drejtësisë.

Është zotuar për rritje page e që të mos ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se fokusi do të jetë në zhvillim ekonomik dhe drejtësi. Ka thënë se sivjet pret hov të madh, sidomos pas imunizimit e ardhjes së mërgatës.

“Ringjallja, apo rimëkëmbja do të fokusohet në rritjen e fuqisë blerëse, riorientimi si mundësi drejt prodhimit dhe eksportit. Rritja e punësimit. Angazhimi i mërgatës si faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe rritja e investimeve të huaja direkte dhe formalizimi i ekonomisë”, ka thënë ai.

 

15:42

Kurti shpalos programin qeverisës

Mbledhja e Qeverisë ka nisur me shpalosjen e programit qeverisës për 4 vjetët e ardhshme. Kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria synim ka menaxhimin e pandemisë dhe lehtësimin e pasojave të shkaktuara nga qeveria e kaluar.

“Masat që do t’i ndërmarrim do t’i mbështesin punëtorët që kanë humbur vendet e punës, të punësuarit për herë të parë dhe bizneset. Ne do të aplikojmë me kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se nuk do ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme pasi që sipas tij do bëhet reforma e skemës sociale.

“Do të sigurojmë shtesa për fëmijë e punësim të garantuar sezonal për një anëtarë të familjes. Përmes rritjes së pagës në 250 euro për 40 orë punë do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit. Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore e mjedisit”, ka thënë tutje.

“Deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës. Do të aplikojmë dhe anëtarësohemi në Kartën e Atlantikut Dialog parimor me Serbinë për njohje reciproke. Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë. Do ta përgatisim padinë për gjenocid në GJND-së”.

15:33

Nis mbledhja e Qeverisë

Ka nisur mbledhja e Qeverisë Kurti ku pritet të bëhet votimi i programit qeverisës për 4 vjetët e ardhshme.

10:10

Sot mblidhet Qeveria Kurti, diskutohet për masat e reja anti-COVID

Sot pritet të mblidhet Qeveria Kurti në orën 15:00 ku do bëhet votimi i programit qeverisës për katër vjetët e ardhshme.

Në fundjavën e dytë të muajit prill, kryeministri Albin Kurti kishte mbledhur ministrat e kabinetit qeveritar për të hartuar planin e veprimet. Kurti ishte kritikuar vazhdimisht nga partitë opozitare për vonesë të prezantimit të programit.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i masave për parandalimin e COVID-19.