2 perditesime
14:22

Haxhiu: Akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi janë të papranueshme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se akuzat e sistemit prokurorial ndaj saj për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë janë të papranueshme, pasi që sipas saj, përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje.

Haxhiu ka thënë se sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme megjithatë thotë se ka punuar nga dita e parë për krijim të kushteve më të mira.

“Çështja e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe anëtarëve të KPK, gjithashtu ka qenë një problem tjetër për çka nuk kanë qenë vetëm shqetësimet tona të cilat i kemi bërë publike, por kanë qenë po ashtu reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin përcjellë shqetësimet serioze në këtë drejtim. Për mua si Ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t'i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime”, ka shkruar ajo në Facebook.

Haxhiu ka thënë se deklarimet e saj janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetese e ligjore në kuptimin e ndarjes së pushteteve.

“Asnjëherë nuk do t'i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave. Si Ministre e Drejtësisë, do të vazhdoj tutje që me përkushtim të adresoj problemet e sistemit të drejtësisë brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në kuptim të ndërtimit të një sistemi sa më profesional, të pavarur dhe efikas. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Këtë e kemi obligim”, ka thënë ajo tutje.

14:11

KGJK-ja: Deklaratat e Haxhiut po e dëmtojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, dhënë për KOHËN, rreth “pazareve” në sistemin e drejtësisë.

KGJK-ja thotë se deklarimet e Haxhiut janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor, “gjithashtu bien ndesh me ndarjen e pushteteve, e që këto deklarata konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit”.

Në reagimin e tij, KGJK-ja thotë se sistemi gjyqësor është institucion i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe “gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj”.

“Prandaj, respektimi i pavarësisë dhe punës së gjyqësorit është obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Zgjedhja në cilën do pozitë brenda sistemit gjyqësor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bëhet në mënyrë transparente dhe atë bazuar në Kushtetutë dhe ligji, në pajtim me parimet e meritës, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, mos diskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë e vendor si dhe standardeve më të larta profesionale”, thuhet në njoftim.

10:51

Pas deklaratave të Haxhiut për “pazaret” në drejtësi, KPK-ja thotë se ajo po ndërhyn në punën e gjyqësorit

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka cilësuar si të pabazuara deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, dhënë KOHËS lidhur me përbërjen e këshillave në sistemin prokurorial, ku kjo ka thënë se mes tyre ka grupe të fuqishme.

Këshilli thotë në reagimin e tij se deklarimet e Haxhiut “ janë krejtësisht të pabazuara dhe bien ndesh me ndarjen e pushteteve, duke përbërë kështu ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit”.

“Prandaj, një Ministre e Drejtësisë, e cila thirret në forcimin e sundimit të ligjit duhet të përmbahet nga deklarimet e tilla të paqëndrueshme. Me këtë rast e ftojmë të njëjtën që të tregojë konkretisht se për çfarë grupesh të fuqishme dhe pazaresh bëhet fjalë”, thuhet në reagim.

Këshilli Prokurorial ka shkruar se është organ i pavarur dhe i paanshëm, duke mos lejuar asnjë interferim, tendencë apo interes nga jashtë për të ndikuar në proceset e rëndësishme.

“Unë jam e shqetësuar me përbërjen e këshillave përkatëse, duket që ka një lloj pazari, përkrahëm t’i mua këtu, unë do të të përkrah ty aty, dhe duhet të rishikohet si të themi përbërja e këshillave përkatëse....Duhet të shohim se si t’i eliminojmë grupet që janë në kuadër të sistemit të drejtësisë, për çka unë jam shumë e shqetësuar, sepse janë instaluar disa grupe tepër të fuqishme brenda institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe të cilët janë futur në pazare për pozicionet e ardhshme, qoftë në këshillat përkatës, qoftë për kryeprokurorin e shtetit, pasi tash po fliten disa emra se kush do të jetë kryeprokuror i shtetit”, ka thënë Haxhiu për KOHËN.